Haxh të pranuar,
të dashur haxhilerë të Shkodrës!
03 tetor 2015
Në orët e para të
ditës së shtunë, më 3 tetor 2015, ka
mbërritur edhe grupi i dytë i
haxhilerëve të Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë, në mesin e të cilëve edhe
haxhilerët e Shkodrës.
Në pritje të tyre, në aeroportin e
Rinasit, kishte dalë edhe Myftiu, Imam
Muhamed B. Sytari, i cili u takua me të
gjithë haxhilerët, duke i uruar haxh të
pranuar dhe adhurime të shumëfishuara.
Myftiu u interesua për shëndetin e
haxhilerëve dhe u lut që kjo eksperiencë
besimi të ketë shërbyer për secilin, si
një besëlidhje e re me Zotin dhe një hap
i ri në jetë, në rrugëtimet e reja të
besimit dhe kërkimit të pëlqimit të
Zotit në jetën e përditshme.
Myftiu uroi edhe imamët e pranishëm në
këtë udhëtim jete, që ishin mbushur me
emocione të mëdha dhe shprehnin
falënderime ndaj Zotit për këtë mirësi
të madhe dhe mundësinë e reaizimit të
këtij adhurimi të mrekullueshëm.
Pak momente para ezanit të sabahut,
haxhilerët e Shkodrës mbërritën para
xhamisë së Parrucës, në pritje të cilëve
kishin dalë familjarë e dashamirë, të
përmalluar e plot gëzim për kthimin e
tyre shëndosh e mirë, pranë familjeve e
miqve të tyre.
Me këtë rast, Myftinia Shkodër uron Haxh
të pranuar për krejt haxhilerët e
Shqipërisë, veçanërisht atyre të
Shkodrës dhe Malësisë së Madhe.