"Me çfarë t'i mahnisim të tjerët?",
ligjërata nga Mr. Muhidin Ahmeti
19 gusht 2015
Ditën e mërkurë, më
19 gusht 2015, pas namazit të mesditës
në xhaminë e Parrucës, Myftinia Shkodër
organizoi një tribunë fetare, ku i ftuar
special ishte studiuesi islam, Mr.
Muhidin Ahmeti, imam i Qendrës Islame
"Mesxhid el-Resul", Wels, AUSTRI.
Në krye të herës, teologu Arben Halluni,
theksoi se emri i studiuesit islam
Muhidin Ahmeti, është i mirënjohur në
Shkodër, për kontributin e madh, që ai
ka dhënë për tetë vite me radhë, në
vitet e para të rimëkëmbjes islame, pas
vitit 1990.
Ai theksoi se ligjërata e sotme është
një mundësi e mirë për të dëgjuar një
trajtesë të përzgjedhur rreth një temë
me vlerë për kohën dhe aktualitetin e
botës islame.
Në ligjëratën e tij, Mr. Muhidin Ahmeti,
pasi falënderoi Shkodrën dhe shkodranët
për mikpritjen dhe bashkëpunimin e
frytshëm, për tetë vite, vlerësoi se
koha e kaluar në Shkodër, ishte një
periudhë e mrekullueshme e jetës së tij,
në shërbim të Thirrjes Islame.
Mr. Muhidin Ahmeti trajtoi një temë
bashkëkohore që lidhet me angazhimin e
muslimanëve për të dalë nga rutina e të
jetuarit pa mendim, pa arsyetim, pa
zemër, pa thellim në dije, pa fuqi e pa
përvetësim të shkaqeve të forcës e
unitetit në jetë.
Në ligjëratën e tij, përmendi ajete dhe
hadithe që tërheqin vëmendjen e
muslimanëve drejt arsyetimit dhe zgjimit
të thellimit për të kuptuar si duhet
fenë dhe rolin që duhet të kenë
muslimanët në jetë, për t'i dhënë kuptim
asaj, me moralin islam dhe virtytet e
thellimit në dije e shkencë.
Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili
falënderoi ligjëruesin e nderuar, Mr.
Muhidin Ahmeti, për temën e dobishme të
mbajtur para të pranishëmve dhe
emocionet e përcjella.
Me rastin e kësaj ligjërate, Myftiu i
dhuroi z. Ahmeti, një ndër botimet e
reja të KMSh, “Bibliografia e gazetës
“Drita Islame”, Janar 1992 – Dhjetor
2011”.
Me shumë emocion, të pranishmit dëgjuan
edhe falënderimin dhe mirënjohjen që
znj. Fahire Ahmeti, bashkëshortja e Mr.
Muhidin Ahmetit, lexoi, duke shprehur
përjetimet e saj gjatë tetë viteve të
jetuara në Shkodër dhe emocionet e
ndarjes prej saj, me rastin e largimit,
para 15 viteve.