“Gjëja më e mirë me të cilën kalohet koha
dhe angazhohet nefsi…”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të Vetëm të gjithësisë, i cili e lartësoi pozitën e të diturve deri në atë gradë, sa i konsideroi të pamësuarit, si të verbër, kur tha: “A është i njëjtë ai që e di se ajo që t'u shpall ty nga Zoti yt është e vërtetë, si ai që është i verbër? Vetëm njerëzit e arsyeshëm që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën.”[1]
           
Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë të begatë të këtij muaji të begatë, në këtë periudhë të begatë të 10 ditëve të para të muajit Dhul-Hixhe, (për të cilat është betuar edhe Zoti në Kur’an), zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili thoshte për veten e tij: “Jam dërguar Mësues!”[2]

Të nderuar medresistë, vëllezër dhe motra besimtarë,

Këtë të hënë, edhe për medresistet dhe medresistët tanë, nisi një vit i ri shkollor, që zyrtarisht sinjalizon një rrugëtim të ri dhe një mundësi të re drejt thellimit të mëtejshëm në dije, moral e besim.
           
Ndonëse jemi në periudhën e begatë të 10 ditëve të para të muajit Dhul-Hixhe, që mbyllen me Festën e bukur të Kurban Bajramit, ku natyrisht, në minberet e ndryshme të vendit e të botës, sot flitet për vlerën dhe rëndësinë e shtimit të adhurimeve në këtë periudhë, me agjërim, dhikër, sadeka, rregullim të marrëdhënieve farefisnore, kurbane në ditën e bajramit etj, zgjodha që mesazhin e kësaj jave t’ia drejtoj fëmijëve tanë, prindërve, mësuesve dhe njëkohësisht vetes time, në raport me fillimin e këtij viti të ri shkollor.
           
Po lexoja mbi vlerën e dijes dhe më tërhoqi vëmendjen një artikull i vitit 1923, nga një autor me emrin H. Xhafer, në revistën “Zani i Naltë”. Ka dy konstatime të kundërta në mes vete, por thellësisht nxitëse për të reflektuar në raportet që ne dhe fëmijët tanë kemi me dijen dhe kërkimin e saj.

Shkruan: “Më të diçmit Myslimantë si i mbaronin Medreset (Universitetat) prapë nuk pushonin, por për me u ba specialistë vazhdonin, e kësi soj gjer sa vdisnin shkonin prej nji specialist ne tjatëri aqë sa bëheshin ma të mëdhenj e të dijshmëve.

Për faqe të zezë të sotshmit, sa mbarojnë një shkollë; librat i flakin dhe për pak kohë harrojnë edhe ato qi kanë kenduem”[3]
 
Të dashurit e mi,
 
Sot, kur mbarë bota islame është ndezur nga sprovat e shumta dhe të panumërta, që po vënë në lëvizje mendjet e dijetarëve drejt gjetjes së zgjidhjeve më të urta, për tejkalimin e këtij pragu, këshilla më e mirë dhe shërbimi më i mirë, që mund t’i bëjmë fëmijëve dhe rinisë tonë është udhëzimi drejt dijes dhe thellimi në të.

Sepse dituria, është rrugë drejt moralit, civilizimit, kulturës, përparimit, rregullimit dhe ndërtimit në tokë, përhapjes së më të mirës (nëse është e shoqëruar me frikën e Zotit), mundësimit të rikthimit tonë në pozitat e krenarisë dhe lavdisë së hershme. Tamam, siç e thotë edhe përkthyesi i shquar i Kur’anit në gjuhën angleze, Marmaduke William Pickthall (1875-1936): “Muslimanët mund ta përhapin civilizimin e tyre me të njëjtën shpejtësi që e përhapën edhe më parë, nëse do të kthehen tek morali që posedonin herën e parë. Sepse kjo botë boshe nuk mund të qëndrojë përpara civilizimit të tyre”[4]

Prandaj, këshilloj veten, fillimisht, ju të dashur nxënës medresistë, mësuesit dhe drejtuesit e nderuar të Medresesë së Shkodrës (krejt medreseve), që ta shfrytëzojmë maksimalisht kohën në shërbim të këtyre qëllimeve të larta.

Mos të na shkojë koha pa dobi dhe të punojmë me sa të kemi mundësi për të ndërtuar një brez me besimtarë të hapur ndaj botës, jo të mbyllur në guacka provinciale a mentatlitete njerëzish që akoma nuk janë çliruar nga komplekset individuale, nga mendësitë shtrënguese, nga angazhimi me gjëra të vogla dhe pa dobi, që natyrshëm e frenojnë zhvillimin normal të fëmijëve dhe rinisë tonë, në mos e kthejnë edhe kundër asaj drejt së cilës përpiqemi të thërrasim, duke i hyrë në hak!?

Të kemi kujdes, në atë që veprojmë dhe shfaqim, sepse përgjegjësia e jonë është e dyfishtë, sidomos kur e jashtmja e jonë të fton drejt fetares, e veprat tona drejt hipokrizisë, Zot na ruaj!?

Medreseja e jonë është amanet i shtrenjtë i brezave dhe i vetë shpirtit të Thirrjes Islame dhe Qytetërimit Islam në këtë vend. Duhet të qëndrojë plot krenari dhe dinjitet, jo të bjerë në nivele provinciale e meskine, që nuk kalojnë as klasën e parë në qytetari, kulturë, dije e largpamësi!

Dijetari i shquar, Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh thoshte se: “Një derhem pasuri ka nevojë për një kuintal mendje. Një derhem dije ka nevojë për dy kuintal mendje”[5]

Të dashur të pranishëm,
 
Kam lexuar se në urtësitë e tij drejtuar mësuesve dhe nxënësve të dijes, dijetari i shquar i shekujve të shkuar, Ibn Xhemaa, në librin e tij të dobishëm, me titull: “Përkujtim për folësin dhe dëgjuesin mbi moralin e dijetarit dhe kërkuesit të dijes”, teksa flet për moralin e nxënësit, thotë: “E treta: Ta shfrytëzojë rininë dhe kohën e tij për të zënë dituri dhe të mos vetëkënaqet me mashtrimet e shprehjes: “do ta bëj” a shpresës në zënien më vonë, sepse çdo orë që kalon nga jeta e tij, nuk zëvendësohet më, as nuk kthehet…”[6]

Prandaj, të dashur e të shtrenjtë medresistë, pash hatrin e Zotit, mos e vrisni kohën tuaj me gjëra të padobishme, por shfrytëzojeni kohën tuaj, në shërbim të diturisë, sepse, sikurse na kanë mësuar dijetarët tanë: “Libri s’ta fal sekretin e tij, po s’e lexove të tërin”[7]
Për shkak të angazhimit të tyre me dijen dhe shfrytëzimin maksimal të kohës, dijetarët e shquar muslimanë, korifejtë e diturisë ndër shekuj, arritën të ishin ata që ishin dhe të jenë pishtarë udhëzimi akoma edhe sot, për krejt ne.

Po lexoja se “Imami, Shejkhul-Islami Ibn Tejmije, që lindi në vitin 661 h. dhe ndërroi jetë në vitin 728 h., 67 vjeç, la pas rreth pesëqind vëllime në vepra”[8], ndërsa “El-Hafidh Ibn Xherir Et-Taberi, Hoxha i mufesirëve, muhadithëve dhe historianëve, vetëm biografia e tij arrinte në 56 faqe të mëdha. Ai lindi në vitin 224 h., ndërroi jetë në vitin 310 h., 86 vjeç.

Dhe po të hiqen 14 vitet e para pjekurisë nga jeta e tij dhe të pjestohen vitet e tjera me trashëgiminë e tij të botuar, do të dalë se për çdo ditë të jetës së tij, ka shkruar nga 14 fletë, ndryshe 358 (treqind e pesëdhjetë e tetë) mijë fletë!

Vetëm “Historia” e tij është shtypur në 11 vëllime të mëdha, ndërsa “Tefsiri” i tij është shtypur në 30 vëllime të mëdha. Ai konsiderohet si një kompleks shkencor, si një shtëpi botuese, përsa i përket shumësisë së botimeve të tij”[9]

Ja, dijetari i shquar Imam Ibn Akil, i cili “ka lindur në vitin 431 h., ndërroi jetë në vitin 513 h., (pra, 82 vjeç), konsiderohet si një ndër inteligjentët e racës njerëzore. Thoshte: “Nuk më lejohet të humbas as një orë nga jeta ime! Edhe nëse më lidhet gjuha për të folur a debatuar, vë në punë mendjen time, edhe në gjendje pushimi, ashtu i shtrirë, saqë kur ngrihem kam çfarë të shkruaj!..”

Ai shkroi një libër të madh, të quajtur: “El-Funun” (Artet), në 800 vëllime, saqë Imam Dhehebiu thoshte: “Nuk është shkruar në këtë botë, libër më i madh sesa ky libër!” Libër në të cilin ka mbledhur e shkruar rreth diturive të ndryshme, si në: tefsir, fikh, usul, gjuhë arabe, poezi, histori etj.”[10]  

Në parathënien e librit të tij, “El-Funun”, Ibn Akili shkruan: “Gjëja më e mirë me të cilën kalohet koha dhe angazhohet nefsi, si dhe afrohet me të te Zoti i Madhëruar, është DITURIA, që të nxjerr nga errësira e injorancës drejt dritës së fesë…”[11]

Dhe shembujt e dijetarëve tanë janë kaq të shumtë, sa nuk do të dilte krejt kjo ditë për t’i renditur e prezantuar, në rrugën e përfitimit nga shembulli i tyre.
 
Po e përfundoj me thënien e mendimtarit Arthur Hamilton (1926 – jeton në ShBA), që shkruan se: “Sikur njerëzit ta parashikonin të vërtetën, do ta dinin se feja islame është zgjidhja e vetme e problemeve të njerëzimit!”[12]

Dhe dijeni se, feja islame, ngrihet mbi dijen, nxit për dije dhe thërret drejt perfeksionimit të saj në vazhdimësi!

Një vit të mbarë shkollor për ju të dashurit e mi!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Medresesë)
Shkodër, më 18 shtator 2015
 

[1] Kur’ani, Err-Rra’d: 19.
[2] Pjesë e një hadithi të gjatë, transmetuar nga Ibn Maxheh dhe daremiu, nga Abdull-llah ibn Amr ibnul-As (r.a).
[3] H. Xhafer, “Vlefta e ditunis”, revista “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë, kallnuer 1923, vit’ i I, f. 122. (Nga kolana “Zani i Naltë”, vëllimi i parë: 1923-1924-1925, botimet KMSH, Tiranë, 2014). (Me përshtatje të lehtë. M.S.)
[4] El-Husejni El-Husejni Muaddi, “Ulema ve hukema minel-garbi ensaful-Islam”, botimi i parë, Damask, 2007, f. 63.
[5] Abdulfettah Ebu Guddeh, “Safahatun min sabril-ulema”, botimi i 8-të, Bejrut, 2005, f. 34.
[6] Po aty, f. 48.
[7] Po aty, f. 34.
[8] Abdulfettah Ebu Guddeh, “El-ulemaul-uzzab”, botimi i 6-të, Bejrut, 2008, f. 164.
[9] Abdulfettah Ebu Guddeh, “Kimetuz-zemen indel-ulema”, botimi i 10-të, Bejrut, 2002, f. 41-44.
[10] Po aty, f. 53-55.
[11] Po aty, f. 55.
[12] El-Husejni El-Husejni Muaddi, “Ulema ve hukema minel-garbi ensaful-Islam”, botimi i parë, Damask, 2007, f. 63.

 


“Gjëja më e mirë me të cilën kalohet koha dhe angazhohet nefsi…”
“Gjëja më e mirë me të cilën kalohet koha dhe angazhohet nefsi…”
“Gjëja më e mirë me të cilën kalohet koha dhe angazhohet nefsi…”