Një iftar i veçantë në xhaminë e Plumbit...
05 korrik 2015
Ditën e dielë, më 5
korrik 2015, Myftinia Shkodër organizoi
një iftar me frekuentuesit e rregullt të
xhamisë së Plumbit, në një prej
ambienteve të kësaj xhamie shekullore.
I pranishëm në këtë iftar ishte edhe
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari,
i cili në përshëndetjen e tij, uroi të
pranishmit për mirësitë e Ramazanit dhe
theksoi se ky iftar është simbolikë e
begative të Ramazanit dhe vlerave të
vëllazërisë dhe harmonisë islame në
mesin e besimtarëve.
Ndërkohë, imami i kësaj xhamie dhe
kujdestari i saj, H. Mithat Myftija,
shprehu kënaqësinë e tij për realizimin
e këtij iftari, si një risi e bukur në
këtë muaj dhe si një motiv më shumë që e
mban xhematin të lidhur si një familje e
madhe besimi.
Të pranishëm në këtë iftar ishin edhe
imamët, Lavdrim Hamja dhe Naim Drijaj,
që u lutën për begatinë e këtij muaji
dhe harmoninë në mesin e besimtarëve.
Pas namazit të akshamit me xhemat, të
pranishmit këmbyen urimet dhe
përshëndetjet e tyre të përzemërta, duke
shprehur kënaqësinë e tyre për këtë
tubim të veçantë në këtë natë Ramazani.