Pronat vakëf, Myftiu flet për VOA
06 gusht 2015
Në një intervistë për
"Zërin e Amerikës", të enjten, më 6
gusht 2015, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari, theksoi se
sekuestrimi i pronave të Myftinisë së
Shkodrës dhe mbarë Komunitetit Mysliman
të Shqipërisë, në vitin 1967, ishte një
goditje e madhe dhe e rëndë për Islamin
dhe muslimanët në vendin tonë.
Ai tha, se përtej kësaj, peripecitë e
hasura gjatë 25 viteve të demokracisë,
janë të panumërta, sa vetë numri i
dosjeve të Myftinisë Shkodër, vakëfeve
të patrajtuara ende, që e kalojnë numrin
100 dhe akoma kanë ngelur në pluhur në
sirtaret e institucioneve shtetërore.
Gjatë kësaj interviste, Myftiu tha se
nga viti 2006 e deri më sot, Myftinia
Shkodër ka depozituar pranë ALUIZNI-t,
Shkodër, rreth 60 dosje, për legalizimin
e plotë të krejt xhamive dhe medreseve
të saj.
Myftiu vlerësoi vizitën e sotme të
Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t
të Republikës së Shqipërisë, z. Artan
Lame dhe dorëzimin e dy procedurave të
miratuara, duke e konsideruar këtë si
një fillim të mbarë deri në përfundimin
e plotë të këtij procesi të gjatë e të
vështirë.
Myftiu theksoi se vonimi i deritanishëm
në kthimin e pronave dhe legalizimin e
objekteve, ka ndikuar edhe në financimin
e Thirrjes Islame në Shkodër.
"Kthimi i plotë i pronave tona legjitime
dhe shfrytëzimi i duhur i tyre, do të
rregullonte përfundimisht edhe
financimin e imamëve dhe Thirrjes Islame
në vendin tonë. Kështu, është më e lehtë
të ndërtohen xhami, shkolla, biblioteka,
qendra biznesi, prej të cilave mund të
ndihmohen të varfërit e skamnorët etj.",
- tha Myftiu.