“Dhe dijeni se bujaria
është një pemë nga xhenneti…”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, i Cili e begatoi veprën e atyre që japin në rrugën e Tij, teksa urdhëroi në Kur’anin Famëlartë: “Çfarëdo që të jepni nga pasuria, e keni për veten tuaj, por, mos jepni për tjetërkë, por vetëm për hir të All-llahut, e çfarëdo që t'u jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t'u kompensohet në mënyrë të plotë, duke mos ju dëmtuar”[1]
           
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili thoshte: “Ai që jep sadeka, qoftë edhe sa një hurmë, nga një fitim i pastër (dhe All-llahu nuk pranon vetëm se të pastrën)[2], All-llahu do ta pranojë atë me të Djathtën e Tij, pastaj do të përkujdeset për të, siç përkujdeset ndonjëri prej jush për këlyshin e tij, derisa të bëhet sa mali”[3] pra, sadekaja e dhënë.

Të dashur dhe të nderuar besimtarë, motra dhe vëllezër,

Nuk e kisha planifikuar që të flisja sot nga ky minber i dashur, tjetër minber kisha në planet e mia për këtë ditë. Por, një mirësi e madhe dhe një risi e bukur, u bë shkak për ndryshimin e planit dhe u kthye në një obligim moral për të dhënë sot, këtë mesazh të javës, nga kjo xhami e shtrenjtë, nga ky minber-këshillë.
           
Mesazhi i kësaj jave lidhet me sadekanë, me dhënien në rrugë të All-llahut, me begatinë e rizkut të atij që jep dhe përfitimet komunitare nga vlera e sadekasë.
           
Ndoshta, shkaku kryesor i kësaj hytbeje erdhi në kohën e duhur, në një moment, kur nga çdo anë, po dëgjojmë e po lexojmë për përpjekjet e shumta që bëhen për ta zhvlerësuar madhështinë e kësaj feje dhe mesazhet e saj qytetëruese, për individin dhe shoqërinë.
           
Po lexoja për pastërtinë në Islam dhe nxitjen që i bëri i dërguari i All-llahut, muslimanëve në Medine, për ta ruajtur pastërtinë, për ta kultivuar atë në familje, në punë, në komunikim.

Për t’u kujdesur për higjienën personale, për t’u pastruar nëpërmjet abdestit, gusulit, për të mos urinuar në ujrat e lumenjve, liqeneve, në det, kudo ku uji shërben për një komunitet njerëzish a përtej tyre.

Dhe, papritur, para syve të mi u shfaq një kapitull, ku shënohej: “Gërmimi i burimeve për ujë të pijshëm dhe hapja e kanaleve për ujë të pastër në Medine”.
           
Po lexoja në librin dyvëllimësh, me titull: “Biografia profetike – bazat e thirrjes dhe të qytetërimit” të historianit të shquar bashkëkohor, Dr. Mervan Shejkhulerd. (Për fat të keq, ende nuk është përkthyer nga arabishtja në shqip).
           
Ndër të tjera, autori thekson se sahabiu: “Talha ibn Ubejdil-lah, gërmoi disa burime uji, të cilat i pajisi me trumba[4] dhe prej këtyre burimeve hapi edhe një kanal për ujin e pijshëm, prej të cilit nisi të mbillej edhe gruri, për herë të parë në Medine”[5]
           
Autori shkon edhe më tej, kur përmend se vetë i dërguari i All-llahut (a.s), “e preferonte ujin e këtyre burimeve dhe i nxiste sahabët të hapnin prej tyre. Nga aty, banorët e Medines merrnin ujë për në shtëpitë e tyre…”[6]

Të nderuar vëllezër dhe motra,

Para pak kohësh, në oborrin e xhamisë tonë, u hap një burim uji, u vendos një trumbë dhe nga ajo ditë, xhamia e Parrucës ka burimin e vet të ujit, prej ku pijnë njerëzit, marrin abdest, si dhe lulëzon kopështi i bukur i xhamisë.
           
Ndërkohë, personi që shpenzoi nga pasuria e tij për ta bërë këtë bamirësi të veçantë në xhaminë tonë, më lajmëroi para pak ditësh, teksa dilnim nga xhamia, pas namazit të sabahut, se kishte porositur të gjitha pajisjet për të bërë një tjetër bamirësi.
Kishte menduar të vendoste një Çezme bamirësie, në një nga cepat e xhamisë, në shërbim të kalimtarëve dhe të gjithë atyre që mund të kenë nevojë për të pirë një gotë uji të pastër e të begatë, nga burimi i pastër i xhamisë tonë.

Sot, menjëherë pas namazit të xhumasë, do ta inaugurojmë së bashku këtë bamirësi të madhe, mesazhi i së cilës është shumë i madh, është shumë i bukur, është shumë bujar. Tamam, si madhështia dhe bukuria e ajetit kur’anor: “dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi”[7]
           
Të dashurit e mi,
 
Realitetet e ditëve tona, kanë nevojë për shembuj pozitivë, si rasti i kësaj bamirësie. Nuk është larg vëmendjes tuaj, bamirësia e po këtij njeriu të dashur për krejt ne, i cili një vit më parë e pajisi xhaminë me një tapet të ri. Atë natë, ishim kaq të gëzuar, sa prag-Ramazani na dukej si një bajram i parakohshëm!
           
Kjo frymë e bukur, ka bërë që në mbarë qytetin tonë të dalin në skenë gjurmët bamirëse të muslimanëve të Shkodrës, të cilët nuk e kanë harruar asnjëherë hakun e Zotit në pasurinë e tyre.  

Nuk e kanë harruar se dhënia në rrugën e All-llahut është bekim për pasurinë, jo pakësim i saj. Ata e dijnë mirë premtimin hyjnor, ku thuhet se: “Shembulli i pasurisë së atyre që japin në rrugën e All-llahut është si i një kokrre që i mbinë shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. All-llahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, All-llahu është Bujar i madh, i di qëllimet.”[8]
           
Me gëzimin e madh të kësaj fryme bamirëse, prita lajmin e gëzueshëm të plotësimit të shumës së madhe për tapetin e ri të xhamisë “Ebu Bekër”, që u grumbullua falë bamirësive të muslimanëve shkodranë. Këtë Ramazan e shijuam me kënaqësi të veçantë namazin mbi tapetin e bujarëve të heshtur muslimanë të Shkodrës!
           
Me gëzimin e madh të kësaj fryme bamirëse, u plotësuan dhe vazhdojnë të plotësohen xhamitë tona; e Tophanës, e Perashit, e Medresesë, e Kirasit, e Dërgutit, e Golemit, e Oblikës, e Shtojit të Vjetër, e Shtojit të Ri, e Bardhajve, e Anës së Malit, e Boksit, e Vilzës, e Shtufit, e Urës së Shtrenjtë, e Barbullushit, e Bushatit, e Gurit të Zi, e Vukatanës, e Kosmaçit, faltorja e Rusit, krejt xhamitë dhe vakëfet tona, ku muslimanët e Shkodrës po tregohen përditë e më shumë duarbardhë dhe zemërdlirë, në rrugën e plotësimit të xhamive dhe vakëfeve me nevojat kryesore dhe lehtësime të ndryshme për besimtarët.
 
Të dashur vëllezër dhe motra,

Më lejoni në përfundim të kësaj hytbeje falënderimi për të gjithë ju, për kontributet e panumërta që ju keni dhënë në përgjigje të ftesave të shumta që kemi bërë ndër vite, në dobi të projekteve a iniciativave bamirëse, si dhe në shenjë mirënjohjeje për të nderuarin Haxhi Besnik Elbasani, mikun e të gjithëve, bamirësin e heshtur, njeriun që e bëri All-llahu shkak për këtë risi të re që po i shtohet Shkodrës; Çezmja e Xhamisë së Parrucës, të sjell në vëmendjen tuaj një fragment nga një hytbe e dashur e Resulull-llahut (a.s).
           
Një hytbe, në të cilën, zotëria i jonë flet për madhështinë e bamirësisë dhe shpirtit bujar. Një mesazh, që duhet ta përvetësojmë në jetë dhe ta bëjmë shprehi, tamam sikurse urdhërohemi në Kur’anin Famëlartë: “Ata, të cilët pasurinë e vet e shpërndajnë (në rrugë të Zotit) natën e ditën, fshehurazi ose haptazi, ata shpërblimin e vet e kanë te Zoti i tyre dhe për ta nuk ka as frikë as pikëllim.”[9]

Një mesazh që na fton të ruhemi nga kopracia në jetë, sepse Zoti i botëve na tërheq vëmendjen duke thënë: “Ata, të cilët bëjnë kopraci me atë që nga të mirat e veta u dha All-llahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre…”[10]

Në këtë hytbe, Resulull-llahu (a.s) iu drejtua sahabëve duke thënë: “O ju njerëz, All-llahu e zgjodhi Islamin si fé për ju. Prandaj, silluni mirë me shoqërinë e Islamit, me bujari dhe mirësjellje. Dhe dijeni se bujaria është një pemë nga xhenneti, degët e së cilës janë në këtë botë. E, kushdo prej jush që është bujar, do të vazhdojë të jetë i kapur pas një dege të kësaj peme, derisa All-llahu ta shpie në xhennet…”[11]

All-llahumme begatoje pasurinë e atyre që japin në rrugën Tënde dhe na bëj të përjetojmë mirësitë e pafund, me të cilat na begatove duke na udhëzuar në Islam! Amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 14 gusht 2015


[1] Kur’ani, El-Bekare: 272.
[2] Në mes të kllapave është pjesë e hadithit.
[3] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.
[4] TRÚMB/Ë,  ̴ A f. sh. 1. Lloj pompe, që futet në pus dhe me anë të një doreze nxjerr ujë. Ujë trumbe. – Të shihet: FJALOR I GJUHËS SË SOTME SHQIPE, Tiranë, 1980, f. 2032.
[5] Dr. Mervan Shejkhulerd, “Es-Siretun-Nebevijje”, botimi i parë, Damask, 2003, vëll. i dytë, f. 339.
[6] Po aty, f. 340.
[7] Kur’ani, El-Enbija: 30.
[8] Kur’ani, El-Bekare: 261.
[9] Kur’ani, El-Bekare: 274.
[10] Kur’ani, Ali Imran: 180.
[11] Transmetuar nga Ibn Asakir, nga Enesi (r.a). Për më shumë, të shuhet: Shejkh Muhammed Jusuf El-Kandehlevi, “Hajatus-sahabe”, botimi i 6-të, Damask, 1993, vëll. i dytë, f. 144.

 


“Dhe dijeni se bujaria është një pemë nga xhenneti…”
“Dhe dijeni se bujaria është një pemë nga xhenneti…”
“Dhe dijeni se bujaria është një pemë nga xhenneti…”