Myftiu priti Drejtorin e ALUIZNI, z. Artan Lame
06 gusht 2015
Ditën e enjte, më 6
gusht 2015, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, priti në një takim pune,
Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t,
të Republikës së Shqipërisë, z. Artan
Lame.
Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi
vlerën e madhe që kanë pronat e shenjta
vakëf për Myftininë Shkodër, si dhe
nëpërkëmbjen e madhe që u është bërë
këtyre pronave në dekadat e fundit.
Myftiu vlerësoi vizitën e z. Lame dhe e
konsideroi atë si një moment të
rëndësishëm, për nisjen e fazës
përfundimtare të legalizimit të plotë të
krejt xhamive dhe medreseve, mbi tokat e
tyre legjitime.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i
ALUIZNI-t, z. Artan Lame, vlerësoi se
pronat e Myftinisë Shkodër dhe të krejt
komuniteteve fetare, duhen respektuar
dhe duhen kthyer në identitet.
Ai tha se procesi i legalizimit duhet të
ishte mbyllur me kohë, por ky proces do
të konkretizohet i plotë, aq më tepër në
rastin e xhamive të reja, që sipas të
dhënave të sakta, janë ndërtuar mbi
gjurmët e xhamive të shkuara, pa shkelur
në prona të huaja.
Me rastin e këtij takimi, z. Lame i
dorëzoi Myftiut të Shkodrës, procedurën
e përfunduar të legalizimit të dy
xhamive, duke theksuar se ky proces sapo
ka nisur dhe se së shpejti do të vijohet
me plotësimin e plotë të kërkesave të
depozituara nga Myftinia Shkodër.
Ndërkohë, në prani të mediave të
pranishme, Imam Muhamed Sytari theksoi
se, pavarësisht faktit se nga viti 2006,
Myftinia Shkodër ka depozituar të gjithë
dokumentacionin e plotë për legalizimin
e rreth 60 objekteve të saj, marrja e
këtyre dy dokumenteve, mbetet një shenjë
pozitive që duhet vlerësuar. "Shpresoj
dhe lutem, që deri më 16 nëntor 2015,
ditën e 25 vjetorit të ripahjes së
xhamisë së Plumbit, të ketë përfunduar
edhe legalizimi i plotë i krejt xhamive
dhe medreseve të Shkodrës.", - tha
Myftiu.