Malësia e Madhe,
inaugurohet xhamia e re në Grudë-Fushë
02 korrik 2015
Pasditën e së enjtes,
më 2 korrik 2015, Myftinia e Malësisë së
Madhe organizoi ceremoninë e inaugurimit
të xhamisë së re në fshatin Grudë-Fushë.
Ceremonia u përshëndet nga Myftiu i
Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, i
cili shprehu gëzimin dhe emocionet e tij
për këtë mirësi të madhe, që i shtohet
Malësisë së Madhe, në këto ditë të
begata të Muajit Ramazan; xhamia e re në
Grudë-Fushë.
"Nuk e di se nga të filloj, për të
rreshtuar mirësitë me të cilat jemi
rrethuar në këtë ditë; mirësia e
Ramazanit, apo mirësia e këtij tubimi
vëllazëror dhe namazi me xhemat, apo
xhamia e re, apo lutjet tona në këtë
ditë të begatë? Kjo është mirësia e
madhe e besimit dhe fesë islame, që na
tubon dhe na mbush me dritë besimi,
sidomos në ceremoni si kjo e sotmja, ku
po inaugurojmë së bashku xhaminë e re në
fshatin tuaj", - tha ndër të tjera
Myftiu i Malësisë së Madhe.
Përshëndeti edhe Myftiu i Zonës Shkodër,
Imam Muhamed Sytari, i cili shprehu
vlerësimet e tij për këtë bashkëpunim të
dobishëm të Myftinisë së Malësisë së
Madhe me Fondacionin "Mirësia", që solli
në dritë këtë xhami të re e të bukur.
Myftiu vlerësoi shembullin e bamirësve
dhe donatorëve në rrugën e gjallërimit
të Thirrjes Islame në vendin tonë, por
jo vetëm, ku përmendi disa raste të
spikatura gjatë këtyre viteve.
Ceremoninë e përshëndeti edhe drejtori i
Fondacionit "Mirësia", z. Korab Kaja, që
falënderoi Zotin për këtë mirësi dhe
bashkëpunimin e familjes Hasanaj, që
dhuroi tokën e xhamisë së re dhe të
familjes turke që kontribuoi për
ndërtimin e xhamisë.
Ai theksoi se kjo ceremoni duhet të jetë
dëshmi besimi dhe një besëlidhje e re me
xhaminë, për ta mbajtur në jetë,
nëpërmjet aktivitetit, mësimit,
namazeve, adhurime e lutjeve.
Përshëndeti edhe përfaqësuesi i
Fondacionit turk IHH, që uroi të
pranishmit me rastin e inaugurimit të
xhamisë së re.
Me rastin e kësaj ceremonie, Myftinia e
Malësisë së Madhe shpërndau disa
"Çertifikata Mirënjohjeje" për donatorët
dhe Fondacionin "Mirësia".
Pas kësaj ceremonie, u fala namazi i
parë i iqindisë me xhemat dhe u bë lutja
e këtij tubimi plot vlera besimi.