Asja…

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Krijuesit të Vetëm të gjithësisë, i Cili e porositi të dërguarin e Tij, Hz. Muhammedin (a.s) me këto fjalë: “Dhe ki durim ndaj asaj që të thonë dhe largohu atyre me maturi”[1] (Dhe “largim me maturi”, sikurse e komentojnë mufesirët e ndryshëm, do të thotë: “distancimi dhe mos bashkëpunimi, pa u shoqëruar me lëndim a hakmarrje…”[2])
           
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili thoshte: “Jam lënduar në rrugën e All-llahut, sa nuk lëndohet njeri. Jam frikësuar në rrugën e All-llahut, sa nuk mund të frikësohet njeri dhe, më kanë ardhur ditë, sa nuk kishim çfarë të hanim unë dhe Bilali, aq sa mund të mbajë nën sqetullën e tij Bilali”[3]
 
Të dashur dhe të nderuar vëllezër besimtarë,

Sprovat e mëdha me të cilat po përballet ymmeti islam kohëve të fundit, janë padyshim të mbushura me dhembje, padrejtësi, fyerje, sharje, mllefe të akumuluara ndër shekuj kundër Islamit dhe muslimanëve, pabesi, lëndime etj.
           
Natyrshëm, në situata të tilla, njeriu arrin në një pikë, që mund të bjerë edhe në pesimizëm, por pikërisht në këtë moment, besimi është ai që kthehet në “varkë shpëtimi”, për ta ruajtur dinjitetin dhe krenarinë e besimtarit, drejt optimizmit dhe triumfit, me mbarësinë e Zotit të gjithësisë.
           
Po bisedoja me një prej teologëve tanë të nderuar rreth kësaj teme dhe, krejt papritur rrymat e mendimit na morën për dore drejt një emri të madh e të nderuar në historinë e njerëzimit, para të cilit të gjithë ne e kemi për detyrë të qëndrojmë me nderim, respekt dhe vlerësim të madh… Ai emër është: ASJA! Asja e bija e Muzahim, e shoqja e Faraonit të kohës së Hz. Musait (a.s)…
           
Por, përpara se të vazhdoj me lidhjen që ka emri i kësaj gruaje të madhe me temën tonë, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj një transmetim të Ibn Abbasit, në të cilin dëshmon se një ditë, Resulull-llahu (a.s) bëri katër vija të drejta në tokë dhe pyeti: “A e dini se çfarë janë këto?” Sahabët thanë: “All-llahu dhe i dërguari i Tij e dijnë” Tha: “Gratë më të mira ndër banorë të xhennetit, janë: Hatixheja, e bija e Khuvejlidit, Fatimeja, e bija e Muhammedit, Merjemi, e bija e Imranit dhe Asja, e bija e Muzahimit, e shoqja e Faraonit”[4]

Të nderuar vëllezër,

Emri i zonjës së nderuar, Asja, përmendet edhe në Kur’an, si një shembull për t’u ndjekur, në rrugën e ruajtjes së dinjitetit dhe krenarisë së besimit, lirisë së mendimit dhe thirrjes së shpirtit.

[E atyre që besuan, All-llahu ua solli shembull gruan e Faraonit, kur ajo tha: “Zoti im, ma bëj një vend pranë mëshirës Tënde, në xhennet dhe më shpëto prej Faraonit dhe brutalitetit të tij, më shpëto prej popullit mizor!”][5]

Librat e historisë tregojnë se Asja u bë muslimane, atëherë kur Hz. Musai (a.s) erdhi në pallatin e Faraonit dhe e ftoi atë dhe popullin e tij në besim. Pas përballjes së profetit me magjistarët e kohës dhe triumfit të tij mbi ta, me lejen e All-llahut, Asja iu dorëzua Dritës së Zotit dhe e pranoi thirrjen e të vërtetës.

Në këto momente nisin kërcënimet dhe torturat ndaj kësaj gruaje të fisme, e cila e kishte pranuar All-llahun me zemër dhe e dëshmonte si Zotin e vetëm të gjithësisë, sikurse dëshmonte se Hz. Musai (a.s) është robi dhe i dërguari i Tij.

“Kur Faraoni mësoi për Islamin dhe besimin e gruas së tij, nisi ta torturonte, që të kthehej nga bindja dhe besimi i saj. Arriti deri aty sa ia lidhi duart dhe këmbët në katër shtylla të vendosura në një vend të hapur, në diell të nxehtë, si ndëshkim… Por, ajo ishte e vendosur, e pathyeshme. Ajo lutej: “Zoti im, ma bëj një vend pranë mëshirës Tënde, në xhennet dhe më shpëto prej Faraonit dhe brutalitetit të tij, më shpëto prej popullit mizor!” Dhe Zoti ia tregoi shtëpinë e saj në xhennet…

E, kur zemërimi i Faraonit arriti kulmin e tij, urdhëroi të vendosej një shkëmb i madh mbi trupin e saj. Nëse do të hiqte dore nga besimi, do të kthehej në shtëpinë e tij e, nëse jo, do të vdiste e shtypur. Dhe, në ato momente, ajo ngriti sytë nga qielli dhe, teksa vështronte shtëpinë e saj në xhennet, e dorëzoi shpirtin e saj të pastër…”[6]

Këtë zonjë të nderuar, Zoti e bëri shembull për ne, në mënyrë që të mos thyhemi për asnjë arsye në këtë jetë! Mos ta prishim besën e fesë tonë, mos ta thyejmë atë dhe të mos tundohemi, sidomos rinia e jonë, përpara ftesave të shumta, me të cilat përballen, në rrugën e zhveshjes nga besimi dhe besa islame!

Ky shembull është një thirrje hyjnore, që “nxit besimtarët të jenë durimtarë në vështirësi; dmth, kur të jeni në vështirësi, mos u bëni më të dobët se gruaja e Faraonit, kur duroi torturat e Faraonit!”[7]

Natyrshëm, shembulli i kësaj gruaje të vendosur, nuk duhet kuptuar se zgjidhja e vetme që kemi përballë vështirësive dhe sprovave, është të lutemi që Zoti të na marrë nga kjo botë drejt xhenneteve; jo! Ky do të ishte një keqinterpretim fatal i këtij ajeti dhe shpirtit të tij!

Asja kërkoi xhennetin, në një moment kulminant, kur dukej qartë se rrugët e kësaj bote para duarve të saj ishin mbyllur dhe se torturat me të cilat po përballej, ishin vija ndarëse ndërmjet besimit dhe femohimit. Dhe ajo zgjodhi besimin dhe lutjen e tij, duke refuzuar femohimin në shoqëri të luksit dhe të jetuarit në pallatin, ndoshta më luksoz të historisë njerëzore!
 
Të dashur vëllezër,
 
Sot, detyra e secilit prej nesh është të bëjë më të mirën për ta jetuar jetën e tij me shembullin islam të jetuarit. Me ndershmërinë, me besën, me pastërtinë, me moralin e lartë, me komunikimin paqësor me këdo, me altruizmin dhe dëshirën e mirë për të ndihmuar në komunitet, me vullnetin e ndërtimit të modeleve të reja, që bëhen udhërrëfyes për tjetrin, kushdo qoftë ai.

Të mërkurën e 10 qershorit 2015, gazeta lokale “Il Tirreno”, në Grosseto të Italisë, shkruan për rastin e një shqiptari të quajtur Durim Mema, i cili kishte pastruar vullnetarisht një pjesë të territorit publik në lagjen e tij. Në intervistën që gazeta zhvillon me të ai, ndër të tjera thotë: “Si muslimanë, e kemi për detyrë të kujdesemi për ambientin ku jetojmë. Dhe konfirmimin për këtë e gjejmë edhe tek citimi i Ebu Hurejrës (r.a), ku tregohet se i dërguari i All-llahut (a.s) ka thënë: “Dhe të heqësh të keqen nga rruga është bamirësi”…”[8]

Në këtë rast, ky person që ka bërë këtë veprim, në pamje të parë shumë të thjeshtë, por ndoshta edhe me pak lodhje, ka arritur të japë shembullin e Islamit dhe muslimanit, pa folur, thjeshtë me veprën e tij. Nëpërmjet këtij veprimi, kushedi sa lexues të asaj gazete në Itali, kanë mësuar dhe kuptuar se Islami qënka edhe mbrojtje e ambientit, edhe pastërti, edhe solidaritet në komunitet, edhe altruizëm…
 
Të dashurit e mi,
 
Sprovat e mëdha të besimit dhe përballjes me një frymë të re të propagandës islamofobe ndaj Islamit dhe muslimanëve, me të cilat po përballen ditë pas dite muslimanët e krejt botës, edhe ne në Shqipëri, po na nxisin përherë e më shumë për të rilexuar fenë tonë, për të riparë secili në veten e tij, se sa musliman real është, se sa është i gatshëm të jetë një thirrës i denjë islam në shoqërinë e tij, se sa i thelluar në dijet dhe kulturën e gjerë islame është etj, etj.

Sprovat e sotme, me të cilat përballemi krejt ne, duhet të na kthejnë përherë e më shumë në origjinën e besimit dhe të fesë tonë, për të na bërë të qëndrueshëm e të vendosur. Sepse ne, nuk kemi nevojë për ta përzier fenë, as për të ndryshuar gjë në të; e ka plotësuar Zoti i botëve!

Sprovat e sotme, po na shtyjnë dita-ditës drejt një zgjimi të pandalshëm, i cili, në vetvete, më jehon si këto fjalë të Hafiz Ali Korçës, në shkrimin e tij me titull: “Me qa a me qesh?”, me të cilat, dua ta mbyll mesazhin tim të kësaj jave:

“Marrim nji letër prej nji miku. Për mos me e turbullue emnin e tij, s’po e shënojmë. Ç’ke me pa atje, s’mbante as dyzet rreshta, por katër orë u mundova gjersa qita nji kuptim të çalë. Përse vallë? Mos qeshni! Në letër, në njëzet fjalë, një e gjeta shqip, të tjerat, frëngjishte, latinishte, anglishte, gjermanishte, greqishte edhe slavishte ndodheshin.

Nëpër to kishte me të rrallë edhe disa turqishte, dy fjalë vetëm arebishte edhe një persishte… Mos më pyetni ç’kam heq!...
Qesha. Përse?

Tu e mentu popullin tonë si në çdo punë ashtu edhe në shkrimt po ndjek një gjurmë të verbët, po ban nj’imitation (taklid) dmth, rreh të bajë si ç’bajnë të tjerët verbërisht, qesha dhe thashë vetë me vehte: o i mjeri njeri sa i çuditshim je, përse nuk po të pëlqen mëma e jote e bukur, por të pëlqejnë shtrigat dhe i vëndos në vënt të nanës tënde dhe i përkëdhel?!”[9]

Vel-hamdu lil-lahi rabbil-alemine.

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e fshatit Muriqan)
Shkodër, më 11 shtator 2015


[1] Kur’ani, El-Muzemmil: 10.
[2] Et-Tahir Ibn Ashur, “Et-Tahrir vet-Tenvir”, ribotim, Bejrut, 2000, vëll. i 29- të, f. 250, me përshtatje të lehtë.
[3] Transmetuar nga Ibn Maxheh, Tirmidhiu dhe Ibn Ebi Shejbe, nga Enesi (r.a).
[4] Transmetuar nga Imam Ahmedi, nga Ibn Abbasi (r.a).
[5] Kur’ani, Et-Tahrim: 11.
[6] Ibrahim Mahmud Abduradi, “Nisaun fi hajatil-enbija”, botimi i parë, Aleksandri, 2006, f. 263-264.
[7] Muhammed ibn Ahmed El-Ensari El-Kurtubi, “El-Xhamiu li ahkamil-Kur’an”, botimi i dytë, Kajro, 1996, vëllimi i 18- të, fq. 193.
[8] Maurizio Bernardini, “Tolgo io l’ammondizia perché ammo questa città”, në gazetën “Il Tirreno”, e mërkure, 10 qershor 2015.
[9] Hafiz Ali Korça, “Me qa a me qesh?”, revista “Zani i Naltë”, nr. 3, Tiranë, maj 1925, vit’ i II, f. 466-470. (Nga kolana “Zani i Naltë”, vëllimi i parë: 1923-1924-1925, botimet KMSH, Tiranë, 2014). (Me përshtatje të lehtë. M.S.)

 


Asja…
Asja…
Asja…