Myftiu, ligjëratë me një grup studentësh
të FRI, Maqedoni

Pasditën e së shtunës, më 1 gusht 2015, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, zhvilloi një ligjëratë fetare me temë: "Muslimani, model udhëzimi në jetë", me një grup studentësh të Forumit Rinor Islam, nga Shkupi i Maqedonisë.

Në këtë vizitë të bërë ditën e sotme, grupi i studentëve drejtohej nga z. Fevzi Musliu, Kryetar i FRI, si dhe nga z. Hasan Baftijari, nën/kryetar i FRI.

Pas faljes së namazit të iqindisë me xhemat, Myftiu ka uruar kryetarin dhe nën/kryetarin e FRI, Shkup, për vizitën në Shkodër.

Më pas, në një ligjëratë të mbajtur për grupin e studentëve të pranishëm, Myftiu ka folur mbi modelin e dijetarëve të shkuar të Shkodrës, në shfaqjen e modelit më të mirë të udhëzimit drejt dijes dhe mirësisë në jetë.

"Teksa flas për një elitë të caktuar të dijetarëve shkodranë, por jo vetëm, në rrugën e udhëzimit dhe qënies së tyre si busulla udhëzimi për tjetrin në jetë, dua të tërheq vëmendjen tuaj se muslimani është njeri i ditur, që nuk e humb kohën e tij me angazhime pa dobi.

Muslimani është njeri dashamirë ndaj tjetrit, kushdo qoftë ai, sepse njeriu është vëlla i njeriut, sikurse na mëson edhe zotëria i jonë, Hz. Muhammedi (a.s).

Dua të përmend shembullin e disa prej hoxhallarëve tanë, të cilët ishin shëmbëlltyra e mësimeve dhe udhëzimeve të Hz. Muhammedit (a.s.) në jetë. Natyrshëm, ju nuk jeni studentë teologjie, ju nuk do të bëheni hoxhallarë, por ju duhet të angazhoheni maksimalisht për të justifikuar përkatësinë tuaj fetare, me dinjitet dhe me krenari legjitime, nëpërmjet arritjeve tuaja në dije nga degët që keni zgjedhur.

Ju, përtej të gjithave, keni mundësinë të jeni modeli i muslimanit të suksesshëm, me veprën tuaj, me shembullin e edukatës dhe moralit tuaj, me fjalën e mirë dhe etikën e komunikimit në jetë", - tha ndër të tjera Myftiu.

Ligjërata është pasuar me këndimin e ilahive të bukura dhe një pjese kur'anore nga dy studentë të përzgjedhur të FRI, që e zbukuruan edhe më shumë këtë takim vlerash.

 


Myftiu, ligjëratë me një grup studentësh të FRI, Maqedoni 
Myftiu, ligjëratë me një grup studentësh të FRI, Maqedoni 
Myftiu, ligjëratë me një grup studentësh të FRI, Maqedoni 
Myftiu, ligjëratë me një grup studentësh të FRI, Maqedoni 
Myftiu, ligjëratë me një grup studentësh të FRI, Maqedoni