Dudas, u inaugurua xhamia e re e lagjes
17 qershor 2015
Paraditën e së
mërkures, më 17 qershor 2015, në prag të
Muajit Ramazan, në një atmosferë të
mrekullueshme besimi dhe qytetarie
shkodrane, u inaugurua xhamia e re e
lagjes Dudas.
Ceremonia e inaugurimit u përshëndet nga
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari,
i cili falënderoi All-llahun për
mirësinë e madhe të kësaj dite të
gëzueshme, ku pas shumë dekadash, u
mundësua ringritja e xhamisë së re në
Dudas, një prej lagjeve muslimane më të
vjetra në Shkodër.
Myftiu falënderoi kontributin e madh të
Fondacionit "Mirësia", drejtorit të saj,
z. Korab Kaja, si dhe donatorit nga
Kuvajti, për këtë dhuratë të bukur, që u
konkretizua sot, në prag të pritjes së
Hënës së re të Muajit Ramazan.
Ndërkohë, drejtori i Fondacionit
"Mirësia", z. Korab Kaja, vlerësoi këtë
mirësi, si një mundësi e re që banorët e
lagjes Dudas kanë për të kryer adhurimet
e tyre në kushte të përshtatshme, si dhe
fëmijët e tyre, për mësimin e besimit
dhe Kur'anit, në ambientet komode që
ofron kjo xhami e re.
Ai e vlerësoi këtë ditë si moment gëzimi
për krejt lagjen e vjetër muslimane të
Dudasit dhe mbarë Shkodrën.
Në shoqërinë e tekbireve, u bë prerja e
shiritit, që u pasua me faljen e namazit
të parë të mesditës nga të pranishmit e
shumtë, që kishin tejmbushur xhaminë.
Pas përfundimit të faljes së namazit dhe
duasë së bërë nga Myftiu, të pranishmit
u përqafuan me gëzim duke këmbyer
gëzimin e madh për xhaminë e re dhe duke
u përhajruar me rastin e Muajit Ramazan.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin
edhe: H. Edmir Smajlaj (Myfti i Malësisë
së Madhe), z. Gëzim Kopani (Myfti i
Pukës), z. Kujtim Dervishi (drejtor i
Medresesë "Haxhi Sheh Shamia"), z. Tahir
Zeneli (kryetar i Shoqatës "Ardhmëria"),
z. Justinian Topulli (kryetar i Lidhjes
së Hoxhallarëve të Shqipërisë), z.
Ridvan Seferaj (kryetar i Shoqatës
"Istanbul"), z. Ramazan Avxhe (kryetar i
Vakfit "Umranije"), imamë të xhamive të
Shkodrës e Malësisë së Madhe etj.