Mesazhi i Myftiut të Shkodrës
me rastin e Ramazanit 1436/2015
17 qershor 2015
Të dashur
vëllezër dhe motra muslimanë,
Të nderuar bashkëqytetarë të mi,
Sonte, krejt ne presim me padurim
momentin e shfaqjes së Hanës së re të
Muajit Ramazan, që sinjalizon fillimin e
begatë të këtij muaji të madh, shenjë
mëshire, dashurie dhe begatie, nga Zoti
për njeriun, sidomos për besimtarët!
Rikthimi i Hanës se re të Ramazanit, do
të thotë edhe një mundësi e re për të
rivlerësuar besën e besimit dhe
dorëzimit me zemër e mendje para duarve
të Krijuesit, që pret me mëshirë dhe
falje, të gjithë ata që kthehen nga Dera
e madhe e dashurisë së Tij.
Sot, mbarë bota po kalon momente të
vështira, të mbushura me pasiguri,
dhunë, luftë, shkelje flagrante të
drejtave të njeriut, skamje, uri,
varfëri, islamofobi, devijime nga e
vërteta, rrëshqitje drejt shthurjes
morale, intelektuale, laicizëm selektiv
etj. pa fund.
Në tërë këtë zymtësi realitetesh,
rikthimi i Hanës së re të Ramazanit,
mbetet përherë një shenjë shprese, një
mundësi kthese, një hapësirë lutjeje dhe
një alternativë shpëtimi nga hijet e së
keqes, që është përhapur kudo.
“Kur hyn muaji i Ramazanit, hapen dyert
e xhennetit, mbyllen dyert e xhehnemit
dhe lidhen shejtanët me zinxhirë”[1],
- thoshte i dërguari i All-llahut, Hz.
Muhammedi (a.s), si për të na
sinjalizuar mundësitë e mëdha që i jepen
njeriut në këtë muaj, për të gjetur
vetëveten, për të konsoliduar besimin,
për ta dëshmuar mirësinë e tij në jetë.
Të dashur besimtarë,
Ramazani njihet ndryshe edhe si muaji i
Kur’anit. Kthehuni me zemër nga Fjala e
Zotit, merreni në duar dhe lexojeni atë.
Shfrytëzoni ditën dhe natën, për ta
përvetësuar dritën e Kur’anit dhe për
t’ia mëkuar atë edhe fëmijëve tanë, që
po rriten në realitete pa dritë besimi,
pa udhëzim hyjnor, plot thirrje tinzare,
që i largojnë nga e vërteta dhe bukuritë
e saj!
Ju e shihni dita-ditës se të tjerët nuk
ngurrojnë të dëshmojnë shthurjen dhe
devijimin, haptas, pa ndrojtje, pa
frikë, madje edhe të mbrojtur nga
dikush, që ka devijuar njësoj si ata, në
mos më keq!
Ramazani vjen për t’ju forcuar në
ndërgjegjen e besimit tuaj, ai ju fton
ta dëshmoni këtë mirësi, të mos
hezitoni, të mos keni frikë, të mos
ngurroni, të mos ndaleni së ftuari drejt
Dritës së Zotit, të mos frenoni zemrën
së përqafuari me bekimet e ditëve dhe
netëve të këtij muaj mrekullibërës!
Prandaj, më lejoni t’ju përhajroj me
zemër në prag të Hanës së re të këtij
Muaji të shumëpritur, t’ju uroj agjërim
të mbarë dhe lutje të pranuara, ju,
familjeve tuaja, Shkodrës tonë,
Shqipërisë së shtrenjtë, krejt trevave
shqiptare, mbarë ymmetit islam!
Mubarek Ramazanin!
Imam
Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 17 qershor 2015
[1]Ahmedi në
“El-Musned”, Bukhariu dhe Muslimi, nga
Ebu Hurejra (r.a).