Mesazhi i Myftiut të Shkodrës
me rastin e Fitër Bajramit 1436/2015
16 korrik 2015
Të dashur
dhe të nderuar, motra dhe vëllezër
muslimanë,
Të dashur bashkëqytetarë të Shkodrës,
Edhe pak orë na ndajnë nga iftari i
fundit i këtij Muaji të begatë, në të
cilin përjetuam mrekulli të shumta të
besimit dhe gjendjes së afrimit me Zotin
e gjithësisë, nëpërmjet agjërimit me
bindje dhe përkushtim, adhurimeve të
ditës e të natës, pesë namazeve ditore,
20 rekateve të përnatshme të teravisë,
Hatmes Sherife të Kur’anit Famëlartë,
sadekave dhe zekatit, sofrave
kuptimplota të iftarit me shtresat e
ndryshme të shoqërisë, lutjet dhe
përgjërimet e Natës së Kadrit etj.
Kushdo që ka shpresuar në faljen dhe
mëshirën e Tij, e ka pasur mundësinë ta
gjejë atë dhe ta fitojë, në këtë
periudhë njëmujore, të mbushur me begati
hyjnore për shpirtin dhe jetën e secilit
prej nesh!
Ky Fitër Bajram, si një festë madhore e
mbarë ymmetit islam, i gjen muslimanët e
mbarë botës në krahët e sprovave të
mëdha jetike, fetare, politike,
identitare, kulturore, ekonomike,
komunitare e përtej tyre.
Ky Fitër Bajram, me mesazhet e
mrekullueshme të fituara gjatë Muajit
Ramazan, është një ftesë hyjnore dhe një
tërheqje vëmendjeje për të shikuar më me
përparësi në thelbin e fesë islame në
shoqëritë tona.
Është një ftesë, që çdo musliman të
meditojë në mirësitë e fesë së tij dhe
të bëjë disa krahasime me propagandën
thuajse të përditshme, që bën rolin e
zhurmuesit, për ta prezantuar fenë e tij
si koka e të keqes globale!?
A është vallë Islami ynë nxitës i
shkatërrimit, dhunës, shkeljes flagrante
të drejtave elementare të njeriut,
frikësues i popujve dhe terrorizues i
tyre, siç, një grup i caktuar njerëzish
me maskë mashtruese, mundohet ta
prezantojë sot Islamin, në rolin e
misionarit të suksesshëm të mashtrimit
dhe terrorizimit të krejt globit?!
A mund të jetë dhuna, terrori, frika,
kërcënimi, përbaltosja e vlerave të
tjetrit, vrasja me gjakftohtësi, dhunimi
i objekteve të kultit joislam dhe
tmerrimi i jomuslimanëve, identitet i
pasuesve të Kur’anit, që nxit: “Njerëzve
t’u flisni mirë”, “Dhe veproni të
mirën”, “Hyni të gjithë në hapësirat e
paqes”, “Mos polemizoni me pasuesit e
Librit, vetëm se me atë që është më e
mira” etj?
A mund të jetë kërcënimi i tjetrit me
jetë, vrasja e të pafajshëmve, dhunimi i
grave, fëmijëve, gjurmëve të dijes e të
kulturës, identitet i atyre, që pasojnë
Hz. Muhammedin (a.s), që thoshte: “Unë
jam njeriu më i afërt me Isain, birin e
Merjemit”, “Musliman është ai, prej
dorës dhe gjuhës së të cilit, muslimanët
janë të shpëtuar”, “Krejt krijesat janë
robë të All-llahut. Më i dashuri i tyre
për All-llahun është më i dobishmi i
tyre për robët e Tij”. U ngrit në këmbë
përpara xhenazes së një të vdekuri dhe,
kur i thanë se ishte hebre, u përgjigj:
“A nuk është njeri?!”
“Shkoni se jeni të falur”, - u tha
mekasve jomuslimanë, që e lënduan pa
masë, ditën e çlirimit të saj.
“Unë shpresoj që nga mesi i tyre të
dalin besimtarë…”, - ishte përgjigjja e
tij, atë ditë kur i lënduar dhe i
gjakosur nga femohuesit e qytetit Taif,
i përgjigjej melekëve që kishin ardhur
ta shkatërronin atë popull!
Fitër Bajrami i këtij viti, në këto
kontekste historike globale, merr një
dimension edhe më të rëndësishëm, teksa
bëhet një thirrës i sinqertë drejt
vlerave të vërteta islame; afrimin e
muslimanëve me njëri-tjetrin mbi baza
dijeje, harmonie, vëllazërimi ndërtues,
bashkëpunimi në të mirë të komunitetit
dhe të vetë shoqërisë.
Është folur këto ditë për frikën e
radikalizmit islam në botë. Shumëkush me
naivitet a jo, ka rënë pre e këtij
mashtrimi global, në emër të Islamit.
Shumëkush është ngritur për të zhvilluar
konferenca, takime, seminare. Shumë mirë
kanë bërë. Edhe më shumë konferenca të
tilla të zhvillojnë, sepse nëpërmjet
arsyetimit dituror, argumenteve burimore
dhe leximeve bashkëkohore, do të
vërtetohet se një fé, që në thelb të
emrit të saj ka paqen dhe ndërtimin e
urave të komunikimit të shëndoshë
njerëzor, dialogun dhe pranimin e
tjetrit, nuk mund të jetë burim terrori,
dhune dhe shkatërrimi.
Diellit nuk mund t’i thuash burim
vetimash dhe gjëmimesh, se ca re të zeza
kalimtare i kanë zënë dritën dhe
madhështinë e tij dhe hiqen si rrezatim
lartësishë.
Kështu po ndodh edhe me Islamin, sot në
mbarë botën!
Fitër Bajrami është ditë gëzimi, ditë
adhurimi, ditë faljeje, ditë vizitash
dhe takimesh, në të cilat, kemi përherë
mundësinë e madhe për t’u dëshmuar
muslimanë krenarë me fenë tonë; njerëz
të pastër e ndërtues, larg injorancës
dhe përherë e më shumë më afër të gjithë
atyre që e duan paqen dhe vërshojnë
drejt saj, qoftë edhe në drejtime, që
shpesh na ndajnë në këtë rrugëtim të
gjatë njerëzor.
Me zemër të mirë Fitër Bajramin!
Zoti ju bekoftë e ju dashtë!
Imam
Muhamed Sytari,
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 16 korrik 2015 / 29 Ramazan
1436