Fitër Bajrami, sheshi i Fushë Çelës,
dëshmitar i lavdisë së besimit
17 korrik 2015
Ditën e xhuma, më 17
korrik 2015, në mbarë ymmetin islam u
festua dita e parë e Fitër Bajramit, pas
një muaji të begatë agjërimi, plot
adhurime dhe lutje në kërkim të pëlqimit
të Zotit të gjithësisë.
Në Shkodër, ceremonia kryesore e kësaj
feste, u zhvillua në vakëfin e shenjtë,
bri xhamisë “Ebu Bekër”, në sheshin e
Fushë Çelës, ku u krye fillimisht falja
e namazit të sabahut me xhemat, që u
shoqërua me një program të ndërthurur me
ligjërata, recitime dhe këshilla fetare.
Pas faljes së namazit të sabahut, të
cilin e drejtoi teologu Idmir Plaku,
imam i xhamisë “Ebu Bekër”, ceremonia
nisi me leximin e një pjese kur’anore
nga teologu Nadi Braqi, imam i xhamisë
Dudas.
Më pas, ligjëruan imamët e nderuar,
Idmir Plaku, Naim Drijaj dhe Lavdrim
Hamja, të cilët trajtuan tema që lidhen
me atmosferën shpirtërore pas Muajit
Ramazan, domosdoshmërinë e shfrytëzimit
të festave islame për të ruajtur dhe
konsoliduar lidhjet farefisnore, si dhe
si duhet të jetë muslimani në raport me
vërtetësitë e thelbit të fesë së tij.
Në ligjëratat e tyre të dobishme, imamët
e nderuar dhanë këshilla të vyera për
besimtarët, për të ruajtur frymën e
Ramazanit, për të vazhduar në rrugën e
përkushtimit dhe për të rritur cilësinë
e marrëdhënies vëllazërore në mes vete.
U theksua njëkohësisht se prej vlerave
të Ramazanit ishte edhe shtysa për t’u
tubuar në rrethe të ngushta dhe të
gjera, ku kryefjala e këtyre takimeve
ishte përkushtimi dhe ruajtja e
ekuilibrave në jetë.
Me shumë emocion, të pranishmit dëgjuan
pjesët poetike të interpretuara nga
medresisti Enis Rexha, nga Ulqini, i
cili i dha një shije të veçantë
ceremonisë së këtij Bajrami.
Në orën 06.08, nën drejtimin e Myftiut
të Zonës Shkodër, Imam Muhamed Sytari, u
bë edhe falja e Fitër Bajramit. Pas saj,
nën shoqërinë e tekbireve, Myftiu nisi
të mbajë hytben e rastit, ku dha disa
mesazhe të rëndësishme për besimtarët
muslimanë të Shkodrës.
Në hytben e tij, Myftiu theksoi se
Ramazani nuk ishte thjeshtë një stacion
adhurimi, por një sistem jetese, që na
merr për dore drejt një edukimi të
mrekullueshëm, duke nisur me forcimin e
bindjes së nuk ka Zot tjetër pos
All-llahut, i Cili nuk ka as djalë as
vajzë, as ka lindur prej kujt as ka
lindur kush prej Tij, që nuk ia ka
nevojën askujt dhe asgjëje dhe që çdo
gjë, e njohur dhe e panjohur në këtë
univers, është krijesë e Tij.
Myftiu tha se agjërimi na edukon me
modestinë në jetë dhe shtrimin e rrugëve
që shpien drejt ruajtjes dhe
konsolidimit të paqes sociale.
Ai tha se sot, përtej propagandave të
stisura, ku ditë pas dite atakohet
Islami dhe muslimanët, besimtarët duhet
të ndjehen përherë e më shumë krenarë me
fenë e tyre islame, që është burim
dijeje, qytetërimi, përkushtimi dhe
humanizmi në këtë botë.
Myftiu iu referua edhe historisë sonë
kombëtare, ku theksoi se shqiptarët
duhet të ndjehen krenarë, sepse për mbi
pesë shekuj kanë qenë drejtues dhe
udhëheqës të njërit prej kalifateve më
të spikatur të historisë islame, atij
osman, ku shqiptarët kishin me dhjetra
kryeministra e ministra, dijetarë e
shkencëtarë, që i dhanë dritë e mirësi
kësaj bote.
Për një moment, gjatë hytbes së Myftiut,
në sfond nisën të dëgjoheshin këmbanat e
Kishës Françeskane. Këtu, Myftiu e
ndaloi hytben e tij duke thënë: “Prej
vlerave të besimit tonë është edhe
respekti ndaj tjetrit, edhe respekti
ndaj këtyre këmbanave që bien, për një
fé tjetër, që nuk është feja e jonë,
mirëpo që i respektojmë dhe, po e ndaloj
për pak çaste predikimin në respekt të
vëllezërve tanë të krishterë dhe
këmbanave të tyre”.
Myftiu ka bërë thirrje edhe për afrimin
e mëtejshëm të muslimanëve shkodranë me
Kur’anin Famëlartë, me leximin dhe
kuptimin e tij dhe veshjen me moralin
dhe shpirtin e tij të mrekullueshëm.
Në përfundim, Myftiu është lutur për të
pranishmit, për Shkodrën, për Shqipërinë
dhe mbarë ymmetin islam, që Zoti t’i
begatojë e t’u dhurojë mëshirë, paqe e
begati.
Dita e Fitër Bajramit ka shënuar një
pjesëmarrje të madhe të besimtarëve të
moshave të ndryshme, veçanërisht të
rinisë shkodrane.