“... më varrosni nën këmbët tuaja,
tek muret rrethuese të Kostandinopojës!”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, i Cili e begatoi historinë e njeriut, me shembullin e sahabëve të Resulull-llahut (a.s), për të cilët tha: “Sa u përket besimtarëve të parë prej muhaxhirëve dhe ensarëve, All-llahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë”[1]
           
Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që na nxiti t’i duam sahabët e tij, duke na thënë: “Nderojini sahabët e mi sepse ata janë më të mirët tuaj!”[2]
 
Të dashur dhe të nderuar vëllezër dhe motra,

Herë pas here, është e dobishme që njeriu të kthehet pas në histori dhe të lexojë me vëmendje për shembullin e të parëve; tre shekujve të parë të begatë, aty ku personazhet janë shembuj dritësues për jetën, për të sotmen dhe të ardhmen, për këtë botë dhe të përtejmen.
           
Tregimet dhe rrëfimet e jetës së tyre janë dritë nga drita e besimit, madje, sikurse kanë thënë prijësit tanë: “Rrëfimet janë ushtarë prej ushtarëve të All-llahut, me të cilët forcon zemrat e të dashurve të Tij”[3]

E, pikërisht, në hytben e sotme, dua të flas për ndodhinë e një sahabiu të dashur...

Dhe, sikurse thoshte Imam Tahaviu: “Ne i duam sahabët e Resulull-llahut (a.s)... Urrejmë këdo që i urren! Dashuria e tyre është fé, besim, ihsan, ndërsa urrejtja e tyre femohim, hipokrizi dhe devijim!”[4] Kështu edhe me këtë sahabi të nderuar, historia e të cilit konsiderohet si një ndër rrëfimet më të bukura nga jeta e sahabëve, e mbushur plot dritë besimi, dashni të pastër udhëzuese dhe qëndrueshmëri në rrugën e përhapjes së vlerave dhe mesazhe të fesë islame.

Ai quhet Halid ibn Zejd ibn Kulejb (r.a), nga fisi Beni Nexhar, nga qyteti i Jethribit...

Jam i bindur se të gjithë ju keni lexuar a dëgjuar për këtë burrë të madh, me një zemër të ndezur dashni dhe mall për Zotin e gjithësisë dhe Resulull-llahun (a.s). Ai thirret ndryshe: Ebu Ejjub El-Ensari (r.a)!

Historia e këtij burri të madh, nis atë ditë, kur i dërguari i All-llahut mbërriti në qytetin e Medines... Të gjithë e prisnin me padurim ardhjen e më të Dashurit... Zemrat e krejtve vlonin nga malli dhe dëshira për t’u takuar sa më parë me Mësuesin... Të gjitha dyert e Medines ishin hapur, me dëshirën e mirë që Resulull-llahu (a.s) të hynte prej tyre...

Por, para se të vinte në Medine, Hz. Muhammedi (a.s) u ndal për katër ditë, në vendin e quajtur Kubâ, rreth dy milje larg Medines. Aty ndërtoi edhe xhaminë e parë, e quajtur ndryshe në Kur’an, si xhamia e “Takva-së”[5], faltorja e përkushtimit! E, pasi e përfundoi, u nis drejt vendit, ku e prisnin zemrat para trupave, malli para zemrës, besimi i palëkundur para mallit...

Dhe erdhi dita e gëzueshme, kur Drita e gjithësisë, mbërriti në dyert e Medines, që atë ditë po përjetonte momentet më të lumtura e më ngazëllyese të historisë së saj...

Ishte dita, kur mori dhenë himni i gëzimit dhe i haresë, nga zemrat e ensarëve, që me lotët e përmallimit këndonin: “Taleal-Bedru alejna...”: “Doli Hana në mes nesh...”, teksa i uronin mirëseardhjen Resulull-llahut (a.s), përmallimin dhe gëzimin e tyre legjitim para duarve të tij...

Të gjithë donin që Zotëria e bijve të Ademit të ndalej në shtëpitë e tyre. Dyert ishin hapur, sa kur kalonte pranë njërës dhe nuk hynte në të, i zoti dhe familjarët mërziteshin nga dëshira e madhe... Ndërsa i dërguari i All-llahut, i qetësonte duke u thënë: “Lëreni, se ajo (deveja) është e urdhëruar”[6]

Të gjithë e ndiqnin me sy, derisa ajo ndaloi në një vend të lirë në mes të shtëpive... Resulull-llahu (a.s) nuk zbriti prej saj, derisa ajo u soll edhe një herë dhe u rikthye tek vendi i parë, ku pushoi, duke sinjalizuar vendin ku do të ndërtohej Xhamia e Pejgamberit (a.s) dhe shtëpia e tij...

Atë ditë, nuk kishte njeri më të lumtur sesa Ebu Ejjub Ensariu (r.a), komshiu më i afërt me tokën, ku ndaloi deveja. Me të parë të Dërguarin (a.s) që po zbriste nga deveja, ai vrapoi drejt tij, duke i uruar mirëseardhjen dhe duke marrë plaçkat e tij, “si të ishin thesaret e krejt botës”[7]... I lumi Ebu Ejjub..!
 
Të dashurit e mi të përmalluar për Resulull-llahun (a.s),
 
Shtëpia e Ebu Ejjubit (r.a) përbëhej nga kati i parë dhe një kat sipër tij, të cilin e pastroi dhe e liroi për të dërguarin e All-llahut (a.s). Mirëpo, Zotëria i jonë, preferoi katin e parë dhe Ebu Ejjubi u bind!

Kur erdhi nata dhe Resulull-llahu (a.s) ra të flinte, Ebu Ejjubi u ngjit lart, mbylli derën dhe iu drejtua të shoqes: E mjera ti, çfarë bëmë kështu?! Resulull-llahu (a.s) të flejë poshtë dhe ne sipër tij në kat të dytë, a bën kjo?! Ne të ecim sipër Pejgamberit tonë?! Të ecim ndërmjet profetit dhe shpalljes hyjnore?! Mjerë ne!! Dhe, burrë e grua, nuk fjetën tërë natën nga halli i madh që i kishte zënë... Madje, edhe kur lëviznin, ecnin në majë të gishtave, për të mos e trazuar të dërguarin e All-llahut (a.s)...

Kjo është edukata dhe dashnia, o vllezër! Ky është shembulli i komunikimit tonë me Pejgamberin (a.s), me hadithet e tij, me jetën e tij, me shembullin e përkryer që la... Kjo është edukata, për të cilën kemi të gjithë nevojë sot, sidomos rinia e jonë!

Të nesërmen, Ebu Ejjubi iu ankua Resulull-llahut (a.s) për gjëndjen e natës së shkuar, dhe i kërkoi shumë falje. – “Nuk mbyllëm sy tërë natën, o i dërguar i All-llahut”, i tha. – “Përse, o Ebu Ejjub?”, iu kthye i Dërguari (a.s). – “M’u kujtua se jam në kat të dytë, ndërsa ti në kat të parë dhe, sa herë do të lëvizja, do të binte pluhuri dhe do të lëndoheshe. Pastaj, unë hyra në mes teje dhe Shpalljes hyjnore?!” – Resulull-llahu (a.s), ia ktheu: “Qetësohu, o Ebu Ejjub. Është më mirë për mua të jem poshtë, sepse njerëzit vijnë pa pushim!”

Dhe kështu ndodhi, derisa një natë... “Ishte natë e ftohtë, kur na u thye një enë me ujë, që nisi të përhapej gjithandej në dysheme. Unë dhe Umm Ejjubi u ngritëm dhe morëm me të shpejtë një mbulesë shtrati, me të cilën përthithëm ujin e derdhur, nga frika se mos do të binte poshtë dhe do të lëndohej i dërguari i All-llahut!

Në sabah, iu drejtova Pejgamberit (a.s) dhe i thashë: T’u bëfsha kurban me babë e nanë, e urrej të jem sipër teje në kat të dytë e ti, të jesh këtu në kat të parë... dhe i tregova ndodhinë e mbrëmshme. Me atë rast, Resulull-llahu iu përgjigj kërkesës time dhe u ngjit lart, ndërsa unë dhe Ummi Ejjubi u ulëm poshtë”[8] – rrëfen sahabiu i mbushur me dashni dhe mall...

Haxhilerëve të këtij viti, ju lutem, kur të shkoni në Medine, pranë varrit të Resulull-llahut (a.s), jepini selam me zemër Zotërisë tonë dhe kur të dilni nga ajo derë, aty, në një cep të afërt përballë minares së Kupolës së Gjelbërt, kujtoni shtëpinë e Ebu Ejjubit dhe çojini selam mikpritësit të Pejgambierit (a.s). Edhe nga unë çojini selam, Resulull-llahut (a.s), Ebu Ejjubit (r.a) dhe krejt sahabëve të dashur, yjeve të kësaj bote..!
 
Të nderuar besimtarë,
 
Në shtëpinë e Ebu Ejjubit (r.a), Hz. Muhammedi (a.s) qëndroi rreth shtatë muaj, derisa u plotësua xhamia dhe shtëpia e tij, ku u shpërngul, duke mbetur komshiu më i afërt me Ebu Ejjubin...

Një ditë të nxehtë vere, sikurse transmeton Ibn Abbasi: “Ebu Bekri doli nga shtëpia drejt xhamisë. Rrugës takoi Omerin, që e pyeti: Ku po shkon në këtë orë, o Ebu Bekër? Ia ktheu: Dola nga uria e madhe! Omeri tha: Pasha All-llahun, edhe mua më nxori uria e madhe drejt xhamisë. E teksa të dy po flisnin, në xhami doli Resulull-llahu (a.s), që i pyeti për shkakun e daljes në këtë orë të ditës, e kur e mësoi shkakun, u tha: “Edhe unë, pasha Atë që ma ka shpirtin në dorë, dola nga uria e madhe. Ejani së bashku të shkojmë tek Ebu Ejjubi”.

Ndërkohë, çdo ditë, Ebu Ejjubi përgatiste ushqim edhe për Resulull-llahun (a.s); nëse vinte, e hante, e nëse jo, ia jepte fëmijëve të tij!”

“Mirë se erdhe, o i Dërguar i All-llahut, me këdo që të jesh!” – tha Ummi Ejjubi, kur pa se kush po trokiste në derë.

“Ku është Ebu Ejjubi?” – pyeti profeti dhe... menjëherë ia behu i zoti i shtëpisë, që po punonte në kopështin e tij, plot hurma. U gëzua shumë dhe pasi i uroi mirëseardhjen miqve të shtrenjtë, i ftoi të uleshin në kopështin e tij dhe menjëherë vrapoi të këpuste disa degë me lloje të ndryshme hurmash... Madje, preu edhe një kec, të cilin e ndau në dy copa; njërën për gatim e tjetrën për pjekje...

Pasi u shtrua ushqimi, Resulull-llahu (a.s) mori një copë mishi të pjekur, e mbështolli me një copë buke dhe iu drejtua Ebu Ejjubit, duke i thënë: “Shpejto me këtë begati për tek Fatimeja, sepse ka ditë që nuk ka ngrënë nga ky ushqim”... E, pasi përfunduan së ngrëni, Resulull-llahu tha: “Bukë, mish, temrun[9], busrun[10] dhe rutabun[11]”. Pastaj i lotuan sytë dhe tha: “Pasha Atë që ma ka shpirtin në dorë, kjo është begatia, për të cilën do të pyeteni për të në ditën e kiametit. E, kur të hani nga këto begati, para se të zgjasni duart, thoni: Bismil-lah, e kur të ngopeni, thoni: Elhamdulil-lah, i Cili na ngopi, na begatoi me mirësitë e Tij”...

Dhe, historia e Ebu Ejjubit (r.a), të dashurit e mi, vazhdon me momente të tjera të mrekullueshme, për të cilat nuk më lejon koha të vazhdoj më tej, por dua të ndalem në fundin e jetës së tij...

Në kalifatin e Muaviut (r.a), Ebu Ejjubi (r.a), asokohe rreth 80 vjeç, u nis me ushtrinë e drejtuar nga Jezidi, drejt Kostandinopojës. Rrugës u sëmur për vdekje. Kur e vizitoi Jezidi dhe e pyeti se ç’mund të bënte për të, Ebu Ejjubi ia ktheu: “Jepi selam prej meje ushtarëve të muslimanëve dhe thuaju, se Ebu Ejjubi ju lë amanet të përparoni në tokën e armikut, të më bartni me vete dhe të më varrosni nën këmbët tuaja, tek muret rrethuese të Kostandinopojës...”, dhe dorëzoi shpirtin e tij...

Sot, varri i Ebu Ejjub Ensariut ndodhet në Stamboll. E kam vizituar disa herë dhe i kam dhënë selam me shumë respekt dhe nderim... Ju betohem se shija e namazit të sabahut në atë xhami ngjan me erën e Medines, bie era dashni për Resulull-llahun (a.s), është erë bese, erë burrërie e mospëruljeje para sprovave të kësaj jete... Dhe, Ebu Ejjubi (r.a), vazhdon të rrezatojë mall dhe dashni, edukatë dhe mirësjellje në hak të Zotërisë së bijve të Ademit...

All-llahumme begatoje Ebu Ejjub Ensariun dhe krejt sahabët e të Dashurit Tënd dhe na bëj të ecim në gjurmët e tyre! Amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 21 gusht 2015

[1] Kur’ani, Et-Teube: 100.
[2] Transmetuar nga Nesaiu, nga Omeri, me isnad të saktë, si në “Faslul-khitab”, f. 22.
[3] Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh, “Safahatun min sabril-ulema”, botimi i tetë, Bejrut, 2005, f. 17.
[4] Shejkh Muhammed Salih el-Garsi, “Faslul-khitab fi mevakifil-ashab”, botimi i parë, Damask, 2006, f. 21.
[5] Nënkuptoj ajetin kur’anor: “Një xhami e cila që prej ditës së parë është themeluar me përkushtim ndaj All-llahut (pa hile), është më e drejtë të falesh në të, aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e All-llahu i do të pastrit” – Kur’ani, Et-Teube: 108. (M.S.)
[6] Kjo pjesë e këtij rrëfimi dhe krejt pjesët e tij, janë marrë nga: Abdurrahman Rafet Basha, “Suarun min hajatis-sahabe”, botimi i parë, Damask, 1994, f. 69-77.
[7] Abdurrahman Rafet Basha, “Suarun min hajatis-sahabe”, botimi i parë, Damask, 1994, f. 70.
[8] Po aty, f. 72.
[9] I thonë hurmës së Arabisë, në përgjithësi. (M.S.)
[10] Lloj hurme, gjysëm e pjekur. (M.S.)
[11] Lloj hurme e butë dhe mishtore, e pranishme edhe tek ne, sidomos në Ramazan. (M.S.)

 


“... më varrosni nën këmbët tuaja, tek muret rrethuese të Kostandinopojës!”
“... më varrosni nën këmbët tuaja, tek muret rrethuese të Kostandinopojës!”
“... më varrosni nën këmbët tuaja, tek muret rrethuese të Kostandinopojës!”
“... më varrosni nën këmbët tuaja, tek muret rrethuese të Kostandinopojës!”
“... më varrosni nën këmbët tuaja, tek muret rrethuese të Kostandinopojës!”
“... më varrosni nën këmbët tuaja, tek muret rrethuese të Kostandinopojës!”
“... më varrosni nën këmbët tuaja, tek muret rrethuese të Kostandinopojës!”