Tribuna fetare: "Ramazani, ripërtëritje e besimit"
08 korrik 2015
Pasditën e së
mërkurës, më 8 korrik 2015, Myftinia
Shkodër organizoi tribunën fetare me
temë: "Ramazani, ripërtëritje e
besimit", ku i ftuar special ishte
thirrësi islam Tahir Zeneli.
Në fillim të aktivitetit, teologu Arben
Halluni, tha se dhjetë ditët e fundit të
Ramazanit janë një mundësi e mirë për të
shtuar aktivitetet dhe adhurimet, në
mënyrë që ky muaj të dëshmohet si
gjallërues i shpirtrave me besim dhe
lutje.
Më pas, në përshëndetjen e tij, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari,
falënderoi të pranishmit e shumtë për
pjesëmarrjen në këtë aktivitet të
dobishëm. Ai theksoi se këto ditë kemi
dëshmuar mirësi pafund, që na lidhin dhe
na afrojnë edhe më shumë me vlerat e
Ramazanit, si: namazet me xhemat, leximi
i Kur'anit, sofrat bujare të vëllazërisë
islame, lutjet dhe adhurimet, bamirësitë
etj.
Në fjalën e tij, Myftiu falënderoi edhe
të ftuarin special të këtij tubimi,
thirrësin islam Tahir Zeneli,
njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës
"Ardhmëria".
Një përshëndetje e përzemërt erdhi edhe
nga z. Gëzim Danjolli, përfaqësues i
Këshillit të Bashkësisë Islame të
Prizrenit, që uroi të pranishmit për
muajin e agjërimit dhe mirësinë e madhe
të bashkëpunimit në mes vete.
Me shumë kënaqësi, të pranishmit dëgjuan
ligjëratën plot vlera dhe dobi të
thirrësit islam Tahir Zeneli, në të
cilën bashkëbisedoi me të ftuarit dhe të
rinjtë e shumtë rreth krenarisë së
besimit dhe vlerave të agjërimit në
ringjalljen dhe ripërtëritjen e besimit
në jetën e njerëzve.
Gjatë fjalës së tij, z. Zeneli theksoi
se muslimanët janë të ftuar ta jetojnë
jetën me besim dhe mrekullitë e tij, për
t'i dhënë kuptim të sotmes dhe të
ardhmes. Ai tërhoqi vëmendjen e
dëgjuesve se Islami është edukues drejt
pëlqimit të Zotit në jetë dhe nxitës që
njeriu të jetojë në paqe, si ndërtues
vlerash.
Duke folur për vlerat e agjërimit, ai
tha se pikërisht ky muaj, vjen për të
trazuar ujërat dhe për të ringjallur
shpresën e besimit ndër njerëz. Ndalimi
i njerëzve nga ushqimi, është një
gjendje me Zotin, për hatrin e së Cilit,
njeriu frenohet nga miradi, që mund t'i
konsumojë jashtë këtij muaj.
Në përfundim të këtij aktiviteti, për të
pranishmit dhe kalimtarët u shpërndanë
dy botime të reja të Myftinisë Shkodër,
mbi vlerën e agjërimit dhe dobitë e
muajit Ramazan.