“Prisja të shihja pranë çdo xhamie,
një fabrikë dhe, pranë çdo minareje, një oxhak!”

Tashmë, që numrin një në klasifikimin e temave për debat në rrjetet sociale (dhe përtej tyre), e ka zënë "birra pa alkool" dhe larmia e ecejakeve, plot tekste e argumente, pyetje-përgjigje e kundërpërgjigje, u ndala për pak dhe, teksa po ndiqja kurbën e këtij "debati", si një shirit dëshmues, para syve më kaluan 25 vitet e fundit, të mbushura me debate e tematika, si kjo e fundit, që kanë zënë kohën e një pjese të mirë të njerëzve, plot "tha" e "thotë".

M'u kujtuan debatet pa lidhje të ditëve të para, të pas vitit '90 rreth disa temave krejtësisht të padobishme dhe nxitëse të përgjumjes intelektuale, si: ajo e pozicionimit të duarve në namaz, rreth tubimit a jo për "mevlud", për mbledhjen a jo për Hatmen e plotë të Kur'anit në Ramazan, për numrin e rekateve të teravisë, për abdestin pa larjen e këmbëve (thjeshtë prekjen me dorë të çorapeve), për thirrjen "amin" me zë të lartë pas imamit, (pas këndimeve me zë), për mosbërjen e dhikreve me xhemat, për... e sa shumë për-e...

Ndërkohë, nga viti 1990, (nga fillimi i nëntorit të atij viti) e në vazhdim, deri sot, (kur po paguajmë haraçet e përgjumjes së elitave tona islame, teksa dëgjojmë mllefe dhe urrejtje kundër Islamit dhe muslimanëve nga megaphone, që shpërndajnë vner falas, ditë pas dite), temat e lartpërmendura vazhdojnë të kërkojnë të imponohen si frymëzime elitare, në mesin e muslimanëve..?!

Pastaj u ndala për pak dhe ktheva kokën nga e kaluara; e largëta e afërt (ajo e 25 viteve) dhe e afërta e afërt (e ditëve dhe muajve të fundit). Ngado islamofobi! Islamofobi e përkthyer në lëvizje politike. Islamofobi e përkthyer në kulture. Islamofobi e përkthyer në investime publike. Islamofobi e përkthyer në hapësira televizive e mediatike!?

Pastaj m'u kujtua rrëfimi i kryemyftiut të Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro (1915-2004), i cili tregon për një bisedë me presidentin e Pakistanit, Ejub Han, gjatë një vizite në Pakistan, (në mbështetje të qëndrimeve të këtij vendi, në lidhje me çështjen e Kashmirit).

Thotë: Presidenti më pyeti: Si të duket Islami në Pakistan?

Ia ktheva: Islami në Pakistan, më duket i dobët!

Tha: Si?

Ia ktheva: Kur e vizitova Pakistanin më parë, gjeta shumë xhami të bukura dhe minare tërheqëse. Tash, pas dhjetë viteve, në këtë vizitë të dytë, prisja të shihja pranë çdo xhamie, një fabrikë dhe, pranë çdo minareje, një oxhak! Po ta gjeja këtë, pas dhjetë viteve nga vizita ime e parë, do thoja se Islami në Pakistan, është ashtu si duhet të jetë! ...

Në fakt, realitetet e ndërlikuara shqiptare, ku janë përzier shumë duar (të papastra, më shumë të papastra, a më pak të papastra), kanë më shumë nevojë se kurrë për investimin tonë në dobi të lartësimit të komunikimit tonë fetar dhe social, si pjesë integrale e këtij vendi.

Është më e pakta, që i detyrohemi Shqipërisë tonë, xhamive të saj, nivelit të komunikimit në mes vete, përpjekjes për të qenë faktor esencial në realitete të vjedhura e të marra peng, kudo përreth nesh!

Pa e ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe të sjelljes në mes nesh dhe përtej komunitetit tonë, do të vazhdojmë të dëgjojmë korba e gjarpërinj të zinj, që nuk reshtin së përmbushuri misionin e tyre shekullor kundër Islamit dhe muslimanëve, në të gjitha mënyrat dhe format e mundshme, legjitime dhe ilegjitime, morale dhe imorale.

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 31. 8. 2015

 


“Prisja të shihja pranë çdo xhamie, një fabrikë dhe, pranë çdo minareje, një oxhak!”