Myftiu i Shkodrës priti studiuesin islam
Mr. Ahmed Mehmedi
31 korrik 2015
Pasditën e së
xhumasë, më 31 korrik 2015, mbërriti për
një vizitë në Shkodër, një delegacion i
Forumit të Rinjve Muslimanë, me qendër
në St. Gallen të Zvicrës.
Në krye të delegacionit ishte studiuesi
islam, Mr. Ahmed Mehmedi, drejtori i
përgjithshëm i FRM, që shoqërohej edhe
nga kryetari i FRM, z. Mustafa Saliu,
shefi i Qendrës për Kërkime dhe Studime
Islame, z. Sulejman Iljazi etj.
Pas faljes së namazit të akshamit në
xhaminë e Parrucës, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari, pasi uroi të
pranishmit për adhurimin e kësaj nate të
re, vlerësoi vizitën e studiuesit islam,
Mr. Ahmed Mehmedi, si dhe delegacionit
të Forumit të Rinjve Muslimanë, nga
Gostivari, me banim dhe aktivitet në St.
Gallen të Zvicrës.
Myftiu tha se kjo është një natë e mirë
dhe një vizitë plot mall e vlera
vëllazërore e diturore. Ai vlerësoi
kontributin e Mr. Ahmed Mehmedit dhe tha
se është në nderin e Myftinisë Shkodër
ta ketë si mik të saj.
Ndërkohë, një fjalë përshëndetëse e
mbajti edhe Hoxha i nderuar, Mr. Ahmed
Mehmedi, i cili shprehu kënaqësinë e tij
për këtë vizitë në Shkodër. Ai tha se
është shumë e rëndësishme të kuptojmë
vlerën e madhe të takimeve në mesin e
muslimanëve shqiptarë nga të gjitha
trevat e tyre, si një familje e madhe
besimi dhe vlerash kombëtare.
Njëkohësisht vlerësoi pritjen dhe
ngrohtësinë e besimtarëve në Shkodër.
Vizita vazhdoi edhe në zyrën e Myftiut,
ku vizitorët u njohën me një historik të
shkurtër të aktivitetit të Myftinisë
Shkodër në 25 vitet e fundit.
Myftiu tha se përtej persekutimit fetar
që pësuan muslimanët në periudhën e
errët ateisto-komuniste, besimi triumfoi
dhe rrezatoi paqe dhe qëndrueshmëri
përballë fortunave të femohimit, që nuk
janë ndalur ndonjëherë.
Më pas, delegacioni i FRM, së bashku me
Myftiun dhe bashkëpunëtorët e tij
zhvilluan një shëtitje në pedonalen e
Bashkisë së qytetit dhe më pas kryen
edhe faljen e namazit të jacisë me
xhemat, në xhaminë "Ebu Bekër".
Pas namazit u zhvillua edhe një
bashkëbisedim me këshilla fetare dhe
lutje të përbashkëta vëllazërore.