Myftiu priti thirrësin islam, H. Burhan Fili
25 gusht 2015
Paraditën e së
martës, më 25 gusht 2015, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti
në një takim të përzemërt, thirrësin
islam, H. Burhan Fili, me banim në
Michigan dhe veprimtari të gjerë në ShBA
dhe përtej tyre.
Fillimisht, Myftiu ka shprehur
kënaqësinë e tij për këtë vizitë të z.
Burhan Fili, të cilin e ka falënderuar
për kontributin e tij, sidomos në
fillimet e rimëkëmbjes së Thirrjes
Islame në Shkodër e Shqipëri, pas vitit
'90.
Nga ana e tij, thirrësi islam, H. Burhan
Fili, ka falënderuar Myftiun dhe
bashkëpunëtorët e tij për angazhimet e
tyre në shërbim të aktivitetit të
larmishëm islam në Shkodër. Ai ka
kujtuar me emocion, momente nga
bashkëpunimi me të nderuarit, Imam Vehbi
Ismaili dhe Shejkh Vehbi Sulejmani, në
kuadër të ndihmës për ripërtëritjen e
Thirrjes Islame në Shkodër, në vitet e
para të rilejimit me ligj të fesë.
Ai ka këshilluar që bashkëpunimi të jetë
sa më i madh, i gjerë dhe
gjithëpërfshirës, në dobi të përhapjes
së vlerave islame në qytetin e Shkodrës.
Më pas, bisedat e ngrohta janë
përqendruar te aktiviteti botues dhe
përgatitjet e Myftinisë Shkodër për
përkujtimin sa më dinjitoz të 25
vjetorit të rihapjes së xhamisë së parë,
pas ndryshimeve politike në vendin tonë,
në vitin 1990.
Me këtë rast, Myftiu e ka ftuar
thirrësin islam, H. Burhan Fili, për të
qenë pjesë e këtij përkujtimi, si pjesë
e aktiviteteve të larmishme në kuadër të
këtij eventi me vlera lokale dhe
kombëtare. Njëkohësisht e ka lajmëruar
të nderuarin H. Burhan Fili për
vullnetin e Myftinisë Shkodër, që
zotëria e tij të jetë një ndër
personalitetet e nderuara në këtë
përvjetor jubilar.