Ceremonia e shpërndarjes
së ihrameve të haxhilerëve shkodranë
14 shtator 2015
Pasditën e së hënës,
më 14 shtator 2015, Myftinia Shkodër,
organizoi ceremoninë e përvitshme të
shpërndarjes së ihrameve të haxhilerëve
shkodranë të këtij viti.
Pas faljes së namazit të iqindisë, me
xhemat, në xhaminë e Parrucës, ceremonia
nisi me mesazhet e dhëna nga teologu
Arben Halluni, i cili theksoi se haxhi
është një adhurim i mrekullueshëm, që
bashkon muslimanët e mbarë botës në një
takim të pashembullt adhurimi dhe
reflektimi mbi jetën dhe realitetet e
ymmetit islam.
Më pas, Myftiu i Malësisë së Madhe, H.
Edmir Smajlaj, dha këshillat e tij për
haxhilerët e këtij viti. Ai u ndal te
stacionet e ndryshme, nëpër të cilat do
të kalojnë haxhilerët, duke porositur
shfrytëzimin maksimal të kohës dhe
shtimin e dhikrit dhe duave, sidomos në
Arefat.
Më pas, të pranishmit i përshëndeti
imami i nderuar, H. Agim Hoxha, i cili
këndoi një ilahi të bukur kushtuar
haxhilerëve, duke dhuruar emocione të
bukura.
Ceremonia vijoi me fjalën e Myftiut të
Zonës të Shkodrës, Imam Muhamed B.
Sytari, i cili tha se aktiviteti i sotëm
ka një mesazh të fortë, që vërteton se
shkodranët dhe shqiptarët nuk ia kanë
kthyer shpinën Islamit të tyre. Ai tha
se nesër, në mesin e miliona haxhilerëve
nga mbarë bota, do ta shohin të gjithë
flamurin tonë kombëtar, teksa valëvitet
në qiejt e vendeve më të shenjta të
botës, duke dëshmuar Islamin e
shqiptarëve.
Më pas, Myftiu bëri një lutje në gjuhën
shqipe, për mbarësinë dhe pranimin e
haxhilerëve të këtij viti.
Ceremonia vazhdoi me leximin e emrave të
22 haxhilerëve shkodranë të këtij viti,
dorëzimin e pasaportave me vizat
përkatëse, ihramin dhe orenditë e tjera
shoqëruese.Të pranishmit, u përshëndetën
me haxhilerët, të cilët, me mbarësinë e
All-llahut, udhëtojnë ditën e nesërme
drejt vendeve të shenjta për kryerjen e
haxhit të sivjetshëm.