"40 hadithe mbi agjërimin dhe Ramazanin",
në duart e imamëve
19 qershor 2015
Pasditen e së
xhumasë, më 19 qershor 2015, Myftinia
Shkodër organizoi promovimin e botimit
më të ri të imamit dhe teologut Lavdrim
Hamja, me titull: "40 hadithe mbi
agjërimin dhe Ramazanin".
Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari , i cili
vlerësoi punën e palodhshme të thirrësit
islam Lavdrim Hamja, sidomos në drejtim
të përkthimit nga gjuha arabe të
materialeve të dobishme për lexuesin dhe
besimtarët.
Myftiu theksoi se, përgjegjësia e
imamëve, sidomos në ditët e sotme, është
shumë e madhe, prandaj duhet punuar pa
pushim në drejtim të përhapjes së dritës
dhe vlerave të Thirrjes Islame në vendin
tonë.
Edhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H.
Edmir Smajlaj, uroi të pranishmit me
rastin e fillimit të muajit Ramazan,
sikurse u ndal te vlerësimi i këtij
botimi, si një dhuratë e bukur në këtë
Ramazan. Myftiu i nderuar theksoi se
imamët dhe teologët e rinj, kanë mundësi
të shumta për të kontribuar në forcimin
e mësimeve të fesë dhe përhapjen e tyre
në shumë drejtime. Njëkohësisht
falënderoi autorin e këtij punimi për
këtë kontribut të vyer.
Në fjalën e tij, teologu Lavdrim Hamja,
vuri në dukje shtysat që e kanë nxitur
të punojë për të nxjerrë këtë punim, që
do t'i shërbejë lexuesve, sidomos në
Ramazan, për të kuptuar më mirë vlerën
dhe rëndësinë e agjërimit dhe muajit
Ramazan.
Ai falënderoi të pranishmit për
vlerësimin e kësaj ftese dhe uroi që nga
ky botim të ketë dobi.
Pas faljes së akshamit me xhemat, të
pranishmit morën pjesë në iftarin e
shtruar nga Myftinia Shkodër me këtë
rast.