Një iftar ndryshe në xhaminë e Oblikës...
07 korrik 2015
Ditën e martë, më 7
korrik 2015, Myftinia Shkodër organizoi
një iftar me xhematin e të rinjve të
xhamisë së fshatit Oblikë. Në një
atmosferë shumë të këndshme, sofrat e
shtruara në oborrin e xhamisë, i jepnin
asaj një pamje krejt ndryshe, të mbushur
me mirësitë e këtij muaj të begatë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, vlerësoi
angazhimin e të rinjve për ta gjallëruar
xhaminë e tyre, duke falënderuar
njëkohësisht edhe imamin e xhamisë,
Ridvan Luzaku, për gjetjen e tij në krah
të rinisë së kësaj xhamie.
Myftiu tha se Ramazani na krijon përherë
mundësi për të dëshmuar bashkërisht
frymën e vëllazërisë dhe harmonisë
islame, edhe nëpërmjet këtyre sofrave
bujare, ku nuk ka vlerë ushqimi as pija,
sesa buzëqeshjet në fytyrat e njerëzve,
bisedat e ngrohta dhe urimet e sinqerta.
Njëkohësisht, tha se ky iftar është
mundësuar falë bashkëpunimit me shoqatën
bamirëse "Muslims for Humanity", në New
York të ShBA. Me këtë rast falënderoi
edhe koordinatorin e këtij donacioni,
teologun Arben Halluni.
Në përfundim të këtij iftari, të
pranishmit falën edhe namazin e akshamit
me xhemat, duke u bërë dëshmitar të një
dite plot begati.