Myftiu: "Të zgjohemi për të jetuar
me dinjitet Islamin tonë!"
04 shtator 2015
Ditën e xhuma, më 4
shtator 2015, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed B. Sytari, mbajti dersin e
xhumasë në xhaminë e Parrucës, ku dha
mesazhe të qarta mbi gjendjen e sotme në
botën islame.
"Ditën e djeshme, Unioni Botëror i
Dijetarëve të Muslimanëve, që e drejton
Shejkhul-Islami i kësaj kohe, Shejkh
Jusuf El-Karadavi, dha një udhëzim, ku
foti të gjithë vaizët dhe hatibët e
botës të flasin mbi vuajtjet dhe
persekutimin e muslimanëve në botë dhe
ata të Sirisë në veçanti.
Prandaj, edhe ne në Shkodër e kemi për
detyrë të bashkohemi me mbarë ymmetin
islam, si një zemër e vetme, në
solidarizim me vuajtjet e mbarë botës
islame, që persekutohet dhe dhunohet
vetëm për shkak të fesë!
Islamofobia, me tentakulat e saj, po
përpiqet me të gjitha mundësitë e saj të
errësojë dritën e Zotit, por këtë nuk e
arrin dot, nuk do ta arrijë asnjëherë,
kurrë nuk ia ka arritur!?
Prandaj ju ftoj sot të lutemi
bashkarisht dhe të zgjohemi për të
jetuar me dinjitet Islamin tonë, edhe
këtu ku jemi, në vendin tonë, në tokën
tonë, në tokën e gjyshërve tanë, që për
pesë shekuj udhëhoqën dhe drejtuan
botën, me drejtësi, dije, humanizëm dhe
kulturë!
Ta refuzojmë persekutimin e fshehtë për
shkak të fesë, që vazhdojmë ta ndjejmë
në situata dhe realitete të ndryshme në
vendin tonë", - tha Myftiu.
Gjatë dersit të tij, Myftiu përmendi
edhe faktin e elementëve persekutues
ndaj muslimanëve shqiptarë, pas vitit
1990, në drejtime të ndryshme, si në
arsim, administratë, në fondet publike,
në drejtim të vajzave muslimane me
hixhab e përtej tyre.
Në dersin e sotëm, Myftiu lajmëroi se
hytbeja e sotme e xhumasë do të mbahet
nga i nderuari, H. Ethem Haliti, nga
Gostivari, një njeri i nderuar që ka
shërbyer në Shkodër, sidomos në vitet e
para të rimëkëmbjes islame, pas vitit
1990.