Stamboll, Myftiu referon mbi kontributin
e hoxhallarëve të shkuar të Shkodrës
27-30 shtator 2015
Me ftesë të Qendrës
Studimore “Bilim ve Sanat Vakfı”,
Stamboll, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, mori pjesë në takimet
dhe workshopet e organizuara në datat
27-30 shtator 2015 nga kjo qendër, ku
referoi dhe bashkëbisedoi në lidhje me
kontributin e hoxhallarëve të shkuar të
Shkodrës dhe medresetë e saj.
Gjatë këtyre takimeve, Myftiu hodhi
dritë mbi formimin e elitës së
hoxhallarëve të Shkodrës dhe kontributin
e tyre në shumë sfera të dijes. Ai tha
se hoxhallarët ishin të parët në krye të
përpjekjeve për edukimin e shoqërisë me
vlerat më të larta të besimit, dijes,
respektit dhe mësimit të gjuhës shqipe,
ruajtjes së vlerave islame dhe
trashëgimin e tyre.
Në takimet e tij, Myftiu diskutoi edhe
mbi fenomenet negative të osmanofobisë
dhe islamofobisë, që po përhapen dukshëm
në Shqipëri, duke theksuar se injoranca
dhe urrejtja patetike shekullore ndaj
Islamit dhe muslimanëve, po
konkretizohet edhe në veprimet e atyre,
që i quajti “misionarë të së keqes” në
shoqërinë shqiptare.
Myftiu vlerësoi faktin se gjatë
periudhës së kalifatit osman, shqiptarët
jetuan ditët e tyre më të mira, të
integruar plotësisht në këtë bashkim
shtetesh, racash, kulturash e popujsh,
ku dominonte drejtësia, paqja, besimi
dhe vlerësimi i dijes dhe i dijetarëve.
Myftiu kërkoi që të studiohen arkivat
dhe të dalë në pah e vërteta e
marrëdhënieve të shqiptarëve me
kalifatin osman, duke theksuar se
historia e kësaj marrëdhënie në
Shqipëri, është e trilluar dhe e
deformuar për interesat e lobimeve
të njohura antiislame, që dihen.
Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll,
Myftiu bashkëbisedoi edhe me një grup
pedagogësh dhe studentësh që ndjekin
studimet pasuniversitare në
Universitetin e Marmarasë, ku iu
përgjigj edhe pyetjeve të shumta në
lidhje me temën e tij.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu takoi edhe
dijetarin e shquar, Shejkh Muhammed Emin
Siraxh, nxënësi i dijetarit të madh
Shejkh Muhammed Zahid El-Keutheri, që
ishte edhe zëvendësi i Shejkhul-Islamit
të fundit në kalifatin osman,
Shejkhul-Islam Mustafa Sabri.
Njëkohësisht, Myftiu takoi edhe dekanin
e Fakultetit Teologjik në Universitetin
e Stambollit, prof. dr. Murteza Bedir,
dekanin e Fakultetit Teologjik në
Universitetin Shehir, prof. dr. Mehmet
Ali Büyükkara, dekanin e Fakultetit
Teologjik në Universitetin Marmara,
prof. dr. Ali Köse, koordinatorin e
Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare në
Fakultetin Teologjik Marmara, as. prof.
dr. Ertuğrul Boynukalin e të tjerë
personalitete të shquara të botës
akademike dhe studimeve osmane dhe
islame në këto institucione, me të cilët
diskutoi dhe për mënyrat e rritjes së
bashkëpunimit në fushat e studimeve
osmane dhe islame, si dhe dërgesën e
studentëve shkodranë për të vazhduar
studimet e tyre të specializuara në këto
universitete të shquara, jo vetëm në
Turqi.
Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll,
Myftiu dha edhe një intervistë për TRT1,
sikurse vizitoi varrin e sahabiut të
nderuar Ebu Ejjub El-Ensari, në xhaminë
e famshme, ku prehet trupi i tij,
sikurse vizitoi edhe varrin e Sulltan
Mehmet Fatihut, bri xhamisë që mban
emrin e këtij burri të madh dhe
udhëheqësi të pashoq.