Myftiu i Shkodrës, bashkëbisedim mbi librin: “Nún Pasha Lapsin…”

Ditën e mërkurë, më 7 tetor 2015, Radio 1, zhvilloi një bashkëbisedim me Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, duke u përqendruar te libri i tij: “Nún Pasha Lapsin…”.

Myftiu iu përgjigj pyetjeve mbi detajet e këtij libri, që përmban shënimet vetjake të Myftiut të Shkodrës, në periudhën prill 2010-prill 2013.

Gjatë këtij bashkëbisedimi me gazetarin Qani Sulku, Myftiu vuri në dukje rëndësinë që ka shkrimi dhe regjistrimi i historisë së sotme islame, me krejt detajet dhe ngjarjet e saj, si një dëshmi edhe për të ardhmen. "Unë mendoj se krejt imamët dhe myftilerët duhet të angazhohen për ta shkruar sa më bukur historinë e sotme islame, atë që e jetojmë, atë, ku shërbejmë, personazhet e saj, detajet, datat, vendet, ndërtimet, aktivitetet, konferencat, tubimet, mesazhet etj", - theksoi Myftiu.

Pyetjes së gazetarit mbi rëndësinë dhe kujtimet e datës 16 nëntor 1990, Myftiu iu përgjigj se kjo datë është ditë dëshmie e besimit dhe mosthyerjes së tij para asnjë persekutimi e dhune kundër Islamit dhe muslimanëve. Ai tha se ajo ditë ishte dëshmi e madhe se populli ynë nuk e ka humbur dritën e besimit as udhëzimin nga Zoti. Njëkohësisht, theksoi se kjo datë duhet skalitur në muret e historisë tonë kombëtare si më e rëndësishmja që pasoi fatkeqësinë më të madhe kombëtare, sundimin për 23 vjet të ateistëve-komunistë.

Këto dhe shumë pyetje të tjera drejtuar Myftiut të Shkodrës, si dhe parathënien e librit nga studiuesi Muhidin Ahmeti, do të mund t'i ndiqni ditën e enjte, më 8 tetor 2015, ora: 10.10, në valët e Radio 1.

 


Myftiu i Shkodrës, bashkëbisedim mbi librin: “Nún Pasha Lapsin…”