“A po më konsideron
më pak se një prej vëllezërve të tu?!”
19 qershor 2015
Të gjitha
falënderimet e plota dhe madhështia
absolute i takojnë vetëm All-llahut,
Zotit të Vetëm të botëve, i Cili e
udhëzoi njeriun dhe nuk e la të vetëm në
këtë tokë; i dërgoi të dërguar, të cilët
i pajisi me shpalljet e Tij hyjnore, që
u vulosën me zbritjen e Kur’anit
Famëlartë.
Në suren “El-Hixhr”, tërhoqi vëmendjen e
besimtarëve, nëpërmjet një ajeti, ku
thuhet: “Ata, të cilët e ndanë Kur'anin
në pjesë.”[1], duke
sinjalizuar neglizhencën e njerëzve ndaj
Fjalës së Tij.
Salavatet dhe selamet më të përzemërta
ia dërgojmë sot në këtë ditë të begatë
dhe nga kjo xhami e re, nga kjo hytbe e
parë, pas inaugurimit të saj, zotërisë
së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit
(a.s), i cili thoshte: “Zemrat
ndryshken, siç ndryshket hekuri! – I
thanë: O i dërguar i All-llahut, e si
pastrohen ato? – Tha: Me leximin e
Kur’anit dhe me përmendjen e vdekjes”[2]
Të dashur vëllezër
besimtarë,
Sapo kemi hyrë në atmosferën e
mrekullueshme të Muajit Ramazan, në të
cilin filloi të zbresë Kur’ani dhe,
natyrshëm, një ndër temat rreth të
cilave tërhiqemi më së shumti gjatë
këtyre ditëve, është Kur’ani, Libri dhe
Fjala e All-llahut të Madhëruar.
Si të sillemi me Kur’anin? Si ta
kuptojmë Kur’anin? Si ta praktikojmë
Kur’anin? A ta lexojmë vetëm në Ramazan,
apo edhe jashtë tij? E shumë pyetje të
tjera që lidhen me Udhëzimin e Zotit dhe
Fjalën e Tij, janë tematika që ia vlen
të hapen, të trajtohen e të shqyrtohen
gjatë këtij muaji të begatë dhe përtej
tij.
Në këtë hytbe, dua të trajtoj një
transmetim, që vjen nga sahabiu i
nderuar Ebu Hurejra (r.a), ku thotë:
“Shtëpia, ku lexohet Kur’ani, është e
gjerë për familjarët e saj, aty shtohet
e mira, aty prezantojnë melekët dhe
shejtanët dalin prej saj. Ndërsa
shtëpia, ku nuk lexohet Libri i
All-llahut të Madhëruar, i ngushtohet
familjarëve të saj, aty pakësohet e
mira, melekët dalin prej saj dhe
shejtanët prezantojnë në të.”[3]
Në të vërtetë, po të kthehemi nga
problemet sociale që hasen sot në vendin
tonë dhe t’i analizojmë ato, do të na
vërtetohet se shumë prej tyre vijnë
pikërisht nga ato mjedise, ku nuk nuk
lexohet Libri i All-llahut, ku nuk
përmendet emri i Tij, ku nuk bihet
salavat për të dërguarin (a.s). Me fjalë
të tjera, mjediset e zbrazëta nga leximi
i Kur’anit, dhikri e salavati, janë
përherë vende të mundshme për shfaqje të
zënkave, sherreve, zhurmave, konflikteve
të vazhdueshme e të ngjashme.
Fytyra e atij që lexon Kur’an në
vazhdimësi ka dritë. Fytyra e atij që
vazhdimisht e përmend All-llahun, ka
dritë. Fytyra e atij, që nuk e lë
namazin e natës, ka dritë. Fytyra e atij
që bie salavat pambarimisht, ka dritë.
Shtëpia, ku lexohet Kur’ani me rregull,
ka dritë, ka prehje, ka qetësi, ka
harmoni e bekime hyjnore!
Sufjan Theuriu thoshte: “Kur njeriu e
lexon Kur’anin, meleku e puth në mes të
syve”[4], që do të
thotë se leximi i Kur’anit shoqërohet me
begati hyjnore, me prezencën e melekëve
të mëshirës dhe me qetësinë e dhuruar
nga Zoti i gjithësisë. Kjo është e
provuar dhe ndjesitë personale të
secilit, teksa lexojmë Kur’an, janë
argumenti më i mirë në këtë pikë.
Të dashurit e mi,
Shpeshherë, ne e lexojmë Kur’anin, por
nuk e kuptojmë atë. Shpeshherë, ka prej
atyre që as nuk dinë ta lexojnë Kur’anin
dhe privohen nga kjo mirësi e madhe.
Prandaj, asnjeri nuk duhet të hezitojë
për të mësuar leximin e Fjalës së Zotit,
për ta shijuar më pas, për ta kuptuar si
duhet e për ta bërë zakon të fisëm
leximin e tij me rregull e pa
ndërprerje, sidomos në shtëpinë e tij.
Imam Ebu Hamid El-Gazali, tregon për një
shpallje hyjnore në Teurat, ku Zoti i
gjithësisë i drejtohet njeriut me këto
fjalë: “O robi Im, a nuk të vjen turp
prej Meje?! Kur të vjen një dërgesë nga
një prej vëllezërve të tu, teksa je duke
ecur në rrugë, ndalesh, ulesh dhe nis ta
lexosh atë fjalë-fjalë, duke u munduar
të kuptosh përmbajtjen… Dhe, ja ku është
Libri Im, që ta zbrita. Shih si t’i kam
sqaruar fjalët dhe t’i kam përsëritur
ato, që të meditosh në kuptimet e tyre.
Ndërkohë, ti largohesh prej tyre! A isha
më pak se vëllezërit e tu, për ty?
O robi Im, kur të vjen ndonjë prej
vëllezërve, ulesh pranë tij me fytyrë të
qeshur, ia dëgjon fjalët me zemër, saqë
nëse dikush ndërhyn a të shqetëson me
zhurmën e tij, i bën me shenjë që të
heshtë, për të dëgjuar mikun tënd… Dhe,
ja ku të afrohem dhe të flas, ndërkohë
që ti largohesh me zemër nga Unë! A po
më konsideron më pak se një prej
vëllezërve të Tu?!”[5]
Natyrshëm, shembulli i lartpërmendur
është një mesazh, që duhet ta lexojmë si
një thirrje besimi, si një autokritikë e
sinqertë, që duhet të bëjë secili prej
nesh, sidomos në marrëdhënie me Zotin e
tij, me Fjalën e Tij, me praktikimin e
vlerave të fesë tonë në realitetet e
përditshme, me të cilat përballemi.
Ka shumë njerëz që vijnë dhe ankohen për
mungesë begatie në shtëpitë e tyre, për
mungesë harmonie në familje, për zënka
të vazhdueshme, për ngushtim zemre e të
ngjashme. Kur i pyes se a e falin
namazin, a bëjnë dhikër në shtëpitë e
tyre, a lexojnë Kur’an, a e japin
zekatin, a e ruajnë hakun e Zotit në
pasurinë që u është dhënë, a falen
fëmijët e tyre, a e kanë bërë haxhin, a
kanë shkuar në umre etj, ata përgjigjen
negativisht! Këtu qëndron problemi!
Një shtëpi e ndërtuar me perfeksion, me
dhoma të shumta, me ambiente komode, me
orendi e plot me njerëz, edhe pse ka
energji elektrike, nëse nuk do të
takohen si duhet çelësat e energjisë, do
të ngelet banesë në errësirë! Jo për
fajin e energjisë!?
Kështu edhe marrëdhënia e jonë me
Kur’anin Famëlartë dhe mësimet e fesë
tonë, që janë një balsam garant për çdo
situatë!
Prandaj, me të drejtë, dijetari i shquar
egjiptian, mendimtari Shejkh Muhammed
El-Gazali, teksa trajton largimin e
muslimanëve nga Kur’ani dhe neglizhencën
e tyre ndaj tij, shkruan: “Për këtë,
shohim sot sesi ymmeti islam, kur e
braktisi Librin e vet, a më së pakti e
lexoi atë thjeshtë si një tekst fetar; e
humbi lidhjen me universin. Dhe, si
rezultat i kësaj, ata që e studiuan
universin, i shërbyen femohimit. Dhe
arritën ta përdorin dhe ta përshtasin
për veten e tyre, për parimet e tyre për
ateizmin e tyre… Ndërsa ne, edhe pse
Libri ynë është libër i mendimit (ose,
siç thotë Akkadi: “Mendimi është një
obligim islam”), edhe pse Libri ynë nuk
ka kontradikta me universin, pasi nuk
kemi parë ndonjë libër qiellor a të
shenjtë – siç thonë – që tërheq
vëmendjen drejt madhështisë së
All-llahut (thuaj: Zotit) në këtë
univers, ose për vetë madhështinë e
universit, krijues i të cilit është
All-llahu (thuaj: Zoti), si Kur’ani
Famëlartë… Atëherë, çfarë na largoi ne?
Na largoi, se ne nuk arritëm ta mësojmë
e të sillemi si duhet me Kur’anin,
asnjëherë. Por, siç edhe lexojmë, ne e
konsideronim gabim të madh vetëm kur
lexuesi nuk e zgjaste këndimin, pesë a
gjashtë kohë, ose kur nuk nxirrte si
duhet “gunnen”, apo kur nuk realizonte
“ihfanë”[6]…”[7]
Të dashur të pranishëm,
Ky muaj, që sapo ka nisur, është muaji i
Kur’anit, në të cilin jemi të ftuar të
ndalemi pak nga rutina e ditëve që
shkuan, të ulemi dhe të angazhohemi për
një marrëdhënie të re me Librin tonë, që
është burim i krejt të mirave, është
ndërtues i jetës, frymëzues i njeriut
për të qenë konkurues për mirë në jetë,
nxitës i mirësisë në çdo detaj të jetës.
Kur’ani është dritë, që ndriçon dhe
fener, që dritëson: “Juve ju erdhi nga
All-llahu dritë dhe libër i qartë.”[8]
Kur’ani është udhëzim, për këdo që ndjek
rrugën e pëlqimit të All-llahut në jetë:
“(Me Kur'an), All-llahu udhëzon në
rrugët e shpëtimit, atë që ndjek
pëlqimin e Tij”[9]
All-llahu na bëftë prej atyre që e
dëgjojnë fjalën dhe veprojnë më të mirën
e saj, na e begatoftë këtë muaj, na e
lehtësoftë përfitimin nga mirësitë e
tij, na udhëzoftë e na faltë, na
mëshiroftë e na mbuloftë me bujarinë e
Tij të pakufishme. Amin!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Dudasit)
Shkodër, më 19 qershor 2015
[1] Kur’ani,
El-Hixhr: 91.
[2] Transmetuar
nga Bejhekiu në “Shuab”, nga Ibn Omeri
(r.a).
[3] Ebu Hamid
El-Gazali, “Ihjau ulumiddin”, botimi i
dytë, Bejrut, 2000, vëll. I, f. 364.
[4] Po aty, f.
364.
[5] Ebu Hamid
El-Gazali, vep. e cit., vëll. I, f. 365.
[6] “Gunneja”
dhe “Ihfaja”, janë prej rregullave të
leximit të drejtë të shkronjave dhe
fjalive të Kur’anit. (Shënim imi. M.S.).
[7] Muhammed
El-Gazali, “Kejfe neteamelu
meal-Kur’an”, botimi i parë, Mensura,
1992, f. 31.
[8] Kur’ani,
El-Maide: 15.
[9] Kur’ani,
El-Maide: 16.