“Tek ta bëjmë këtë, vallë, ç’dëm na vjen?”
26 qershor 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Zotit të Vetëm të gjithësisë, i Cili
urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “O ju që
besuat, agjërimi u është bërë obligim
sikurse që ishte obligim edhe i atyre që
ishin para jush, në mënyrë që të bëheni
të devotshëm”[1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta
ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo
ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të
Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili
thoshte: “Në xhennet është një derë që
quhet “Er-Rejjan”, prej së cilës do të
hyjnë agjëruesit në ditën e kiametit.
Askush pos tyre nuk do të hyjë me ta. Do
të thuhet: Ku janë agjëruesit? Dhe do të
hyjnë prej saj. E, kur të hyjë i fundit
prej tyre, ajo do të mbyllet dhe askush
nuk do të hyjë prej saj!”[2]
Të dashur vëllezër dhe
motra, agjërues të Ramazanit,
Po lexoja këto ditë, në një prej librave
të vjetër të dijetarit të shquar të
Bagdadit, Imam Ibn Ebid-Dunja (208-281
h.), mbi vlerën dhe dobitë e agjërimit,
ku më tërhoqi vëmendjen një hadith, në
të cilin transmetohet se Resulull-llahu
(a.s) ka thënë: “Pasha Atë, për të cilën
betohet, juve ju ka ardhur një muaj, që
asnjëherë nuk ju ka ardhur muslimanëve
një muaj më i mirë për ta, se ky. As
hipokritëve, nuk ju ka ardhur një muaj
më i dëmshëm për ta, se ky… Ai është
fitore për besimtarin, peshë e rëndë për
hipokritin…”[3]
Argumentet e shumta nga Kur’ani, librat
e hadithit, tefsirit, jurisprudencës
islame, historisë, shëndetësisë etj, po
na vërtetojnë përherë e më shumë se
agjërimi i muajit Ramazan ka dobi të
panumërta, në shumë dimensione jetike.
Prandaj, përherë e më shumë, njerëzia po
tërhiqet drejt përqafimit të Islamit,
duke e studiuar vlerën e madhe dhe
dobitë e shumta të agjërimit, të
përmendura ndër shekuj.
Megjithatë, në realitetet e sotme,
konstatojmë se akoma, shumë pjestarë të
shoqërisë tonë, nuk e kanë kuptuar si
duhet vlerën e agjërimit, nuk e kanë
guximin e duhur për ta ndalur furinë e
egos dhe arrogancën e rutinës së
përditshme, për t’u frenuar për hatër të
Zotit, që për të mirën tonë na e ka
obliguar agjërimin e këtij muaji.
Përtej kësaj, të gjithë ne jemi të ftuar
të kuptojmë dhe të reflektojmë në jetën
tonë të përditshme faktin se “agjërimi
është një adhurim që e pastron egon, që
e lartëson moralin, që realizon
mëshirimin në mesin tonë. Me agjërim
përpiqemi drejt durimit[4],
trupi pastrohet nga mbetje të dëmshme,
nga shumë helme vrastare”[5]
Dhe se “agjërimi e përgatit
përshpirtësinë e agjëruesit drejt
përkushtimit dhe drojes së All-llahut,
duke marrë parasysh se agjërimi e
dobëson epshin, që konsiderohet si nëna
e të këqijave…”[6]
Nga këtu, më lejoni të pyes, me gjuhën e
Imamit Ibn Kajjim El-Xheuzijje
(691-751), i cili duke u ndalur
pikërisht tek ndikimi i epsheve dhe egos
në jetën e njeriut, shkruante:
[Domosdoshmërish duhet të dimë se
gjynahet dhe devijimet dëmtojnë dhe se
dëmi i tyre për zemrën është si helmi
për trupin… Çfarë i nxori dy prindët
tanë nga xhenneti, vendi i kënaqësive,
dritës e gëzimit, drejt vendit të
dhembjes, mërzive dhe fatkeqësive? Çfarë
e nxori Iblisin nga mbretëria e qiellit,
duke e dëbuar e mallkuar?... Çfarë u bë
shkak për mbytjen e banorëve të tokës,
saqë uji mbërriti deri mbi majat e
maleve? Çfarë u bë shkak që erërat e
forta të përpinin popullin e Adit, duke
i hedhur të vdekur mbi faqen e dheut?...
Çfarë u bë shkak që fshatrat e popullit
të Lutit të përmbyseshin mbi ta, duke i
shkatërruar tërësisht si popull dhe duke
u pasuar ky shkatërrim me gurë që binin
nga qielli, si dëshmi e një ndëshkimi të
paprecedent? Çfarë u bë shkak që mbi
popullin e Shuajbit të vërshonin retë e
ndëshkimit, si hije të forta, prej të
cilave dilte zjarr shkatërrues? Çfarë u
bë shkak që Faraoni dhe njerëzit e tij
të mbyteshin në det..?
… Në “Musned-in” e Imam Ahmedit,
transmetohet nga Ummi Seleme, që
thoshte: E kam dëgjuar Resulull-llahun
(a.s) të thoshte: “Kur të shfaqen
gjynahet në ymmetin tim, do t’i
përfshijë All-llahu me një ndëshkim nga
ana e Tij” - I thashë: O i dërguar i
All-llahut, a nuk do të ketë njerëz të
mirë atë ditë? - Tha: Do të ketë! - I
thashë: Po çfarë do të bëhet me ta? -
Tha: Do të goditen nga ajo që do të
godasë njerëzit, pastaj do të shkojnë në
faljen e All-llahut dhe pëlqimin e Tij”][7]
Të nderuar të pranishëm,
Muaji i madhëruar i Ramazanit vjen
pikërisht për të na zgjuar vëmendjen e
besimit dhe ndërgjegjen tonë të
nënshtrimit dhe disiplinës në hak të
Zotit. Vjen për të shëruar plagët e
marra nga një periudhë e gjatë hutimi,
ku shumëkush ka harruar namazin, lutjet
e sinqerta, sexhden dhe namazin e natës,
salavatet dhe ëmbëlsinë e tubimeve të
dhikrit, sadekanë dhe ndihmën ndaj atyre
që kanë nevojë, bujarinë e shpirtit dhe
largimin nga kopracia e thekur a babëzia
para miradive të kësaj bote,
sinqeritetin dhe zemrën e pastër ndaj
kujtdo.
Qëndrimi pa ngrënë dhe pa pirë, për një
periudhë relativisht të gjatë, sidomos,
kur agjërimi i Ramazanit vjen në stinën
e verës, si këto vitet e fundit, na bën
të reflektojmë edhe për ata që nuk kanë,
skamnorët, (që sa të shumtë janë në këtë
vend, që nuk diti një herë të dalë nga
skamja dhe varfëria?!) Agjërimi na nxit
të jemi kursimtarë të ekuilibruar në
jetë, jo abuzues me mirësitë e dhëna nga
Zoti, larg kopracisë dhe abuzimit.
Në këtë kontekst, po lexoja një hytbe të
vjetër, të mbajtur nga Hafiz Ali Korça
(1873-1957), në vitin 1924, ku ndër të
tjera thotë: “Në kohët e luftës së
përgjithçme, një grua mirësi-banjëse
milionere n’Amerikë deklaroi me gazetë
për të gëzuar jetimët q’u ishin vrarë
atët e tyre në luftë dhe kishin mbetur
urët e xhveshur, në të cilën gazetë
thoshte: “Një ditë si ç’do atdhetar i
mëshirshëm t’agjërojë edhe ajy që ka
fuqi, le të ftojë disa nga miqt e dashur
për drekë. Por, kur të shtrohet sofra
(tryesa) gjithë sëhanët e pjatat t’i
bjerë zbrazët, të mos hahet e të mos
pihet fare. Pastaj i zoti i shtëpisë pas
listës së gjellëve, të bëjë hesab sasinë
e prishjeve që do të bëheshin për atë
drekë dhe ato të holla të i a dërgojnë
jetimëve”. Vërtet n’Amerikë shumë
Zotërinj agjëruan një ditë dhe sasinë e
të hollave që do të shkonin për atë
drekë e hodhën në-për pjatat dhe i a
dërguan komisionit dhe kësi soj për
dobinë e jetimëve u mblodhën disa milion
dollarë”[8]
Por, i dituri dhe i urti Hafiz Ali,
vazhdon edhe më tej, me shumë
largpamësi, teksa konkludon me të drejtë
se: “Ne myslimanët të tmerohemi pak nga
kjo Zonja shpirt-mire Amerikane, dhe
tashti në Ramazan kur do të thërresim
miqtë për iftar në qoftë se do të
kursejmë pak, a se në ndafshim një pjesë
të hollash nga shpenzimet e darkës, më
duket se do të mblidhet një sasi fort e
madhe. Për shembull, në Shqipëri… shuma
do të bëjë 1.200.000 fr. sërmë, ahere ne
myslimanët me një milion e dy qint mijë
franga mundim të mbajmë si jetimët ashtu
edhe medresenë e naltë. Tek ta bëjmë
këtë, vallë, ç’dëm na vjen?”[9]
Të dashurit e mi,
Muaji i Ramazanit vjen pikërisht për të
na bërë edhe të reflektojmë mbi forcën
tonë në komunitet, mbi mundësinë tonë
për të mos u përdorur për interesa të
tjerëve, për aftësinë tonë për të qenë
një trup i vetëm, një familje e madhe,
një forcë pozitive, që ndërton, sidomos
në kohë si këto, kur të shumtë kanë
prishur e kanë shkatërruar dhe vazhdojnë
ta bëjnë, pa droje e pa i vrarë
ndërgjegjja e sëmurë..!
Muaji i Ramazanit vjen pikërisht, edhe
për të na bërë të reflektojmë rreth asaj
pyetje të ëmbël, por kumbuese dhe shumë
domethënëse të dijetarit të urtë, të
madhit Hafiz Ali: “Tek ta bëjmë këtë,
vallë, ç’dëm na vjen?”
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 26 qershor 2015
[1] Kur’ani,
El-Bekare: 183. (me përshtatje të lehtë
nga version i H. Sherif Ahmetit).
[2] Transmetuar
nga Imam Muslimi, nga Sehl ibn Sa’di
(r.a).
[3] Imam Ibn
Ebid-Dunja, “Fadailu Ramadan”, botimi i
parë, Rijad, 1995, f. 41, ku përmend se
hadithi në fjalë transmetohet nga Ibn
Ebish-Shejbe, Imam Ahmedi, Ibn Khuzejme,
Ibn Shahini dhe Bejhekiu, nga Ebu
Hurejra (r.a).
[4] Në
enciklopedinë e mrekullive shkencore në
Kur’an dhe Hadith, autori, Jusuf El-Haxh
Ahmed, ndër të tjera thekson se:
“Agjërimi, si bindje logjike dhe
praktikë e vazhdueshme, forcon shumë tek
njeriu anët psikologjike, duke i forcuar
durimin, qëndrueshmërinë, zotërimin e
epsheve dhe dëshirave…” – Jusuf El-Haxh
Ali, “Meusuatul-I’xhazil-ilmi”, botimi i
tretë, Damask, 2003, f. 953.
[5] Shejkh Ali
Esh-Sherbexhi, “El-erbaunel-mukhtare
fil-fedailid-dinijjeti vel-insanijje”,
botimi i parë, Kuvajt, 2006, f. 200-201.
[6] Afif
Abdulfettah Tabara, “Rruhud-din
el-Islami”, botimi i 30-të, Bejrut,
1995, f. 212.
[7] Imam Ibn
Kajjim El-Xheuzijje, “Ed-dau ved-devau”,
botimi i parë, Bejrut, 1990, f. 57-59.
[8] H. ALI,
“Hutbe e Ramazan-i Sherifit”, revista
“Zani i Naltë”, nr. 6, vit’ i I, Tiranë,
1924, f. 173-174. (Nga kolana “Zani i
Naltë”, vëllimi i parë: 1923-1924-1925,
botimet KMSH, Tiranë, 2014). (Me
përshtatje të lehtë. M.S.)
[9] Po aty, f.
176-177.