Falet e xhumaja e parë,
në xhaminë e re të lagjes Dudas
19 qershor 2015
Të xhumanë, më 19
qershor 2015, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, mbajti hytben e parë të
xhumasë, në xhaminë më të re në Shkodër,
atë në lagjen Dudas.
Në hytben e tij, Myftiu falënderoi Zotin
për mirësinë e kësaj dite, ku pas shumë
dekadash, Dudasi ka sërish xhaminë e re,
si vullnet i Zotit për t'u gjallëruar
Thirrja Islame në këtë qytet të besimit
dhe qytetarisë së vlerave.
"Dudasi, lagjja e vjetër e Hafiz Ibrahim
Repishtit, Haxhi Idriz Boksit, Hafiz
Sulejman Llujës e Hafiz Sulejman Krajës,
tashmë ka xhaminë e saj të re, pas një
periudhe të errët, ku kolera komuniste
dhe çmenduria ateiste e prishi xhaminë e
vjetër të kësaj lagjeje të vjetër
muslimane. Tashmë, ezani i teuhidit do
të lartësohet pesë herë në ditë nga kjo
xhami e re, duke u bërë një garanci më
shumë në rrugën e edukimit të brezit të
ri me frymën e Islamit të baballarëve
dhe gjyshërve muslimanë", - tha ndër të
tjera Myftiu në fillim të hytbes së tij.
Më pas, ai ka trajtuar neglizhencën e
muslimanëve ndaj Kur'anit dhe
domosdoshmërinë e rikthimit tek Libri i
All-llahut dhe udhëzimi i tij në jetë.
"Ka shumë njerëz që vijnë dhe ankohen
për mungesë begatie në shtëpitë e tyre,
për mungesë harmonie në familje, për
zënka të vazhdueshme, për ngushtim zemre
e të ngjashme. Kur i pyes se a e falin
namazin, a bëjnë dhikër në shtëpitë e
tyre, a lexojnë Kur’an, a e japin
zekatin, a e ruajnë hakun e Zotit në
pasurinë që u është dhënë, a falen
fëmijët e tyre, a e kanë bërë haxhin, a
kanë shkuar në umre etj, ata përgjigjen
negativisht! Këtu qëndron problemi!", -
tha Myftiu.