Mexhlisi i Hatmes Sherife
në xhaminë e Parrucës...

Ditën e enjte, më 18 qershor 2015, pas namazit të iqindisë, në xhaminë e Parrucës, Myftinia Shkodër nisi mexhlisin e leximit të plotë të Kur'anit Famëlartë, shoqëruar me ndalesa të shumta, ku shpjegohen ajete të ndryshme, jepen të dhëna interesante, komente të larmishme etj.

Mexhlisi nisi me një hyrje, ku Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari , hodhi dritë mbi dobitë e leximit të Kur'anit dhe vlerën e xhematit në këto tubime të paqta. Ai tha se kjo traditë e vjetër ka një vlerë të madhe shpirtërore, teksa na angazhon për të lexuar çdo ditë prej ditëve të Ramazanit, nga një xhyz a më shumë nga Kur'ani Famëlartë, mësimi i tij, shpjegimi i ajeteve të ndryshme dhe përfitimi nga përshpirtësia që fitohet në këto tubime.

Myftiu bëri një homazh edhe për hoxhallarët e shkuar të Shkodrës, mësuesit e Kur'anit dhe të gjithë ata besimtarë, që i mungojnë këtij mexhlis, nga viti i kaluar.

Më pas, nisi leximi i xhyzit të parë, shoqëruar me disa ndalesa, ku u hodh dritë mbi komente interesante të ajeteve të para të sures "El-Bekare".

Në këtë mexhlis, merrnin pjesë edhe imamët Naim Naim Drijaj, Lavdrim Hamja dhe Nadi Braqi, që iu bashkuan këtij tubim të begatë duke ndarë së bashku kënaqësinë e leximit në këtë ditë të parë.

Me mbarësinë e All-llahut, Mexhlisi i Hatmes Sherife, do të vazhdojë çdo ditë prej ditë e të Ramazanit, pas namazit të iqindisë, deri në ditën e 26-të, ku do të bëhet edhe duaja e hatmes, që i parapron Natës së Kadrit.

 


Mexhlisi i Hatmes Sherife në xhaminë e Parrucës...
Mexhlisi i Hatmes Sherife në xhaminë e Parrucës...