“Ah, Siria… Rahmet pastë…”

Takimi me eulijatë dhe ulematë e spikatur, muxhahidët e heshtur, bartësit e amaneteve të shekujve në thellësi të zemrës së tyre, jo vetëm që të mbush me Dritë diturie dhe Mall shekujsh të shkruar me Dije pa fund, përkushtim burrash të sinqertë, sakrifikuesish të mëdhenj për dijen dhe përhapjen e saj, por njëkohësisht, ta kalit mendjen dhe i jep asaj myzhde të shumëdëshiruar…
           
Takimi me Trashëgimtarët, që rrijnë në postet e larta të Heshtjes, duke përhapur mirësitë e shekujve, edhe nëpërmjet vështrimeve bekuese, mbetet përherë një kërkesë e lartë për rrugëtuesit në prekje të gjurmëve që lënë pas, hapat e të Mëdhenjve…
           
Më 28 shtator 2015, rreth një orë para namazit të mesditës gjendesha në xhaminë e Sulltan Mehmet Fatihut në Stamboll, për të falur namazin e kohës… Xhamia, e veshur me pastërti dhe qetësi, zbukurohej edhe më shumë me mirësjelljen e besimtarëve, kultivuar ndër shekuj, në hyrje-daljet e tyre…  

Edhe turistët e huaj, hynin në heshtje, sikur ecnin në majë të gishtave. Burrat me aparate fotografike në dorë dhe gratë, me një mantel mbi kokë, bëheshin dëshmitarë të një shpirti të heshtur prehjeje shpirtërore, që ndjehet me të hyrë në xhaminë e Fatihut… E reflektonin edhe në komunikimin e tyre, shoqëruar me buzëqeshje dhe shenjat e mahnitjes nga pamjet e mrekullueshme të arkitekturës osmane, të derdhur në çdo qoshk të këtij vendi…
           
Në fakt, qëllimi i ardhjes time këtu, ishte takimi i njërit prej Burrave të mëdhenj, bartës i amaneteve dhe sekreteve diturore e shpirtërore të së shkuarës… Më thanë se prezanton çdo ditë për të falur mesditën dhe për të pritur vizitorët e ndryshëm… Dhe, kështu ndodhi në atë ditë të bekuar për mua…
           
“Hoxha ka ardhur”, dëgjova një zë, që më drejtohej me shumë dashamirësi, duke më bërë me shenjë nga dhoma e imamit, prej ku Bardhësia e Hoxhës, rrezatonte Paqe, në tërë kuptimet e kësaj fjale të madhe…
           
U gëzova pa masë dhe u nisa drejt tij. Sapo sytë tanë u takuan, Bardhësia e tij, i bëri me shenjë njerëzve përreth të hapnin vendin dhe, më bëri shenjë të afrohem. Unë u shtanga nga kjo pamje dhe nxitova të afrohem…
           
Duke i dhënë selam, u ula përballë Hoxhës së dashur, i mora dorën dhe.., për një moment ndjeva prekjen e takimeve të shkuara me hoxhallarët e mi, që sot nuk janë më në këtë botë. U emocionova. Kjo ndjesi u rrit edhe më shumë, kur m’u kujtua pozita diturore e këtij njeriu të heshtur, lidhjet e të cilit, arrijnë deri tek Shejkhul-Islami i fundit i kalifatit osman (Shejkhul-Islam Mustafa Sabri), nëpërmjet mësuesit të tij, Shejkh Muhammed Zahid El-Keutheri… (Hoxha, me mjekër të bardhë dhe fesin e bukur mbi kokë, me prezencën e dijetarëve të mëdhenj dhe vitet e moshës, 84 vitet e moshës së tij, është bartës i ixhazeteve edhe nga dijetarë të mëdhenj si: Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh a Shejkh Ebul-Hasen En-Nedvi, sikurse i ka dhënë ixhazet dijetarëve të shquar si: Shejkh Jusuf El-Karadavi, Shejkh Shuajb El-Arnaut etj. Një mik i madh i dijetarëve tanë, si: Shejkh Edib Kel-las, Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, Shejkh Abdurrezzak El-Halebi, Dr. Nuruddin Itr etj.)
           
“Prej nga jeni?”, më pyeti me një arabishte të bukur e naziqe, harfet e së cilës i dilnin si xhevahire të rralla, që nuk gjenden në çdo kohë e vend…
           
Pasi iu përgjigja pyetjes, e pasova duke i thënë se jam nga nxënësit e Shejkh Vehbi Sulejmanit… Hoxha, mbylli sytë për pak dhe duke i hapur, me fytyrë të qeshur, nxori një ofshamë të lehtë, që e pasoi me një fjali: “Ah, Siria… Rahmet pastë…”.
M’u bë se nëpërmjet kësaj fjalie tha shumë. Në ato pak fjalë kishte nxjerrë kujtimet e takimit me Hoxhën e shtrenjtë, H. Vehbi Sulejmanin, në Damask, si dhe dhembjen për tokën e begatë të dijes dhe dijetarëve…
           
Biseda vazhdoi me disa pyetje-përgjigje, që në vetvete, ngjajnë më shumë me një dhënie dhe marrje bese, që shoqërohet me një sirr të madh, që ngeli në mes nesh… Në heshtje, duke vështruar Nurin e tij, ia dhashë besën dhe mora leje të ngrihem… Këshilla e tij, do të ngelet në një qoshk krenarie legjitime për mua, ku përherë do ta kem si vend-prehje dhe pikë referimi…
           
Ato momente, para duarve të tij, ishin si vite dritë, ku mendja dhe zemra, në heshtje lumturohen dhe mbushen me dritë shekujsh, ku Burrat e Besëlidhjeve të trashëguara, qëndrojnë krenarë, si bartësit e amaneteve…
           
Me duatë e Hoxhës, u largova duke falënderuar All-llahun për këtë mirësi të madhe; takimin me dijetarin e shquar dhe bartësin e ixhazeteve të vjetra, Shejkh Muhammed Emin Siraxh…

Muhamed B. Sytari
Shkodër, natë e xhuma, më 1 tetor 2015

 


Stamboll, Myftiu referon mbi kontributin e hoxhallarëve të shkuar të Shkodrës