Bashkëbisedim me Myftiun e Shkodrës,
në "Studio e hapur"
23 shtator 2015
Ditën e mërkurë, më
23 shtator 2015, në prag të Kurban
Bajramit të sivjetshëm, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari ishte i
ftuar i gazetarit Ergys Kavaja në
emisionin "Studio e hapur", ku iu
përgjigj pyetjeve të ndryshme që lidhen
me kuptimet dhe mesazhet e festës së
Kurban Bajramit, përgatitjes së
Myftinisë Shkodër për pritjen e 16
nëntorit, si datë që shënon 25 vjetorin
e rihapjes së xhamisë së parë në Shkodër
e Shqipëri, pas 23 viteve persekutim
ateist.
Myftiu tha se Kurban Bajrami i këtij
viti do të falet në të gjitha xhamitë e
Shkodrës, si shenjë falënderimi ndaj
Zotit dhe si përkujtimi që duhet t'i
bëjmë njëri-tjetrit për vlerën dhe
mirësinë e xhamive, sidomos tani në prag
të 25 vjetorit të rihapjes së xhamisë së
parë pas 23 viteve persekutim.
Myftiu iu përgjigj edhe shumë pyetjeve
të tjera që lidhen me pronat e Myftinisë
Shkodër, vizitën e fundit te Kryetarja e
re e Bashkisë Shkodër, domethënia e
dhuratës së bërë, debatin që shkaktoi
ajo etj.
Myftiu tha se xhamia e kalasë është një
temë që nuk ka nevojë për asnjë
diskutim, pasi në pesë shekujt e fundit
ka funksionuar si e tillë. Ai tha se
dekadave të fundit është abuzuar me
emërtimin e xhamisë, por kjo, sikurse
tha Myftiu i Shkodrës, duhet mbyllur një
herë e përgjithmonë. "Ai objekt është
xhami dhe askush nuk ka asnjë të drejtë
të pretendojë shfrytëzimin e saj, duke u
nisur nga origjina e largët e xhamisë" -
tha Myftiu.
Temë e këtij emisioni ishte edhe ajo e
legalizimit të pronave, ku Myftiu
konfirmoi se komunitetet fetare nuk ka
se si të jenë të barabarta në këtë
trajtim, sepse përqindjet e tyre, janë
shumë të largëta, që të trajtohen të
barabartë. Për këtë, ai tha se do të
kishte dëshiruar që qeveritë e këtyre 25
viteve, të kishin kryer fillimisht me
pronat e krejt komuniteteve të vogla,
pastaj të ishte marrë me ato të
muslimanëve, që jomuslimanët në këtë
vend, të mos kenë vështirësi dhe të mos
ndjehen inferiorë dhe të kompleksuar.
Myftiu iu përgjigj edhe pyetjes që
lidhet me dhunën, vrasjet, terrorizmin
dhe ekstremizmin e shfaqur kohëve të
fundit në vendet islame, si dhe atakimin
pa të drejtë të Islamit në këtë drejtim,
ku konfirmoi qëndrimin e Islamit ndaj
këtyre fenomeneve negative dhe vrastare.
Në fund, Myftiu uroi besimtarët për
Kurban Bajramin, sikurse u lut që
njerëzit të shpëtojnë nga klima e
frikës, dhunimit psikologjik, mjerimit,
varfërisë e skamjes, që ka kapluar
vendin.
Emisioni do të ritransmetohet sonte, të
mërkurën, më 23 shtator 2015, në orën:
20.35, në tv starplus.