Ekspozita e mrekullive të Kur'anit,
në xhaminë e "Dy Vajzave"
15 korrik 2015
Pasditën e së
mërkurës, më 15 korrik 2015, Myftinia
Shkodër në bashkëpunim me AIITC (Aiitc -
Instituti Shqiptar i Mendimit dhe
Qytetërimit Islam), organizuan një
aktivitet shkencoro-kulturor në xhaminë
e "Dy Vajzave".
Me rastin e kësaj dite të begatë të
Ramazanit, AIITC kishte sjellë
ekspozitën e mrekullive të Kur'anit, që
tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të
interesuar për të mësuar më shumë rreth
kësaj teme.
Në emër të AIITC, fjalën e rastit e
mbajti z. Alban Kodra, i cili theksoi se
kjo ekspozitë ka një vlerë të madhe,
pasi pasqyron mrekullitë shkencore të
Kur'anit, në një format shumë të lehtë e
të përshtatshëm për t'u lexuar e
vizituar nga të interesuarit.
Ndërkohë, imami i xhamisë së "Dy
Vajzave", teologu Lavdrim Hamja,
falënderoi bashkëpunimin e Myftinisë
Shkodër me AIITC, duke theksuar se
aktiviteti i sotëm vjen si një kurorë e
bukur, në fund të këtij muaji të mbushur
me aktivitete të larmishme.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga Myftiu
i Zonës Shkodër, Imam Muhamed Sytari, i
cili pasi falënderoi kontributin e AIITC
në mbledhjen dhe përgatitjen e kësaj
ekspozite të vlefshme, tha se prej
kohësh shkencëtarët perëndimorë po
udhëzohen në Islam nëpërmjet studimit të
këtyre mrekullive kur'anore. Ai përmendi
dijetarin Krisi Morrison, i cili në një
prej librave të tij të titulluar:
"All-llahu shfaqet në kohën e shkencës",
flet pikërisht për fenomenin e udhëzimit
në Islam të dijetarëve të shumtë,
specialistë të fushave të ndryshme të
shkencës.
Pas faljes së namazit të akshamit me
xhemat, për të pranishmit u shtrua një
iftar i mbështetur nga AIITC, si dhe u
shpërndanë disa libra botime të
Institutit Shqiptar të Mendimit dhe
Qytetërimit Islam.