“Unë e ndoqa fenë e prindërve të mi:
Ibrahimit, Is'hakut, Jakubit…”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Krijuesit të Vetëm të gjithësisë, i Cili e bëri Kur’anin udhërrëfim për njerëzinë, dritësues i rrugës së besimit në jetë, dallues i të mirës nga e keqja, ftues drejt udhëzimit, sidomos nëpërmjet tregimeve të dërguarve të Tij, për të cilët thotë: “Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur'ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (i librave të shenjtë) dhe sqarues i çdo sendi, udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.”[1]

Salavatet më të përzemërta dhe selamet tona ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili thoshte: “Edukojini fëmijët tuaj me tri cilësi: dashurinë e të dërguarit tuaj, dashurinë e familjes së tij dhe leximin e Kur’anit, sepse bartësit e Kur’anit, do të jenë nën hijen e Arshit të All-llahut, atë ditë kur nuk do të ketë hije veç hijes së Tij; me të dërguarit dhe të përzgjedhurit e Tij!”[2]
 
Të dashur e të nderuar vëllezër besimtarë,
 
Në ditët e para të kësaj jave, teksa lexonim xhyzin e përditshëm të Kur’anit, pas namazit të iqindisë, në këtë xhami, më tërhoqi vëmendjen një pjesë e dialogut që Hz. Jusufi (a.s), zhvillon me dy shokët e tij të qelisë. Në përfundim të tij, i dërguari i All-llahut (a.s), u dëshmon atyre se: “Unë e kam braktisur fenë e një populli që nuk e beson All-llahun e as botën tjetër,  ata ishin jobesimtarë. Unë e ndoqa fenë e prindërve të mi: Ibrahimit, Is'hakut, Jakubit. Neve nuk na takon t'i përshkruajmë All-llahut ndonjë send shok!”[3]

E mrekullueshme kjo përgjigje. Sa vlera përmban në thelbin e saj dhe sa mësim për njerëzinë, për besimtarin e çdo kohe!

Ky ajet bën fjalë për tabanin e familjes besimtare, brez pas brezi dhe ruajtjen e besimit, si gjëja më e shtrenjtë në jetë!

Me të drejtë, Imam Fekhruddin Razi (544-604 h.), në tefsirin e tij, pyet: “Çfarë vlere ka përmendja e këtyre fjalëve? Përgjigjja: Kur ai (Jusufi) alejhis-selam pretendoi profetësinë dhe i sfidoi ata me një mrekulli, që i përket të fshehtës, e lidhi edhe me faktin se ai i përket një familjeje profetike, ku i ati, gjyshi i tij dhe gjyshi i të atit ishin të dërguar të All-llahut dhe profetë të Tij. Po, sepse kur njeriu pretendon një zanat që është edhe zanati i të atit dhe gjyshit të tij, nuk është largmendsh të jetë i vërtetë”[4]

Ky ajet i madhërishëm, na kujton besën e fesë dhe të moralit islam, që duhet të ruajmë në familjet tona. Ai flet për ajkën e besimit, për ruajtjen e monoteizmit dhe distancimin e prerë nga çdo formë shirku në jetë.

Në lidhje me këtë, Imam Razi vazhdon dhe pyet: “Çfarë vlere ka thënia e tij: “ndonjë send”[5]? Përgjigjja: Se llojet e shirkut janë të shumtë, si p.sh: ka prej tyre që adhurojnë idhuj, ka që adhurojnë zjarrin, yjet, dikush adhuron mendjen, egon, natyrën. Kështu që thënia e tij: “Neve nuk na takon t'i përshkruajmë All-llahut ndonjë send shok!”, është kundërshtim i krejt atyre grupeve dhe sekteve, si dhe udhëzim drejt fesë së vërtetë, që është, se nuk ka Zot, përveç All-llahut, as Krijues përveç All-llahut, as Furnizues me rizk përveç All-llahut!”[6]
 
Të dashur besimtarë,
 
Në realitetet e shoqërisë sonë, ditë pas dite po shfaqen fenomene dhe tendenca, që kanë për qëllim tërheqjen e rinisë drejt idhujtarisë, drejt shirkut, drejt islamofobisë. Dikush me një kamping, dikush me salla lojrash, dikush me propaganda shurdhuese, dikush me botime e fletushka derë më derë, dikush me kitarë, dikush me pije e grilë në natyrë, dikush me anë të tv-së, dikush në facebook-ut, dikush në rrjetet e larmishme sociale, dikush me anë të politikës, dikush me anë të kulturës, dikush nga e djathta e dikush nga e majta, si e si për të tërhequr vëmendjen e rinisë drejt modeleve të shumta dhe të larmishme të shirkut, që është e kundërta e besimit në Një Zot!

Dhe, nga viti i errët 1967 e deri në ditët e sotme, jo pak modele laramane dhe kameleone janë shfaqur në horizontet e rinisë islame shqiptare, duke bërë propagandat e tyre dhe duke garuar në islamofobi dhe shirk!

Nga këtu them, se vlera e ruajtjes së tabanit familjar besimtar e musliman dhe konsolidimi i mëtejshëm i tij, konform moralit islam, edukatës së komunikimit me tjetrin, edukatës së sjelljes me natyrën, me dijen, me shkencën, me traditat, me zhvillimet e vendit etj, merr një vlerë shumë të madhe, që natyrshëm do ta ketë edhe shpërblimin e shumëfishuar te Zoti i gjithësisë, në ditën e llogarisë!

Komentuesi i shquar i Kur’anit, Ibn Ashur (1879-1973), teksa komenton ajetin e lartpërmendur, ndalet në një moment shumë interesant (edhe për kontekstet e kësaj hytbeje), kur thotë, se: “Hz. Jusufi (a.s) përmendi baballarët e tij, për të na treguar mirësinë dhe madhështinë e tyre, për të shfaqur vlerat që përfaqësojnë dhe për treguar se rrjedh prej tyre… Për këtë, kur Hz. Muhammedi (a.s) u pyet për njeriun më fisnik, tha: “Jusufi, i biri i Jakubit, i biri i Is’hakut, i biri i Ibrahimit. Profet, i biri i një profeti, i biri i një profeti, i biri i një profeti”. Dhe ky shembull zinxhiri në profetësi, nuk i është mbledhur askujt, përveç Jusufit (a.s)…”[7]

Nga këtu dua të pyes: A nuk është ky argument dhe kjo frymë që përcjell tek ne ky ajet i mrekullueshëm, një thirrje për të zgjuar ndër ne ndjenjën e përgjegjësisë së ruajtjes me dinjitet të moralit islam brez pas brezi?

Fjala bie, unë e kam për nder të them se e kam kryer haxhin, njësoj si baba im, njësoj si gjyshi im! Ia mëkoj edhe fëmijëve të mi, që një ditë ta kryejnë këtë adhurim dhe obligim fetar dhe ta trashëgojnë këtë mirësi hyjnore, me bindje dhe përkushtim ndaj Zotit!

Dikush tjetër, duhet të ndjehet krenar që gjyshi i tij ishte një hafiz Kur’ani, i ati poashtu, ai poashtu, fëmijët e tij poashtu, siç është rasti i Hoxhës tonë të dashur, H. Vehbi Sulejmani (1923-2013), që thoshte: “Prej fëmijëve më kanë mbetur gjashtë, dy djem e katër vajza. Djali i madh, Muhammed Nurudini është inxhinier. Ahmed Bedrudini është mjek fëmijësh dhe njëkohësisht është edhe Hafiz Kur'ani. Edhe katër vajzat e mia janë Hafize Kur'ani, sikurse kanë kryer të gjitha Universitete teologjike. Njëra vajzë ka shtatë fëmijë, ku katër prej tyre janë Hafiza Kur'ani. Një vajzë tjetër ka pesë fëmijë, ku katër prej tyre janë Hafiza Kur'ani. Me pak fjalë secila vajzë e ka pak së paku nga një fëmijë Hafiz Kur'ani. Elhamdulil-lah.”[8]

Dikush tjetër, duhet të ndjehet krenar, se në shtëpinë e tij falet namazi brez pas brezi, se femrat e familjes së tij respektojnë hixhabin brez pas brezi, që agjërimi i Ramazanit nuk është ndalur në familjen e tij as në kohën e errësirës ateiste, që dhënia e zekatit dhe e sadekave është trashëgimi brez pas brezi, që mësimi i gjuhës së Kur’anit është trashëgimi brez pas brezi, që fëmijët e tij kanë kryer shkolla të larta të merituara, brez pas brezi, që në bibliotekën e madhe të shtëpisë ka libra të babës, të gjyshit, të stërgjyshit etj.

Është e vërtetë se komunizmi e shburrëroi popullin shqiptar, i shkëputi shumë hallka drite, duke i zëvendësuar me hallka të ndryshkura plot gjurmë ateizmi, materializmi e myku intelektual e shpirtëror, por ajo kohë shkoi! Nuk do rrimë gjithmonë me kokën pas, sepse rrezikojmë të humbim edhe të tashmen edhe të ardhmen e fëmijëve tanë! Do vazhdojmë përpara, duke mos e falur të shkuarën, por duke marrë mësime prej saj!

Sot është koha që të rinjtë të mendojnë të krijojnë familje të brumosura me moralin islam. Djali i xhamisë të kërkojë për vajzën e xhamisë, ai i medresesë të interesohet për vajzën e medresesë, pavarësisht shkollave të larta që do të ndjekin më pas. I përkushtuari të kërkojë për vajzën e ruajtur me hixhab, hafizi i Kur’anit të kërkojë hafizen e Kur’anit, familjet e vjetra muslimane të marrin e të japin në mes vete, familjet e hoxhallarëve të shkuar të kërkojnë për njëri-tjetrin, se nuk do ta humbë Zoti këtë fé sado që ne do të qëndrojmë besnikë të tabanit të shëndoshë familjar musliman!

Nuk e humbë Zoti këtë fé, sado që ne nuk do të kompleksohemi përballë kujtdo që ka shitur fenë e baballarëve për pak miradi të kësaj bote kalimtare dhe bën gramafonin e prishur, teksa vjell vner kundër Islamit dhe muslimanëve!

Nuk do ta humbë Zoti këtë fé, sado që ne muslimanët do të gjejmë rrugët e organizimit mbi bazën e ekuilibrave të shëndosha fetare, mbi moralin e këtij besimi, mbi shpirtin e kësaj feje të pastër, kategorikisht larg harameve, përherë e më afër rrugëve të përkushtimit në jetë!
 
Të dashurit e mi,
 
Më lejoni ta përfundoj me një këshillë të dijetarit të shquar, Sheh Qazim Hoxha (1893-1959), që në një prej vaseve të tij të regjistruara me shkrim, thotë: “Pra, vllazën të dashun, n’Ahiret kena me u pyetë për veprimet e kësaj bote. Për veç shum ajeteve të Kur’anit qi flasin për keté llogaritje, ka edhe shum hadithi sherife qi bâjnë fjalë për kété punë. Do të shkonte shum gjatë me i përmendë këtà ajete e hadithi sherife; por ne po përmendim vetëm nji hadithi sherif: “La tezúlu kademá abdin hatta jus-ele ân erbeîn: ân ûmrihí fíme efnáhu, ve ân xhesedihí fíme ebláhu, ve ân îlmihí fíme amile bihí, ve ân malíhí min ejne iqtesebehú ve fíme enfekahú.” Don me thanë: “N’Ahiret njeriu nuk mund të luejë asnji kâmbë për pa u pyetë për katër gjâna: për jetën si e harxhoi, për trupin në ç’punë e shtiu, për dijen si e harxhoi, për mallin si e fitoi e ku e harxhoi”

Pika e tretë s’i përket vetëm Hoxhës, sepse gjithsecili mund të dijë diçka e do të pyetet për aqë sa din. Bije fjala secili e din se kamata, fajdexhillëku âsht punë e ligë; pra do të pyetet se a u kallzoi njerëzís qi këjo punë ásht e ligë dhe e ndalueme prej Perëndís.”[9]
 
Vel-hamdulilah rabbil-alemine!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 3 korrik 2015

[1] Kur’ani, Jusuf: 111.
[2] Transmetuar nga Tabaraniu, nga Aliu (r.a).
[3] Kur’ani, Jusuf: 37-38. (Me përshtatje të lehtë nga version i H. Sherfi Ahmedit. M.S.)
[4] Imam Fekhruddin Razi, “Et-Tefsirul-Kebir”, botimi i parë, Bejrut, 1990, vëll. I 18-të, f. 110.
[5] Në ajetin: “Neve nuk na takon t'i përshkruajmë All-llahut ndonjë send shok!” (M.S.)
[6] Imam Fekhruddin Razi, vep. e cit., vëll. i 18-të, f. 111.
[7] Imam Et-Tahir ibn Ashur, “Et-Tahrir vet-Tenvir”, botimi i parë, Bejrut, 1990, vëll. i 12-të, f. 63.
[8] Muhamed Sytari, “Vehbi Sulejman Gavoçi – Dijetar nga dijetarët e ymmetit”, Prishtinë, 2005, 37-38.
[9] Sheh Qazim Hoxha, "Ç'urdhënon Kur'ani?", tema: "Përse njeriu ka ambicje?", në revistën "Zani i Naltë", viti XIII, Kallnduer-Fruer 1938, nr. 1-2, f. 4-7.

 


“Unë e ndoqa fenë e prindërve të mi: Ibrahimit, Is'hakut, Jakubit…”
“Unë e ndoqa fenë e prindërve të mi: Ibrahimit, Is'hakut, Jakubit…”
“Unë e ndoqa fenë e prindërve të mi: Ibrahimit, Is'hakut, Jakubit…”
“Unë e ndoqa fenë e prindërve të mi: Ibrahimit, Is'hakut, Jakubit…”
“Unë e ndoqa fenë e prindërve të mi: Ibrahimit, Is'hakut, Jakubit…”
“Unë e ndoqa fenë e prindërve të mi: Ibrahimit, Is'hakut, Jakubit…”