Myftiu priti Kryetarin e AAIS, z. Vahid Goga

Ditën e hënë, më 17 gusht 2015, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt, z. Vahid Goga, Kryetar i Shoqatës Islamike Shqiptare Australiane (AAIS), me qendër në Melburn të Australisë.

Gjatë kësaj vizite të përzemërt, z. Vahid Goga e njohu Myftiun e Shkodrës me aktivitetin e AAIS në Australi, që daton nga viti 1963, kur muslimanët shqiptarë ndërtuan xhaminë e parë në Australinë e largët.

Ai tha se muslimanët shqiptarë në Australi kanë organizimet e veta, sidomos me rininë, ku vlen të përmendet bashkëpunimi në mes shoqatave dhe xhamive shqiptare atje, si dhe hapja e një qendre të re rinore.

Me rastin e kësaj vizite, z. Goga e prezantoi Myftiun edhe me revistën "Drita Islame", botim i AAIS, në gjuhën shqipe dhe atë angleze, ku prezantohen aktivitetet e larmishme të AAIS.

Nga ana e tij, Imam Muhamed Sytari, shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë, duke vlerësuar aktivitetin e AAIS, si një djep i shquar edukimi i brezave të shumtë muslimanë shqiptarë në Australi.

Myftiu tha se muslimanët shqiptarë, kudo që janë, e kanë për detyrë ta shtojnë bashkëpunimin në mes vete, si një pikënisje drejt dëshmimit të vlerave të tyre fetare dhe kombëtare, kudo në botë.

Ai e prezantoi mikun e tij me aktivitetin e gjerë të Myftinisë Shkodër, botimet e saj të larmishme dhe përgatitjet për 25 vjetorin e rihapjes së xhamisë së parë pas lejimit me ligj të lirisë së fesë.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe rreth sfidave të ndryshme, me të cilat përballet bashkësia islame në Shkodër, Shqipëri dhe mbarë trojet shqiptare në këtë kohë.

 


Myftiu priti Kryetarin e AAIS, z. Vahid Goga