“Zidní”, libri më i ri nga Imam Muhamed B. Sytari

Ramazanin e sivjetshëm, doli në qarkullim libri: “Zidní”, një punim i Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.
           
Libri në fjalë është një përmbledhje me studime islame, ese, intervista dhe mesazhe të autorit, të cilat janë punuar në harkun kohor: korrik 2013 – dhjetor 2014.
           
Libri, në 255 faqet e tij, është ndarë në pesë kapituj, ku autori është përpjekur të pasqyrojë realitetet e përditshme, me të cilat përballet Thirrja Islame në Shkodër, Shqipëri dhe në rrafsh global, si dhe mesazhet përkatëse, që ai jep në raport me situate dhe aktualitetin e jetuar.
           
Në këtë libër, autori, ndër të tjera, ka hedhur dritë mbi tema të larmishme teologjike, ku ka sjellë njohuri dhe argumente të dobishme mbi Kur’anin Famëlartë (f. 15-20), jetën dhe misionin e Hz. Muhammedit (a.s), si mëshirë e dhuruar (f. 32-48), sakrificën dhe modelin e sahabëve në përkushtimin e tyre ndaj të dërguarit të All-llahut (f. 21-31), mbi jetën dhe veprën e Imam Bukhariut (f. 49-54), sikurse risjell në vëmendjen tonë argumente dhe dëshmi të rëndësishme mbi jetën e dijetarit islam të Shkodrës, H. Halid Bushati (f. 55-68).
           
Në parathënien e librit, teksa shpjegon arsyet e titullit të këtij libri, ndër të tjera, autori thekson se: [“Zidní”, në fakt, është një lutje dhe kërkesë e shtrenjtë, që duhet të shoqërojë çdo mysliman në përditshmërinë e marrëdhënies së tij me jetën, me veten, me tjetrin. “Zidní”, është një lutje e shtrenjtë, të cilën All-llahu Mëshirëplotë, ia mësoi më të Dashurit të krijesave të Tij, Hz. Muhammedit (a.s), të cilin e udhëzoi të lutej: “… dhe thuaj: “Zoti im, më shto dituri!” (Kur’ani, TâHâ: 20:114).
           
Po, sepse, në jetën tonë të përditshme, ne kemi nevojë pikërisht për këtë lutje: “Zidní” (më shto!), në raportet tona me dijen dhe vlerat e saj, sidomos kur përballemi me padijen, me antivlerat, me tendencat e ndryshme, që mundohen të përmbysin kupat e arsyetimeve të drejta dhe ideve të goditura, me mendimet e devijuara dhe ato ngacmuese, (që nga njëra anë mundohen të legjitimojnë imoralitetin në mendim e në të shprehur e, nga ana tjetër, përpiqen të sfidojnë heshtjen e zërit tonë si myslimanë në shoqërinë tonë (përtej realiteteve të ngushta të xhamisë), që ka kohë që dëgjohet stonueshëm?!), sepse sikurse kanë thënë të moçmit tanë: “Librat (këtu, dija) janë kështjellat e të mençurve, ku mbrohen dhe lulishtat e të urtëve ku shëtisin”!

Realitetet tona janë nevojtare për më shumë dije, për më tepër urtësi e, mbi të gjitha, për më tepër vullnet për t’u lutur me zemër “Zidní”, në rrugën e ndërtimit dhe mbrojtjes nga prekjet e errësirës së padijes!] – (f.10).

Libri në fjalë, vjen pas një sërë botimesh të autorit, si: “Opinione bashkëkohore islame” (2002), “Përpjekje të dështuara” (2003), [Hap pas hapi me "Udhën Islame"] (2004), “Përhapni për mua, qoftë dhe një fjalë…” (2006), “Kujtime dhe refleksione të një Ramazani” (2007), “Ve alejkes-selam...” (2008), “Rrugëtime të një hatibi” (2009), "Dhe kthehet kjo hëna e re e Ramazanit..." (2009), “Vehbi Sulejman Gavoçi- Dijetar nga dijetarët e ymmetit” (Prishtinë, 2005), “Hafiz Qamil Tresi- Në gjurmët e një biblioteke, që sfidon heshtjen e kohës...” (2006), “Hafiz Musa Hoxha- Vaizi besnik i qitabeve të vjetra” (2009),“Faik Hoxha para pasqyrës së një jete…” (LOGOS-A, 2011), si dhe është autori i bibliografisë: “Bibliografi “Udha Islame” 50 numrat e parë” (2007) etj.

Në prill të vitit 2013, me rastin e tre vjetorit të drejtimit të Myftinisë Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari ka botuar librin me titull: “Nún Pasha Lapsin…”, ndërkohë, në dhjetor 2013, boton librin më të ri të titulluar: “Dëshmitar në Sahar”

Libri “Zidní”, i botuar nga Sh.b. “Focus print”, Shkup, Maqedoni, ka për redaktor shkrimtarin Xhahid H. Bushati. Ndërkohë, kopertina e librit është përgatitur nga kaligrafi i shquar tunizian, Sami Gharbi.

Autorit i urojmë suksese dhe mbarësi në botimin e librave të rinj, në dobi të lexuesit dhe në pasurim të bibliotekës islame në gjuhën shqipe.

Ferzet Ndoja
 
Shkodër, 5 gusht 2015

 


“Zidní”, libri më i ri nga Imam Muhamed B. Sytari