“All-llahumme më ruaj nga paaftësia
për të punuar dhe nga dembelizmi..!”
31 korrik 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Zotit të vetëm të botëve, i Cili na
udhëzoi drejt punës dhe sakrificës në
jetë, për të jetuar me bekimet e Tij dhe
për ta shijuar hallallin e pasurisë, që
vjen nga rizku i Tij. Thotë në Kur’anin
Famëlartë: “Ai është që tokën jua bëri
të përshtatshme, prandaj ecni nëpër
pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e
Tij”[1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta,
ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo
ditë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz.
Muhammedit (a.s), i cili lutej:
“All-llahumme më ruaj nga paaftësia për
të punuar dhe nga dembelizmi…”[2]
Të nderuar, motra dhe
vëllezër besimtarë,
Një prej temave të neglizhuara kohëve të
fundit në realitetet e jetës tonë të
përditshme, është pa dyshim edhe puna,
angazhimi për të fituar nga hallalli i
duarve dhe sakrifica për familjen dhe
komunitetin.
Po lexoja një trajtim shumë interesant,
që dijetari bashkëkohor, Shejkh Ali
Esh-Sherbexhi i bën vlerës që ka
shfrytëzimi i kohës në jetën e
muslimanit në drejtim të punës, fitimit
të hallallit, prodhimit, shfrytëzimit të
mundësive të shumta, për të bërë diçka
të dobishme në jetë.
Ndër të tjera, ai thekson: “Fitimi
hallall dhe kërkimi i rizkut nga burimet
e tij legjitime, është një urdhëresë e
detyruar për muslimanin e pjekur, sepse
nëpërmjet punës ai arrin të mjaftojë
veten, familjen, si dhe të shtrijë dorën
e ndihmës ndaj nevojtarit e skamnorit.
Jo vetëm kaq, por edhe të kontribuojë në
zhvillimin e resurseve të vendit të tij,
lulëzimin e jetës dhe realizimin e
mirëqenies!”[3]
Nga këtu, nuk ka sesi të mos gëzohemi
dhe të mbushemi me optimizëm për të
sotmen dhe të ardhmen, kur
Resulull-llahu (a.s) na jep sihariq se:
“Ai që del të punojë për të ushqyer
fëmijët e tij të vegjël, është në rrugën
e All-llahut. Edhe nëse del të punojë
për të ushqyer dy prindit e tij të
moshuar, është në rrugën e All-llahut.
Edhe nëse del të punojë për të ruajtur
veten e tij nga harami, është në rrugën
e All-llahut. Ndërsa ai që del të punojë
për të rënë në sytë e tjerëve, a për t’u
mburrur (plot egoizëm) me punën e tij,
ai është në rrugën e shejtanit!”[4]
Të dashur të pranishëm,
Feja jonë islame na edukon me frymën e
punës dhe sakrificës në jetë.
Transmetohet se Hz. Omeri (r.a) i kishte
thënë një ditë disa të rinjve: “Mos të
frenohet ndonjëri prej jush nga kërkimi
i rizkut, duke thënë: “All-llahumme më
furnizo me rizk”, sepse ju e dini se nga
qielli nuk bie as ar, as argjend!”[5]
E kishte thënë këtë, jo për të ndaluar
lutjet, jo, aspak! Por, për t’i edukuar
të rinjtë se puna dhe angazhimi për të
fituar rizkun hallall është një mirësi e
madhe, që e bën njeriun të jetojë me
nder e krenari në jetën e tij.
Për këtë, Resulull-llahu (a.s) thoshte:
“Ku ka njeri me shpërblim më të madh
sesa ai që shpenzon për fëmijët e tij të
vegjël, duke i mbrojtur nga harami? U
sjell All-llahu dobi prej punës së tij
dhe i mjafton.”[6]
Pra, i ushqen nga puna e duarve të tij
dhe i mjafton nga uria, etja, dhe
nevojat që kanë.
Sot, është e nevojshme që të rinjtë
muslimanë të mos e humbin kohën e tyre,
pa dobi, por të angazhohen e të
sakrifikojnë në kërkim të hallallit.
Sepse ai që punon dhe mbështetet në
All-llahun, ai do të ketë sukses dhe
mbarësi në jetë. Do të punojë pastër, do
të fitojë pastër, do të shpenzojë nga
pasuria e tij dhe nëpërmjet saj do të
arrijë kënaqësinë e Zotit!
Ka shumë të rinj, në ditët tona, që
sillen vërdallë, pa punë, pa dritë
shprese, plot pesimizëm e shpesh edhe
demoralizim, nga mungesa e politikave të
punës dhe zhvillimit të begative, me të
cilat Zoti e begatuar këtë vend.
Nga ana tjetër, ka shumë të rinj
muslimanë, të cilët janë përkushtuar në
zanate e punë të ndryshme, kanë hapur
biznese, sado të vogla qofshin. Shpesh,
këto biznese i etiketojnë edhe me termin
“hallall”. Natyrshëm, muslimani nuk
punon vetëm se hallall, pastër e
ndershëm.
Por, ndoshta, meqë haramet janë përhapur
gjithandej dhe fatkeqësisht edhe në
bizneset e shumë muslimanëve me emër,
këta të rinj janë detyruar të
specifikojnë se puna e tyre është brenda
kufijve të hallallit. Për këtë, ata
duhet të jenë të kujdesshëm dyfish. Së
pari, për vetë punën dhe zanatin e tyre.
Së dyti, për të justifikuar me nder dhe
krenari termin “hallall”, që ia
shoqërojnë bizneseve dhe zanateve të
tyre, Zoti u dhashtë të mbarën!
Sepse ai që hap një biznes dhe i
paraprin emrit të zanatit të tij me
fjalën “hallall”, nëse nuk është korrekt
me veten dhe etikën islame në punë, ai
është më i dëmshëm se pala e parë. Më
qëlloi një ditë të hy në një biznes
“hallalli”. Punëtori i parë që më doli
në ballë, ishte veshur me pantallona të
shkurtra, përtej kufirit të auretit,
mbante një cigare në gojë, teksa
shijonte një këngë që dëgjohej në sfond
nga një manjetofon i hapur, me zë të
lartë..!?
Të dashurit e mi,
Fryma e punës dhe e dobisë nëpërmjet
saj, qëndron në themelet e edukatës së
muslimanit. Resulull-llahu (a.s)
thoshte: “Cilido musliman që mbjell një
fidan, apo një arë, prej së cilës
ushqehet zogu, njeriu a bagëtia, atij do
t’i regjistrohet si sadeka.”[7]
Lexova para disa ditësh se një fshatar,
në një zonë të Turqisë, kishte vendosur
një tabelë të madhe në një cep të arës
së tij, ku kishte mbjellur lloj-lloj
frutash. Në të shkruhej: “Kushdo që
kalon nga kjo arë dhe ha diçka prej saj,
e ka hallall”. Subhanallah, sa bukur. I
lumi ai!
Në tregjet e Damaskut, në shumë tezga,
ku shkon të blesh, do të gjesh tabela të
vogla të vendosura mbi mallrat e
larmishme, ku shënohet: “Provoje, e ke
hallall”!
Prandaj, mesazhi im i kësaj jave i
kushtohet pikërisht nxitjes për të
punuar, për të fituar zanate, për të
kërkuar punë, për të dhënë shembullin
tonë si muslimanë nëpërmjet punës dhe
sakrificës në të.
U them shumë të rinjve besimtarë: Shkoni
dhe mësoni zanate si: gdhendja në dru,
punimi i gurit, zdrukthëtaria, punimi i
hekurit, rrobaqepësia speciale, imtësitë
e elektronikës, kuzhina.
Hapni lokale dhe restorante, pa pije dhe
ushqime të ndaluara dhe, servirni bukur
dhe me shije atë që kërkojnë klientët.
Hapni punishta ëmbëlsirash, sera lulesh
etj, por, çdo gjë që të bëni, bëjeni me
shpirt, me plot përkushtim, respektojeni
klientin dhe nderojeni atë. Mos e lini
të presë atë që ju ka ardhur në
punishte, në dyqan, në lokal, në
restorant a kudo qoftë puna e juaj!
Dhe, asnjëherë të mos kini turp nga ajo
që bëni, sepse çfarëdo që të bëni në
jetë, shoqëruar me besim dhe frikën e
Zotit, është punë e pastër, punë e
hajrit, punë që të nderon.
Për këtë, Resulull-llahu (a.s)
udhëzonte: “Pasha Atë, që e ka shpirtin
tim në dorën e Tij, të marrë ndonjëri
prej jush litarët e tij dhe të lidhë
drunj mbi shpinë, është më e mirë për të
sesa të shkojë e të lypë nga njerëzit;
dikush i jep e dikush jo!”[8]
Gjithashtu, thoshte: “Janë disa gjynahe
që nuk i fshin as namazi, as agjërimi,
as haxhi, as umreja, por i fshin
shqetësimi për kërkimin e jetesës!”[9]
Më lejoni ta përfundoj me një shembull
të mrekullueshëm nga nëna e jonë, Zejneb
bint Xhahsh (r.a) dhe lidhja e saj
me hadithin: “Ajo që më së shpejti do më
ndjekë nga kjo botë, është më bamirësja
ndër ju!”[10]
Hz. Aishja (r.a), nëna e besimtarëve,
tregon se: “… E para grua që ndërroi
jetë pas Resulull-llahut (a.s), ishte
Zejneb bint Xhahsh (r.a)… Ajo punonte me
duart e saj lëkurat dhe jepte sadeka.”[11]
All-llahumme na bëj prej atyre që
dëgjojnë fjalën dhe veprojnë më të mirën
e saj.
Vel-hamdulil-lahi rabbil-alemine!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Perashit)
Shkodër, më 31 korrik 2015
[1] Kur’ani,
El-Mulk: 15.
[2] Imam Hakimi
dhe Bejhekiu, në një hadith të gjatë të
transmetuar nga Enesi (r.a).
[3] Shejkh Ali
Esh-Sherbexhi, “El-erbaunel-mukhtare
fil-fedailid-dinijjeti vel-insanijje”,
botimi i parë, Kuvajt, 2006, f. 394.
[4] Transmetuar
nga Imam Tabaraniu, ndërsa Mundhiru ka
thënë: “Burrat e zinxhirit të tij, janë
burra të hadithit të saktë”.
[5] Imam
Shihabuddin ibn Muhammed El-Ebshihi,
“El-Mustatraf fi kul-li fennin
mustadhraf”, Bejrut, 1981, f. 304.
[6] Transmetuar
nga Imam Muslimi, nga Ebu Kilabe (r.a).
[7] Transmetuar
nga Bukhariu dhe Muslimi.
[8] Transmetuar
nga Bukhariu.
[9] Transmetuar
nga Ebu Nuajmi në “El-Hilje” dhe Ibn
Asakir, nga Ebu Hurejra (r.a). Imam
Sujuti e ka regjistruar në
“El-Xhamiu-Sagir”, me nr. 2461.
[10]
Transmetuar nga Bukhariu, nga Aishja
(r.a).
[11] Nedhir
Mektebi, “Safahatun nejjiratun min
hajatis-sabikat”, botimi i dytë, Bejrut,
1996, f. 157. (Me përshtatje të lehtë të
dy transmetimeve të ngjarjes. M.S.)