Kurban Bajrami,
ditë vëllazërimi dhe harmonie islame
24 shtator 2015
Që në orët e para të
sabahut të ditës së enjte, më 24 shtator
2015, në të gjitha xhamitë e Myftinisë
Shkodër kanë nisur ceremonitë e faljes
së Kurban Bajramit, si një ditë e
shënuar e kalendarit islam.
Sipas programit të paralajmëruar nga
Myftinia Shkodër, në xhaminë e Parrucës,
ceremonia ka nisur me faljen e namazit
të sabahut me xhemat nën drejtimin e
imamit të kësaj xhamie, teologut Naim
Drijaj.
Pas namazit, në dersin e parë të kësaj
dite, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B.
Sytari ka folur mbi rëndësinë që ka
forcimi i vëllazërisë në mesin e
muslimanëve. Duke iu referuar ajeteve
dhe haditheve të shumta, Myftiu ka thënë
se sot, më shumë se asnjëherë,
muslimanët e kanë për detyrë të
interesohen për njëri-tjetrin dhe të
punojnë për forcimin e vëllazërisë në
mes vete dhe forcimit të harmonisë në
mes tyre.
Në dersin e kësaj dite, Myftiu theksoi
se uniteti i muslimanëve dhe respektimi
i të drejtave të tyre, është një shtyllë
e rëndësishme dhe e fortë e vetë
harmonisë kombëtare.
Ceremonia e kësaj dite në xhaminë e
Parrucës, vijoi me dersin e teologut
Naim Drijaj, që mbajti njëkohësisht edhe
hytben e Kurban Bajramit.
Ndërkohë, Myftiu mori pjesë edhe në
ceremoninë e xhamisë “Ebu Bekër”, në
Fushë-Çelë, ku dha mesazhet e tij për të
pranishmit e shumtë, që kishin
tejmbushur xhaminë dhe oborrin e saj.
Pas dersit të mbajtur nga teologu Arben
Halluni, Myftiu u përqendrua te
bashkëpunimi i muslimanëve në rrugën e
dëshmimit të vlerave të besimit dhe fesë
së tyre në realitetet e përditshme.
Myftiu tha se harmonia në mesin e
muslimanëve, është një çështje parësore,
që lidhet me vetë krenarinë dhe cilësinë
e prezantimit të tyre në komunitet.
Njëkohësisht tha se muslimanët, janë
njerëz që janë ftuar ta ndërtojnë jetën,
shoqërinë, të nderojnë dhe respektojnë
këdo, pavarësisht dallimeve fetare,
kombëtare, kulturore etj.
Në këtë kontekst, Imam Muhamed Sytari
vuri theksin te ajo që ndodh prej kohësh
në Siri dhe Irak, ku tha se terrorizmi
dhe ekstremizmi fetar në emër të
Islamit, është një prodhim joislam, që
nuk ka dhe nuk mund të ketë lidhje me
Islamin burimor dhe thelbin e mësimeve
të tij.
Në këtë mesazh, Myftiu përmendi edhe
faktin e mirësisë së pranisë së xhamive
në shoqëri, ku tha se pas pak javësh do
të përkujtohet 20 vjetori i inaugurimit
të xhamisë “Ebu Bekër”, si dhe 25
vjetori i rihapjes së xhamisë së
Plumbit.
Pas faljes së namazit të Kurban
Bajramit, nën drejtimin e Myftiut,
hytbeja e Kurban Bajramit u mbajt nga
imami i xhamisë “Ebu Bekër”, teologu
Idmir Plaku. Në fjalën e tij, imami i
nderuar dha mesazhe të rëndësishme që
lidhen me harmoninë dhe paqen në mesin e
njerëzve.
Imami Idmir Plaku theksoi se mesazhet e
Kurban Bajramit janë nxitëse për të
reflektuar besimin dhe përkushtimin në
jetë, për t’u dëshmuar muslimanë të
dobishëm dhe njerëz me vlera fetare e
shoqërore.
Ceremonitë e Kurban Bajramit, u
zhvilluan rregullisht edhe në të gjitha
xhamitë e tjera të Shkodrës, duke
dëshmuar mirësitë dhe begatitë e kësaj
dite feste dhe adhurimi.