Vizitë në shtëpinë e familjes Myftija,
në lagjen Tabakë
11 nëntor 2015
Pasditen e së
mërkurës, më 11 nëntor 2015, Këshilli i
Myftinisë Shkodër dhe Myftiu, Imam
Muhamed B. Sytari, zhvilluan një vizitë
në shtëpinë e familjes Myftija, në
lagjen Tabakë, bri xhamisë së Plumbit.
Me rastin e kësaj vizite, në pozitën e
mikpritësit, H. Mithat Myftija, shprehu
kënaqësinë e tij dhe të familjes
Myftija, për këtë nderim të Myftinisë
Shkodër, në prag të përkujtimit të 25
vjetorit të rihapjes së xhamisë së
Plumbit.
Z. Myftija theksoi se kjo vizitë ka një
domethënie të madhe për të, vëllezërit
dhe familjen e tyre, pasi 25 vite më
parë, në këtë shtëpi hyri Hafiz Sabri
Koçi, në prag të asaj dite të madhe e të
paharrueshme të 16 nëntorit 1990.
Gjatë kësaj vizite, u sollën në kujtesë
momentet e para të përgatitjes së
xhamisë së Plumbit për ceremoninë e
madhështore të datës 16 nëntor 1990,
vështirësitë, pengesat, angazhimin e
qytetarëve dhe tubimin e tyre, deri në
momentin kulminant, që u pasua me tubime
e takime të vazhdueshme në këtë shtëpi.
Nga ana e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed B. Sytari, vlerësoi këtë vizitë
si pjesë e programit të përkujtimit të
25 vjetorit të rihapjes së xhamisë
Plumbit, si dhe si një vlerësim për
familjen Myftija, por edhe për të gjithë
ata, që iu bashkuan punës për
përgatitjen dhe finalizimin e ceremonisë
së 16 nëntorit.
Me këtë rast, Myftiu i dorëzoi z. Mithat
Myftija, një pllakatë mirënjohjeje të
Myftinisë Shkodër për familjen Myftija,
në nderin dhe respekt të përkushtimit
dhe angazhimit me rimëkëmbjen e xhamisë
së Plumbit.
E pranishme në këtë vizitë ishte edhe
znj. Voltana Ademi, Kryetare e Bashkisë
Shkodër, e cila shprehu vlerësimet dhe
respektin e saj për familjen Myftija dhe
ngjarjen e shënuar të rihapjes së
xhamisë së Plumbit, 25 vite më parë.