Shpërndahet përkthimi i kuptimeve të Kur'anit
në gjuhën shqipe
16 qershor 2015
Pasditen e së martës,
më 16 qershor 2015, Myftinia Shkodër në
bashkëpunim me Shoqatën Humanitare
Kulturore Shqiptare në Vjenë (Austri) -
"Xhamia Imam El-Buhari", organizoi
shpërndarjen falas të përkthimit të
kuptimeve të Kur'anit Famëlartë në
gjuhën shqipe, në italisht dhe anglisht.
Aktiviteti u zhvillua në pedonalen para
Bashkisë Shkodër, ku kalimtarë të shumtë
u ndalën për të marrë një kopje të
"Kur'anit", si dhe kalendarin e
agjërimit të Ramazanit. Të shumtë ishin
qytetarët që nuk i mbanin lotët, teksa
merrnin në dorë përkthimin e kuptimeve
të Kur'anit, sipas versionit të H.
Sherif Ahmetit dhe atë të H. Hasan
Nahit.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga Myftiu
i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari. Ai
theksoi se në atmosferën e bukur të prag
Ramazanit të sivjetshëm, ky aktivitet ka
një domethënie të madhe, pasi Kur'ani
nisi të zbresë në Ramazan. Myftiu
theksoi se Kur'ani duhet lexuar nga të
gjithë, në mënyrë që të kuptohet drejtë,
sidomos në këto kohë.
"Dua të përmend se sponsor i këtij
botimi është një shoqatë islame
shqiptare në Vjenë të Austrisë. Kjo do
të thotë se tashmë drita e Islamit po
vjen edhe nga perëndimi. Dhe, sikurse e
kam thënë edhe në takime të tjera, ky
shekull është shekulli i Islamit dhe
drita e tij po mbulon gjithësinë, si një
pelerinë e begatë, si një balsam
shërues", - tha ndër të tjera Myftiu.
Myftinia Shkodër shpreh mirënjohjen dhe
falënderimet e saj për Shoqatën "Xhamia
Imam El-Buhari", në Vjenë dhe për të
gjithë vullnetarët që iu bashkuan këtij
aktiviteti të dobishëm komunitar.