Një ditë plot Dritë,
nga gjurmët islame të Shkodrës...
01 gusht 2015
Ditën e shtunë, më 1
gusht 2015, për nder të vëllezërve të
Forumit të Rinjve Muslimanë, nga Zvicra
dhe Austria, të cilët ndodhen për vizitë
në Shkodër nga dita e djeshme, Myftinia
Shkodër kishte përgatitur një program të
larmishëm.
Programi nisi me faljen e namazit të
sabahut në xhaminë e re të "Dy Vajzave",
që me kërkesë të Myftiut, Imam Muhamed
Sytari, u drejtua nga Drejtori i
përgjithshëm i FRM, Mr. Ahmed Mehmedi.
Më pas, Myftiu bëri një përshkrim të
historisë së vakëfit të vjetër të Shaban
efendisë dhe historinë e ndërtimit të
këtij kompleksi bashkëkohor islam, që
mban emrat e dy vajzave kuvajtiane,
"Sara dhe Shehd"...
Më pas, vëllezërit vizituan edhe xhaminë
e re të lagjes Dudas, ku shprehën
kënaqësinë e tyre për këtë ndërtim të
bukur, që e hijeshon Shkodrën duke u
bërë një gjurmë tërheqëse drejt vlerave
islame të këtij qyteti dhe banorëve të
tij.
Pas sofrës së mëngjesit, ku u këmbyen
urime, lutje dhe dhurata simbolike, u
vijua me vizitën e disa vendeve
historike islame të qytetit, ku spikat
vizita e xhamisë së kalasë së Shkodrës
dhe e muzeut të saj.
Gjatë kësaj vizite, u theksua se gjurmët
shekullore islame në Shkodër janë që
para periudhës osmane, por në atë
periudhë të artë, ato lulëzuan dhe morën
hov edhe më tepër.
Mr. Ahmed Mehmedi, shprehu kënaqësinë e
tij të madhe për vizitën e bërë në
xhaminë shekullore të kalasë së Shkodrës
dhe theksoi se kjo gjurmë e shtrenjtë
duhet të ketë vëmendje të përqendruar,
me qëllim rikonstruksionin e saj dhe
shfrytëzimin edhe për qëllime adhurimi,
si në të shkuarën.
Vizita vazhdoi edhe pranë zonës së
xhamisë së Plumbit dhe gjurmëve të
xhamisë së Qafës.
Pjesë e këtij programi në nder të
vëllezërve të FRM-së ishte edhe biseda e
z. Kujtim Dervishi, drejtor i Medresesë
"Haxhi Sheh Shamia", i cili bëri një
përshkrim të arritjeve të deritanishme
të Medresesë së Shkodrës, si një shkollë
elitare në rang kombëtar.
Vizitorët u ndalën edhe tek përmendorja
e komandant Hasan Riza Pashës, si një
simbol i shtrenjtë i Shkodrës dhe
kontributit historik të muslimanëve të
saj në mbrojtje të Shkodrës nga rrethimi
malazez i vitit 1913.
Pas një pushimi të shkurtër, pas drekës
së sotme, vëllezërit e FRM-së e mbyllën
vizitën në Shkodër, me përshtypjet më të
mira dhe me dëshirën e takimeve të
tjera, që forcojnë ndjenjat vëllazërore
dhe rrisin bashkëpunimin e ndërsjellët.