“Mjerë nëna ime për mua,
pse më vështroni në këtë mënyrë?”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, që na udhëzoi drejt respektimit të tjetrit dhe përkujdesjes në Thirrje, kur tha: “Fto për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira...”[1]
           
Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që na nxiti t’i duam krijesat e Zotit, duke na thënë: “Të gjitha krijesat janë robë të All-llahut dhe, më i dashuri i krijesave të All-llahut për Të, është ai që është i dobishëm për robët e Tij”[2]

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë,

“Edukata është ajo që e bashkon ymmetin!”, ishte një nga këshillat dhe urtësitë, që dëgjova një herë nga Hoxha i jonë, Shejkh Ahmed Keftaro, teksa fliste për të sotmen dhe të ardhmen e ymmetit, në një nga derset e tij javore.
           
Në fakt, shkaku kryesor i këtij dersi u bë një bashkëbisedim i papritur me një djalë të ri musliman, shkodran, që jeton jashtë vendlindjes së tij… I riu musliman, kishte një shqetësim. Ndjehej i prekur, sepse, gjatë një vizite të bërë në një nga xhamitë e vendit, nuk ishte pritur si duhet nga drejtuesit e xhamisë, sikurse kishte dëshmuar një sjellje jo normale të tyre ndaj disa turistëve të huaj, që kishin hyrë në xhami, sidomos ndaj njërit prej tyre, që gabimisht kishte shkelur tapetin e xhamisë…
           
Ky bashkëbisedim, (që normalisht, nuk vlen të rrëfehet në detaje, sepse nuk ka dobi), më solli ndër mend disa transmetime të një ngjarjeje të ngjashme, në kohën e Resulull-llahut (a.s), që u përpoqa t’ia shpjegoj edhe të riut musliman, teksa përpiqesha t’ia lehtësoja barrën e fyerjes dhe befasimit për të keq, që kishte pësuar nga njerëzit e gabuar, në vendin e gabuar, në një nga xhamitë tona…
           
Më erdhe ndër mend transmetimi, ku thuhet se: “Një beduin (a’rabi) erdhi dhe urinoi në safallëkun e xhamisë. Njerëzit e kritikuan, ndërsa Resulull-llahu (a.s) i ndaloi. E, kur e përfundoi veprimin e tij, profeti (a.s) kërkoi një enë me ujë, që u derdh mbi të.[3] (mbi papastërtinë)
           
Pastaj, m’u kujtua sesi, i dërguari (a.s), e kishte ndalur këtë beduin dhe i kishte thënë: “Këto vende (xhamitë) nuk janë bërë për të urinuar në to, as për t’u ndotur, por ato janë vende ku i bëhet dhikër All-llahut të Madhëruar, ku falet namazi dhe ku lexohet Kur’ani…”[4]
           
Pastaj më erdh ndër mend një lexim i hershëm në një nga librat e shquar të dijetarit Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh, ku transmetohet se Muavije ibnul-Hakem Es-Sulemi (r.a) tregon ngjarjen e mëposhtme, teksa falej në rreshtat e sahabëve, pas Resulull-llahut (a.s).

Thotë: [Teksa po falesha me të dërguarin e All-llahut (a.s), një person u teshtit dhe unë i thashë: “Jerhamukell-llah”[5], kur disa më bënë shenjë me sy. Ua ktheva: “Mjerë nëna ime për mua, pse më vështroni në këtë mënyrë?”, kur ata nisën të godisnin kofshët me duart e tyre. Dhe, kur më bënë shenjë të mos flisja më, heshta.

Ndërkohë, kur Resulull-llahu (a.s) e kreu namazin, - ju bëfsha kurban me babë e nanë, nuk kam parë kurrë mësues, para tij e pas tij, më të mirë sesa ai. Pasha All-llahun, as më qortoi, as më goditi, as më shau, - më tha: “Kur je në namaz, nuk bën të flasësh fjalët e njerëzve, por namazi është bërë për të madhëruar All-llahun (tesbih), për ta lartësuar Atë (tekbir) dhe për të lexuar Kur’anin”[6]][7]
 
Të dashur besimtarë,
 
Ajo që dua të tërheq vëmendjen nëpërmjet këtij mesazhi, është se ne si muslimanë, jemi të udhëzuar të kemi mëshirë dhe respekt për krejt krijesat e Zotit e, në mënyrë të veçantë ndaj atyre që kanë trokitur në derën e xhamisë!
           
Nuk i lejohet askujt, sado i ditur që t’i duket vetja, t’i mbyllë dikujt derën e xhamisë në fytyrë, as ta nxjerrë prej saj, as ta shajë e ta fyejë në shtëpinë e Zotit! Sepse, xhamitë, janë shenja udhëzimi në tokë dhe udhëzimi nuk është kompetencë e jona, as në dorën tonë.

Pra, ne nuk e dijmë, sa herë që dikush, (jo frekuentues i rregullt, a turist i huaj) hyn nga dera e xhamisë, se përse e ka ftuar Zoti në shtëpinë e Tij?!  
           
Prandaj, ju ftoj të jemi të kujdesshëm dhe të jemi zemërgjerë ndaj njëri-tjetrit, fillimisht, por edhe ndaj atyre që hyjnë rrallë në xhami, a vijnë si jomuslimanë për të parë xhaminë, për ta fotografuar atë, për të pyetur a për të mësuar diçka në të, rreth saj e rreth Islamit.
           
M’u kujtua, se para rreth një muaji, na vizituan vëllezër të nderuar të Bashkësisë Islame “El-Hidaje”, nga St. Galleni i Zvicrës. Së bashku vizituam edhe xhaminë e Plumbit, ku pasi falëm namazin e iqindisë, u ulëm të bëjmë një bashkëbisedim të vyer. Imami i xhamisë nisi të fliste rreth historikut të kësaj xhamie e të tjera biseda të dobishme rreth këtij boshti plot vlera…
           
Diku nga fundi i ndejës tonë, në derën e jashtme të xhamisë u shfaqën një grup turistësh, që teksa afroheshin me derën e brendshme të xhamisë, rregullonin rrobat, flisnin me njëri-tjetrin dhe.., pas pak hynë në pjesën e faltores.

Po i ndiqja me shumë kureshtje dhe doja t’i ftoja të uleshin me ne. Pasi kuptova se flisnin gjermanisht, i thashë njërit prej vëllezërve që të çohej, t’i uronte mirëseardhjen, t’i tregonte diçka rreth historikut të kësaj xhamie, që sapo kishte dëgjuar etj…
           
Pasi vëllau i ynë nisi të fliste me turistët e huaj, të jepte e të merrte me ta, vura re se ata u ndjenë të qetë, u rehatuan në bisedë, bënë ca foto dhe u larguan duke na përshëndetur…
           
Ka shumë rëndësi, se si i prezantojmë vlerat tona, se si komunikojmë me ta dhe, se si e servirim atë që kemi, në dobi të një komunikimi të paqtë ndërfetar, ndërkulturor, ndërislam e përtej tyre.
        
Të dashur të pranishëm,

Në përfundim, dua të sjell në vëmendjen tuaj transmetimin e Ibn Is’hakut, që rrëfen me zinxhirin e tij të transmetimit se një delegacion i të krishterëve të zonës Nexhran, erdhën në Medine tek i dërguari i All-llahut (a.s).
Ata hynë në xhaminë e tij pas namazit të iqindisë, ndërkohë që kishte afruar koha e lutjes së tyre. U rreshtuan për t’u lutur në xhaminë e tij, kur disa njerëz deshën t’i ndalonin, ndërsa Resulull-llahu (a.s) u tha: “Lërini!”[8]
           
Transmetimi në fjalë, që nuk është i vetmi në këtë temë, na mëson se xhamitë janë të hapura për këdo, musliman e jomusliman, që ka një qëllim të mirë drejt tyre, por edhe ndaj kujtdo, që nga padija vepron atë që nuk duhet vepruar në xhami.
           
Në këto kontekste, muslimani duhet të tregojë nivelin e tij të formimit, jo arrogancë e harbuti, as primitivizëm e mungesë edukate, sepse asnjëra prej tyre nuk janë pjesë e personalitetit të muslimanit, e aq më pak e ekipeve që administrojnë dhe mirëmbajnë xhamitë tona.
           
Prandaj ta kemi frikë All-llahun dhe të respektojmë krijesat e Tij, sepse ai që më së shumti i respekton krijesat e Zotit, është më i dashur për Të, sikurse na mësonte Resulull-llahu (a.s).
           
Dhe t’i lutemi All-llahut të Madhëruar të na udhëzojë drejt edukatës në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin, në familje, në rrugë, në shkollë, me muslimanët, me jomuslimanët, kudo e kurdo ku të jemi, sepse: “Edukata është ajo që e bashkon ymmetin!”[9]

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Dersi i mbajtur në xhaminë e Parrucës, para hytbes së xhumasë)
Shkodër, më 28 gusht 2015

[1] Kur'ani, En-Nahl: 125.
[2] Transmetuar nga Tabaraniu në “El-Kebir” dhe në “El-Eusat”, Ebu Nuajmi në “El-Hilje” dhe Bejhekiu në “Esh-Shuab”, nga Ibni Mesudi (r.a), merfu’. Për më shumëe të shihet: Imam El-Axhluni, “Keshful-khafa ve muzilul-ilbas”, botimi i parë, Bejrut, 1997, vëll. I, hadithi nr. 1218, f. 337.
[3] Transmetuar nga Muslimi, nga Enesi (r.a)
[4] Një nga transmetimet e Imam Muslimit.
[5] Në shqip: All-llahu të mëshiroftë. (M.S.)
[6] Transmetuar nga Muslimi, nga Muavije ibnul-Hakem (r.a).
[7] Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh, “Er-Resulul-mual-lim ve esalibuhu fit-ta’lim”, botimi i dytë, Bejrut, 1997, f. 12.
[8] Sipas versionit elektronik të librit: “Zadul-mead”:
/http://www.4muhammed.com/zad_al-Maad/3/84-%D9%82%D8%AF%D9%88%D9%85-%D9%88%D9%81%D8%AF-%D9%86%D8%AC%D8%B1%D8%A7%D9%86-%D8%B9%D9%84%D9%89-%D8%B1%D8%B3%D9%88%D9%84-%D8%A7%D9%84%D9%84%D9%87-%D8%B5%D9%84%D9%89-%D8%A7%D9%84%D9%84%D9%87-%D8%B9%D9%84%D9%8A%D9%87-%D9%88%D8%B3%D9%84%D9%85/
[9] Nga fjalët e dijetarit,  Shejkh Ahmed Keftaro, cituar në hyrje të këtij dersi.

 


“Mjerë nëna ime për mua, pse më vështroni në këtë mënyrë?”
“Mjerë nëna ime për mua, pse më vështroni në këtë mënyrë?”
“Mjerë nëna ime për mua, pse më vështroni në këtë mënyrë?”