“Mos qaj, o Fatime,
sepse All-llahu e ka dërguar babën tënd…”

Falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, i Cili thotë në Kur’anin Famëlartë: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fé”[1]
           
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që na mësoi se: “Kush thotë tre herë në mëngjes dhe në darkë: Jam i kënaqur dhe pranoj se Zoti im është All-llahu, feja ime është Islami dhe profeti im është Muhammedi, është hak i All-llahut ta gëzojë në ditën e kiametit”[2]

Të dashur vëllezër muslimanë,

Falënderimet e panumërta i takojnë Zotit të botëve, All-llahut të Lartësuar, që na udhëzoi në fenë e Tij dhe na bëri të përjetojmë mirësitë e panumërta të këtij udhëzimi të mrekullueshëm.
           
Falënderimet e panumërta i takojnë Vetëm Atij, për të Cilin agjëruam një muaj të tërë, me bindje dhe kënaqësi, me dëshirë dhe vullnet, me besim dhe përmallim për këtë mirësi të madhe të agjërimit, të njohur botërisht edhe nga mjekësia, që dëshmon forcën e besimit dhe mrekullitë e dhuntive hyjnore në jetën tonë të përkohshme.
           
Ndoshta, realitetet e përditshme dhe transforimi i heshtur i shoqërisë tonë, nga një shoqëri me vlera të larta besimi, në një realitet me tendenca të dhunshme ateisto-laiko-islamofobe, (por jo vetëm), po bën që ditë pas dite, muslimanët praktikantë të reflektojnë edhe më shumë për vlerat e kësaj feje dhe domosdoshmërinë e angazhimit për t’u bërë secili prej nesh një thirrës krenar drejt këtij Islami, me të cilin jemi nderuar!
           
Ditë pas dite, personazhe të caktuar, edhe nga qyteti i jonë, dështakë në fusha të ndryshme të jetës, sot, misionarë të islamofobisë (si mundësi për të bërë emër, në një kohë mjegulle, në një shoqëri thuajse të dehur nga hutimi), po mundohen dhe po përpiqen të bëhen dikushi në shoqëri, duke bërë rolin e cytësit, ngatërrestarit, atij që kërkon të mbjellë farën e urrejtjes fetare, duke mbjellur vnerin e tij të brendshëm kundër fesë së tabanit të tij familjar e të mbi 50 % të popullsisë së këtij qyteti me tradita të lashta shekullore islame dhe krejt vendit me një dominancë të ditur islame!?
           
Çfarë nuk kemi dëgjuar e vazhdojmë të dëgjojmë nga ky model i stisur, krejtësisht injorant (jo për emocione), që përpiqet dhe shpreson që ne të biem në nivelin e fetvave komeinite, teksa ai vrapon me tërë forcat e tij për të zënë fillin e litarit të kalbur të banaliteteve rushdite, në dekadencën e tij intelektuale dhe shpirtërore!?
           
Të dashur të pranishëm,
 
Po lexoja[3] rreth formave të Thirrjes Islame në kohët e hershme dhe dëshirën e madhe që kishte Resulull-llahu (a.s) për udhëzimin e njerëzve. Gjeta një transmetim, ku thuhet se: [Tabaraniu transmeton nga Ibn Abbasi, në komentin e ajetit: “E kur të vijë ajo ditë, askush nuk do të flasë, pos me lejen e Tij, e prej tyre (të tubuarve), ka fatzi dhe fatbardhë.”[4] e të ngjashme nga Kur’ani, ka thënë, se: Resulull-llahu (a.s) ishte shumë i kujdesshëm që krejt njerëzit të besonin dhe t’ia jepnin besën në rrugën e udhëzimit. Por, All-llahu i Madhëruar e lajmëroi se nuk do të besonte vetëm se ai, që ishte vulosur më parë nga All-llahu, me lumturi dhe, se nuk do të devijonte, vetëm se ai, që ishte vulosur më parë nga All-llahu, me mjerim!

Pastaj, All-llahu i Madhëruar iu drejtua profetit të Tij (a.s), duke i thënë: “A mos do ta mbysësh ti veten (o Muhammed) pse ata nuk bëhen besimtarë?! Sikur të duam Ne, do të zbritnim një argument (mrekulli) nga qielli mbi ata, e qafat e tyre do t'i rrinin të përulura.”][5]

Pra, nga sa më lart, kuptojmë se muslimani, në cilindo vend a kohë që të jetë, nuk duhet të shmanget nga obligimi i ruajtjes së fesë së tij, nëpërmjet veprës konkrete dhe sjelljes së natyrshme. Madje, të bëhet edhe thirrës islam, duke i ftuar të tjerët drejt besimit dhe madhështisë së tij, moralit islam dhe pasojave fatlume, që ai sjell për individin dhe shoqërinë, ruajtjes nga haramet në ushqim, fjalë e vepra dhe begatisë, me të cilën rrethohen ata që e bëjnë këtë mirësi etj.

Më kujtohet, para ca kohësh, më ishte shkruar të takohem me një person, që ishte rrethuar nga pesimizmi në jetë, deri në atë shkallë, sa kishte menduar disa herë të vetëvritej. Ju dëshmoj, se sot, ai është një njeri, që ka gjetur qetësinë e shpirtit, ka hequr dorë nga e shkuara e tij, është penduar për shumëçka dhe është një musliman i mirë.
Prandaj, duhet të mos neglizhojmë hakun e fesë dhe thirrjes së ndërgjegjshme drejt saj në jetë, është më i madhi hak dhe më i shtrenjti që kemi!
 
Të dashurit e mi,
 
Transmetohet, se një ditë, pasi Hz. Muhammedi (a.s) ishte kthyer nga një udhëtim i tij, kishte hyrë në xhami, të falej dy rekate. E pëlqente shumë këtë gjë; kur kthehej nga udhëtimi, falej dy rekate, pastaj takohej me familjarët e tij.

Dhe, zakonisht, në fillim takonte të bijën e martuar, Fatimen (r.a), dritën e syve të tij, pastaj shkonte në shtëpi, ku takohej me gruan e pjesën tjetër të familjarëve.

Atë ditë, [Fatimja e priti në derë dhe sa e pa, e përqafoi dhe nisi t’i puthte fytyrën dhe sytë, dhe qante. Resulull-llahu (a.s) e pa dhe e pyeti: “Pse qan moj bijë?” Ajo tha: “Të shoh se je zbehur, o i dërguar i All-llahut, të ka ndryshuar ngjyra e fytyrës. Të janë vjetëruar rrobat…” Resulull-llahu (a.s) ia ktheu: “Mos qaj, o Fatime, sepse All-llahu e ka dërguar babën tënd me një çështje, që s’do të mbesë shtëpi, në fshat, qytet e kudo qoftë, mbi faqen e dheut, pa futur All-llahu, krenari a poshtnim nëpërmjet saj, derisa të mbërrijë ku ka mbërritur nata”][6]

Po, krenari për atë, që di të jetojë e të thërrasë me urtësi drejt këtij Islami të begatë! I lumi ai, kushdo qoftë ai!

Poshtnim, për atë që e ka Islamin në gjirin e familjes së tij, trashëgimi e pastër e bindjes së vullnetshme nga shekujt e bardhë dhe, papritur, vendos të largohet prej tij (nga padija dhe mosnjohja e tij), duke shitur fenë për përfitime të ulëta të kësaj bote të përkohshme! Sa mjerë për të, kushdo qoftë ai!
 
Prandaj, të dashur vëllezër, bëhuni gati dhe përhapeni fjalën e mirë, që vjen nga Zoti (xh.sh) dhe Libri i Tij, nga Resulull-llahu (a.s) dhe shembulli i tij personal, kudo që të keni mundësi, pa ndrotje e pa frikë, sepse kjo kohë, është ndër më të mirat e më të përshtatshmet për të mbjellur të mirën, me sa të kemi mundësi.

Dhe, ta dijë secili se vlera e angazhimit drejt Thirrjes Islame, është përpjekje për të ecur në gjurmët e të Dërguarit (a.s). Dhe se: “Thirrësi drejt All-llahut, është mëkëmbës i Resulull-llahut (a.s)… prandaj, thirrësi duhet të jetë në nivelin e bartjes së përgjegjësisë…”[7]

Nga këtu, më lejoni t’ju ftoj drejt shfrytëzimit të kohës, për të lexuar sa më shumë, për të përzgjedhur fjalët, kur flasim, për ta bërë heshtjen aleat, sidomos në ato momente, kur fjala nuk është më vlerë dhe, mos të lëmë pas dore adhurimet ditore dhe dhikrin e Zotit, me rregull e disiplinë. Sepse, kjo jetë i ka ditët e numëruara, sepse njeriu është një krijesë e përkufizuar në mundësi, forcë, dije dhe aftësi.

Prandaj, ta shfrytëzojmë jetën tonë për të qenë shërbëtorë të Fjalës së All-llahut, me krenari, bindje, dije e shumë dashamirësi për këdo në botë!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Plumbit)
Shkodër, më 24 korrik 2015

[1] Kur’ani, Maide: 3.
[2] Transmetuar nga Nesaiu, nga Khalid ibn Harith (r.a), Ebu Davudi, nga Hafs ibn Omer (r.a) etj.
[3] Shejkh Muhammed Jusuf El-Kandehlevi, “Hajatus-sahabe”, botimi i 6-të, Damask, 1993, vëll. i parë, f. 55.
[4] Kur’ani, Hud: 105.
[5] Kur’ani, Esh-Shuara: 3-4.
[6] Transmetuar nga Tabaraniu, Ebu Nuajmi në “El-Hilje” dhe Hakimi, nga Ebu Thalebe El-Khusheni (r.a).
[7] Shejkh Rexheb Dib, “Uddetud-duat”, botimi i parë, Damask, 2000, f. 65.

 


“Mos qaj, o Fatime, sepse All-llahu e ka dërguar babën tënd…” 
“Mos qaj, o Fatime, sepse All-llahu e ka dërguar babën tënd…” 
“Mos qaj, o Fatime, sepse All-llahu e ka dërguar babën tënd…”