“A nuk po na thotë sheshit
se unë jam fjala e Zotit…”!?

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Krijuesit të Vetëm të gjithësisë, i Cili e bëri Natën e Kadrit, shenjë mrekullie, që lidhet me Fjalën e Tij, me Librin e fundit Kur’anin, në të cilin thotë: “Është e vërtetë se ky Kur'an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.”[1]

Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili thoshte: “Mjerë ai që thotë: Kam harruar këtë ajet a atë ajet! Atij i është fshirë nga kujtesa! Përsëriteni Kur’anin, sepse ai largohet nga gjokset e burrave, më shpejt sesa devetë!”[2]
 
Të dashur dhe të nderuar vëllezër besimtarë,
 
Tashmë që përshpirtësia e Natës së Kadrit ka nisur të sillet në orbitën e zemrës dhe shpirtit të secilit prej nesh, ajetet kur’anore dhe hadithet e ndryshme profetike, që na nxisin për të ruajtur një marrëdhënie të rregullt dhe të shëndoshë me Kur’anin Famëlartë, janë të shumta.

Gjatë këtyre ditëve, teksa jemi të tubuar në mexhlisin e Hatmes Sherife, shpesh, teksa ndalemi dhe komentojmë, analizojmë a shpjegojmë ajete të ndryshme, që përmbajnë ngjarje, këshilla, urdhëresa, ndalesa etj, më vjen ndër mend paralajmërimi i Resulull-llahut (a.s), që thoshte: “Do të dalin ndër ju ca njerëz, që do të keni neveri nga namazi i tyre, në krahasim me namazin tuaj, edhe nga agjërimi i tyre, në krahasim me agjërimin tuaj, edhe nga veprat e tyre, në krahasim me veprat tuaja. Ata e lexojnë Kur’anin, por ai nuk e kalon kufirin e fytit të tyre!? Ata dalin nga feja, siç del shigjeta nga preja…”[3]

Nga këtu, më lejoni të pyes: A e lexojmë ne Kur’anin me meditim dhe me dëshirë për ta përvetësuar shpirtin e tij në jetën tonë të përditshme?

Por, përpara këtij momenti kulminant, a e kemi kapërcyer ne pragun e besimit me bindje se ky Libër është Fjala e mrekullueshme e Zotit të botëve, udhërrëfyes për ne dhe jetën tonë?

A jemi sot në gjendje ta këshillojmë veten tonë me porosinë kur’anore, me të cilën Zoti i gjithësisë i drejtohet të dashurit të Tij, Hz. Muhammedit (a.s): “Përmbaju asaj që po të shpallet, s'ka dyshim se ti je në rrugë të drejtë. Pa dyshim që Kur’ani është përkujtesë për ty dhe për popullin tënd; e ju do të pyeteni!”[4]?

Imam Kurtubiu, teksa e komenton këtë ajet, sqaron sa më poshtë: “Fjala e Zotit: “Përmbaju asaj që po të shpallet”, nënkupton Kur’anin, edhe nëse do ta përgënjeshtrojnë, sepse: “s'ka dyshim se ti je në rrugë të drejtë!”, që të shpie drejt All-llahut, pëlqimit dhe shpërblimit të Tij!”[5]
 
Të dashurit e mi,
 
Ka shumë rëndësi të kuptojmë dhe të vlerësojmë këtë mirësi të madhe, që na është mundësuar sot, falë edhe zhvillimit të teknologjisë; shumimi i botimeve të Kur’anit, përkthimi i kuptimeve të ajeteve të tij në gjuhë të shumta, në mbarë botën, përhapja e komentimeve dhe analizave të detajuara dhe të thelluara të tij etj, që janë një ndihmesë e madhe, shumë e madhe, për të na afruar përherë e më shumë me Fjalën e All-llahut.

Teksa flet për faktin se Kur’ani është mrekulli dhe ftesë drejt besimit, Hafiz Ali Korça (1873-1957), në maj të vitit 1925, shkruan: “Kurani i madhënueshëm âsht nga ato muxhize që le gjer ditën e sotme që vleftën e ka mbajt, por edhe sa të jetë jeta ka me e mbajt… Pra, Hazreti Kurani ashtë një muxhize e përhershme, e përgjithëkohëshme dhe e pavdekshme. Si mund të vdesë, kur folës i tij ashtë Zoti i vërtetë, Vetë!

Sa për disa Zotënij që akoma s’dinë pesë fjalë arebisht, qysh mundin të thonë se Kurani âshtë kështu e ashtu?!

Përse ta zgjatim, sanscrita që mban librin e shenjtë Zind (Zend) vdiq, gërqishtja e vjetër vdiq, latinishtja vdiq, ibranishtja vdiq. Edhe shumë gjuhë të tjera që përmbanin nga një librë të shenjtë vdiqnë dhe në vënt të tyne lindën të tjera, por gjuha arebishtë në hije të mirakullisë të H. Kuranit hala rron, edhe sa të jetë bota do të rrojë! Edhe ndaj, populli mysliman do të mbretërojë!”[6]

Prandaj, ditë pas dite, ne jemi të ftuar ta bëjmë Kur’anin pikë referimi në jetën tonë, ta lexojmë pa ndërprerje, me një përkushtim të sinqertë, për të dëshmuar transformimin vetjak dhe atë shoqëror, në gjurmët e Resulull-llahut (a.s). Sepse, angazhimi i vazhdueshëm me Kur’anin jep frutet e veta, që sjellin dobi për njeriun, natyrën, bimësinë, kafshët e gjithësinë.

Dr. Sheuki Ebu Khalil, në librin e tij të famshëm: “Kush e humbi Kur’anin?”[7], ndër të tjera shkruan: [Fruti i parë dhe shembullor i mësimeve të Kur’anit Famëlartë ishte personaliteti i Resulull-llahut (a.s)… S’ka dyshim se ai ishte njeri me sjellje dhe edukatë engjëllore. Dhe, All-llahu qoftë i kënaqur me nënën e besimtarëve, Zonjën Aishe, e cila, kur u pyet për sjelljen e të dërguarit të All-llahut (a.s), tha: “Sjellja dhe morali i tij ishte Kur’ani, kënaqej me pëlqimin e tij dhe zemërohej me zemërimin e tij”][8]

Pra, me fjalë të tjera, unë ftoj të rinjtë muslimanë, ta mendojnë me shumë seriozitet idenë e kthimit të Kur’anit në burim udhëzimi dhe gurrë bekimesh hyjnore, që e ndihmojnë për ta jetuar jetën në mënyrë shembullore, duke kërkuar fitimin e pëlqimit hyjnor!

Jo vetëm kaq, por të rinjtë e sotëm muslimanë janë të ftuar ta lexojnë e ta mësojnë Kur’anin, ta shijonë arabishten e tij dhe ta mësojnë me një përparësi ndaj çdo gjuhe tjetër; ajo është gjuha e Fjalës së Zotit, e Librit të Tij!

Sikurse thotë edhe Imam Maverdi, në tefsirin e tij të ajetit të lartpërmendur: “Kur’ani është përkujtesë për ty dhe për popullin tënd”[9]: “përfshin edhe të gjithë ata që të pasojnë ty (o Muhammed) nga ymmeti yt.”[10]  

Pra, këtë kujtesë dhe nderim hyjnor, duhet ta kemi për nder ta kemi të gjithë ne, busull orientimi dhe pishtar që ndriçon, me lejen e Zotit!
 
Në përfundim, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj një konkluzion shumë të rëndësishëm, të cilin e bën H. Ali Korça në shkrimin e tij të cituar më lart: “Për librat e shenjta të tjera a gjinden pesë a gjashtë hafiza a jo? Por, për Hazreti Kuranin gjinden dhe do të gjinden me miliona Hafiza!

A nuk po na thotë sheshit se unë jam fjala e Zotit, jo fjala e Muhammedit, se po t’isha fjala e tij, pa dyshim do të kisha vdek edhe unë si gjuhët e tjera!”[11]
 

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 10 korrik 2015


[1] Kur’ani, El-Isra: 9.
[2] Transmetuar nga Muslimi, nga Ibni Mes’udi (r.a).
[3] Transmetuar nga Muslimi, nga Ebu Said El-Khudriu (r.a).
[4] Kur’ani, Ez-Zuhruf: 43-44.
[5] Imam Ebu Abdull-llah Muhammed ibn Ahmed El-Ensari El-Kurtubi, “El-Xhamiu li ahkamil-Kur’an”, botimi i dytë, Kajro, 1996, vëll. i 16-të, f. 91.
[6] H. ALI, “Muxhize e Hazreti Kuranit”, revista “Zani i Naltë”, nr. 3, vit’ i II, Tiranë, 1925, f. 451-458. (Nga kolana “Zani i Naltë”, vëllimi i parë: 1923-1924-1925, botimet KMSH, Tiranë, 2014). (Me përshtatje të lehtë. M.S.)
[7] Në arabisht: “Men dajjaal-Kur’an”.
[8] Dr. Sheuki Ebu Khalil, “Men dajjaal-Kur’an”, botimi i tretë, Damask, 1986, f. 96.
[9] Kur’ani, Ez-Zuhruf: 44.
[10] Imam Ebu Abdull-llah Muhammed ibn Ahmed El-Ensari El-Kurtubi, vep. e cit., vëll. i 16-të, f. 92.
[11] H. ALI, “Muxhize e Hazreti Kuranit”, revista “Zani i Naltë”, nr. 3, vit’ i II, Tiranë, 1925, f. 451-458.

 


“A nuk po na thotë sheshit se unë jam fjala e Zotit…”!?
“A nuk po na thotë sheshit se unë jam fjala e Zotit…”!?
“A nuk po na thotë sheshit se unë jam fjala e Zotit…”!?
“A nuk po na thotë sheshit se unë jam fjala e Zotit…”!?
“A nuk po na thotë sheshit se unë jam fjala e Zotit…”!?