Iftari tradicional i Kryetarit të Bashkisë Shkodër

Mbrëmjen e së martës, më 14 korrik 2015, z. Lorenc Luka, kryetar në detyrë i Bashkisë Shkodër, organizoi iftarin tradicional të Bashkisë Shkodër, në nder të muajit Ramazan.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Luka theksoi se ky iftar është shenjë respekti dhe nderimi për besimtarët muslimanë, që agjërojnë me përkushtim muajin Ramazan.

Njëkohësisht, përmendi momente të spikatura të drejtimit të tij të Bashkisë Shkodër në bashkëpunim me Myftininë. Ai tha se për një drejtues të Bashkisë është shumë e rëndësishme të ketë frymën e bashkëpunimit me institucione, me të cilat bashkëpunon në dobi të projekteve të ndryshme sociale.

Në këtë iftar tradicional ishte i pranishëm edhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed Sytari, i cili vlerësoi këtë traditë të bukur, të nisur nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, në nder të muajit të agjërimit dhe besimtarëve agjërues.

Myftiu falënderoi kontributin e madh e të vlerësuar të z. Lorenc Luka, sidomos në bashkëpunimet e frutshme me Myftininë Shkodër.

Me rastin e këtij iftari, Myftiu i dhuroi z. Luka një kopje të përkthimit të kuptimeve të Kur'anit në gjuhën shqipe, në shenjë respekti për këtë traditë të bukur të Bashkisë Shkodër dhe vetë z. Lorenc Luka.

Myftiu theksoi, se përtej faktit të përfundimit të mandatit të kryebashkiakut të Shkodrës, z. Lorenc Luka do të mbetet mik i shtrenjtë dhe i mirë.