“Pasha All-llahun, ai ishte shumë i ruajtur
ndaj ndalesave të All-llahut…”

 Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të botëve, i Cili e udhëzoi njeriun drejt dijes dhe thellimit në të, që në momentin e parë të zbritjes së Kur’anit, kur tha: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).”[1]
           
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u dërgua mëshirë për të gjitha krijesat; me dije, urtësi dhe zemërgjerësi. Thoshte (a.s): “Me të vërtetë All-llahu dhe melekët e Tij, banorët e qiejve dhe të tokave, edhe bubrreca në vrimën e saj, edhe balena; bien salavat (luten) për atë që i mëson njerëzve të mirën!”[2]

Të dashur vëllezër besimtarë,

Gjatë leximeve mbi temën e diturisë dhe vlerës së saj, më tërhoqi vëmendjen një transmetim shumë interesant, që lidhet me sahabiun e nderuar Ebu Derda (r.a).
Ngjarjen e rrëfen bashkëkohësi i tij, Kajs ibni Kethir, që thotë se një person nga Medineja erdhi ta vizitonte Ebu Derdanë (r.a), kur ai ishte në Damask. Sahabiu e pyeti vizitorin: Për çfarë ke ardhur, o vëllau im? Ia ktheu: Për një hadith të Resulull-llahut (a.s), për të cilin kam dëgjuar se ua mëson njerëzve!
           
Sahabiu tha: Nuk ke ndonjë nevojë tjetër? Udhëtari ia theu: Jo!
           
Sahabiu e pyeti: Nuk ke ardhur për të bërë tregti? Ia ktheu: Jo! Kam ardhur vetëm për këtë hadith!
           
Sahabiu i nderuar vazhdoi: Atëherë, po të them se e kam dëgjuar Resulull-llahun (a.s) duke thënë: “Ai që ndjek një rrugë në kërkim të dijes, All-llahu do ja shtrojë rrugën për në xhennet. Melekët i shtrijnë krahët e tyre për nxënësit e dijes, në shenjë kënaqësie për ta. Për dijetarin kërkon falje çdokush në qiej dhe në tokë, edhe balenat në det! Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit, është si vlera e Hënës përballë krejt yjeve të tjerë. Dijetarët janë trashëgimtarë të profetëve. Profetët nuk lanë trashëgimi dinarë e dirhemë, por lanë trashëgimi dijen! E, ai që u kap pas saj, u kap pas një hiseje të madhe!”[3]
 
Të dashurit e mi,

S’ka dyshim se historia e jonë, është e mbushur me emra të nderuar dijetarësh dhe hulumtuesish, nga më të mëdhenjtë e njerëzimit. Prej atyre, që u peshon emri, dije dhe libra, fetva drite dhe udhëzime me shembullin personal. Prej atyre, që kur ua përmendim emrat, duhet të ngrihemi në shenjë respekti, për mirësinë e madhe me të cilën janë veçuar nga Zoti i gjithësisë, që i bëri pishtarë ndriçues për breza të tërë.
           
E, pa mëdyshje, një ndër këta dijetarë e pishtarë drite, në historinë e ymmetit islam, është edhe tabiiu i nderuar, imami i imamëve fukaha, Ebu Hanife Numani, All-llahu e mëshiroftë e qoftë razi me të!
           
Ebu Hanife, u lind në qytetin e Kufes (Iraku i sotëm), në vitin 80 h., në kohën e kalifatit të Abdulmelik bin Mervanit[4].

Më pas, nga rrëfimet e historisë, mësojmë se i ati i Ebu Hanifes, ishte një tregtar metrazhesh në Kufe, vendin e të cilit e zuri i biri, për një periudhë kohe.

Ebu Hanife “e mësoi Kur’anin përmendësh që në fëmijërinë e tij”[5]

Ky fakt, duhet të tërheqë vëmendjen e muslimanëve të rinj në kohën tonë, të cilët duhet të interesohen që fëmijët e tyre të mësojnë sa më shumë nga Kur’ani, të bëhen hafizë do të ishte edhe më mirë. Sepse, në Shkodër, sikurse në krejt trevat shqiptare, ka qenë traditë që fëmijët dhe të rinjtë të mësojnë Kur’anin përmendësh, a të paktën, aq sa ju nevojitet për kryerjen e ritualeve fetare, si: namazi, lutjet e ndryshme etj.

Prandaj, të dashur besimtarë, t’i orientojmë fëmijët tanë drejt kurseve fetare, pavarësisht se çfarë rruge do të marrin më pas në jetën e tyre. Jo të gjithë hafizët janë hoxhallarë.

Është i njohur për Shkodrën, rasti i të nderuarit Hasan Kaduku (1865-1945), për të cilin dëshmohet se në rininë e tij: “në një kohë të shkurtër rreth tre vjeçare bëhet Hafiz Kur’ani dhe dentist… Ai diplomohet më 1908 dhe kthehet në vendlindje si i pari mjek stomatolog, apo siç njihej ndryshe “mjek dhëmbësh” me diplomë universiteti…”[6]
 
Vëllezër besimtarë,
 
Duke u kthyer me vëmendjen tuaj tek personazhi i kësaj hytbeje, ju ftoj të dëgjojmë së bashku rrëfimin e tij për fëmijërinë e tij, ku ndër të tjera thotë: [E bëra haxhin, bashkë me babën tim, në vitin 96 h., kur isha 16 vjeç. Në Qabe pamë një plak, rreth të cilit ishin grumbulluar njerëz të shumtë. I thashë babës: Kush është ky njeri? Tha: Ky është një sahabi, bashkëkohës i Resulull-llahut (a.s). Quhet Abdull-llah ibnul-Harith ibn Xheze’ Ez-Zubejdi (r.a).

I thashë babës: Çfarë bart me vete nga dija? Tha: Hadithe, të cilat i ka dëgjuar nga Profeti (a.s). I thashë babës: Më afro pranë tij dhe nisi të më afronte, derisa mbërrita para duarve të tij, ku nga ai dëgjova, se Resulull-llahu (a.s) ka thënë: “Ai që mësohet në fenë e All-llahut, Ai do t’ia largojë shqetësimet e tij dhe do ta furnizojë nga s’e pret”][7]

Nga ai moment, Ebu Hanife nis thellimin në dijet e fesë dhe përqendrohet në usuliddin (njohuritë dhe dituritë themelore të bazës së jurisprudencës islame) dhe në debatet me ateistët dhe të devijuarit e kohës së tij. Përmendet, se vetëm në Basra, kishte shkuar “më shumë se 27 herë, në debate të ndryshme dhe mbrojtjen e sheriatit…”[8]

Është me vlerë të lexohet këshilla, me të cilën ai i drejtohet nxënësve të tij të afërt dhe të birit, Hammadit, (që më pas u bë një gjykatës i nderuar dhe një njeri besimtar i përkushtuar), teksa i ndalon të merren me debate.

I biri i thotë: “Ne të kemi ndjekur teksa debatoje, tash po na ndalon?” Ebu Hanife ia kthen: “Ne debatonim, si të kishim pëllumba mbi kokë, nga frika se mos personi që kishim përballë do të rrëshqiste. Ndërsa ju, debatoni, duke dëshiruar që personi që keni përballë të rrëshqasë! Dhe, ai që dëshiron rrëshqitjen e personit në debat, ai ka dëshiruar femohimin e tij. E, kush dëshiron femohimin e tjetrit, ka dalë për vete nga feja, para se të dalë tjetri nga feja!”[9] 

Dhe, teksa ndalem te ky moment kulminant nga këshillat e vyera të Imam Ebu Hanifes, i drejtohem të rinjve të nxituar, në mesin tonë, të cilët, me njohuri të pakta dhe me vrullin rinor, shpesh gabojnë, kur paragjykojnë të tjerët, muslimanë a jo qofshin ata!? Nxitohen, gabojnë, rrëshqasin dhe prishin, në vend që të vlerësojnë kohën e të bëhen dikushi në jetë, me edukatë islame dhe dije të vyer, me shkolla të larta dhe profesione, nëpërmjet të cilave mund të dëshmojnë moralin e Islamit në çdo fushë të jetës, duke dëshiruar për tjetrin atë që dëshirojnë për veten e tyre!
 
Të dashurit e mi,
 
U ndala pak te mësuesit e Imamit Ebu Hanife. Dëshmitë e historisë thonë se ai mësoi nga katër mijë hoxhallarë të ditur, në mesin e të cilëve shtatë sahabe, nëntëdhjetë e tre tabii, ndërsa të tjerët nga pasuesit e tyre.[10]

A nuk është ky fakt, argument i dijes së madhe të këtij burri të madh, nga shtresa e tabiinëve, por edhe një thirrje nga thellësitë e shekujve për secilin prej nesh, që të mos e harxhojmë kohën pa dobi. Vallahi, nuk ka si kërkimi i dijes, takimi me të diturit, dijetarët, përfitimi prej tyre, leximi para tyre (a i lajmeve të tyre), a dëgjimi nga ta.

Prandaj, sot, teksa shumë muslimanë janë hutuar në labirinthet e emërtesave dhe përkatësive medhhebore a jomedhhebore, secili prej nesh ta rregullojë nijetin e tij dhe të përqendrohet tek synimi i dijes dhe fitimi i pëlqimit të Zotit nëpërmjet saj, me dëshirën për të ndërtuar me dije, jo për të ndezur zjarret e përçarjes me dije, në emër të dijes.

Sepse dija, që përdoret për të mbjellur tendosje në mesin e muslimanëve dhe në komunitet, nuk është dije e dobishme, por cytje prej cytjeve të shejtanit!
 
Në përfundim të kësaj hytbeje, dua të ndalem në një moment interesant, kur kalifi i famshëm, Harun Reshidi, kërkon nga Imam Ebu Jusufi, (një prej nxënësve më të afërt të Imam Ebu Hanifes), përshkrimin e Ebu Hanifes.

Ebu Jusufi thotë: “Pasha All-llahun, ai ishte shumë i ruajtur ndaj ndalesave të All-llahut, larg njerëzve të hutuar pas kësaj bote, shumë i heshtur, përherë i menduar. Ai nuk ishte thashethemexhi, as llafazan. Nëse pyetej për një çështje, për të cilën kishte dije, përgjigjej. Dhe, nuk e kam parë ndonjëherë, o prijës i besimtarëve, vetëm se të ruajtur në veten dhe fenë e tij, të zënë me veten, nga njerëzit dhe, të tjerët i përmendte vetëm për mirë!”

Reshidi, pasi e dëgjoi, tha: “Ky është morali i të mirëve!”[11]
 
All-llahu qoftë razi mbi Imam Ebu Hanifen, të cilin e deshta nga dashnia e Hoxhës tim, Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi dhe, të cilin e njoha gjatë leximeve të thelluara, duke nisur nga biografia e mrekullueshme e shkruar dhe studiuar me delikatesë dhe korrektësi shkencore, nga Hoxha i jonë, Shejkh Vehbi S. Gavoçi.

All-llahu i Madhëruar na bashkoftë me imamët tanë në xhennet, nën flamurin e Resulull-llahut (a.s), atë ditë, kur asgjë nuk do të ketë dobi, “vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë”[12]!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Tophanës)
Shkodër, më 7 gusht 2015



[1] Kur’ani, El-Alak: 1.
[2] Transmetuar nga Imam Tirmidhiu.
[3] Transmetuar nga Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.
[4] Vehbi Sulejman Gavoçi, “Ebu Hanifeten-Numan imamul-eimmetil-fukaha”, botimi i 6-të, Damask, 1999, f. 47.
[5] Po aty, f. 49.
[6] Enciklopedia: “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”, botimi i 3-të, Tiranë, 2015, f. 66-67.
[7] Vehbi Sulejman Gavoçi, vep. e cit., f. 49-50, sipas transmetimit të Ebu Jusufit, nxënësit të afërt të Ebu Hanifes.
[8] Po aty, f. 50.
[9] Po aty, f. 51, duke iu referuar librit: “Menakibul-Imam Ebi Hanife”, të Ibn El-Bezaziut, 1/121.
[10] Po aty, f. 57.
[11] Po aty, f. 82, duke iu referuar librit të Imam Dhehebiut mbi jetën e Imam Ebu Hanifes dhe Ebu Jusufit, me verifikim të muhadithit dhe fakihut Shejkh Ebul-Vefa El-Efgani. Botuar në Egjipt, me verifikim të muhadithit dhe fakihut të njohur Shejkh Muhammed Zahid El-Keutheri.
[12] Kur’ani, Esh-Shuara: 89.

 


“Pasha All-llahun, ai ishte shumë i ruajtur ndaj ndalesave të All-llahut…”
“Pasha All-llahun, ai ishte shumë i ruajtur ndaj ndalesave të All-llahut…”
“Pasha All-llahun, ai ishte shumë i ruajtur ndaj ndalesave të All-llahut…”
“Pasha All-llahun, ai ishte shumë i ruajtur ndaj ndalesave të All-llahut…”