“Nostalgji dhe mall për Hoxhën tonë,
Hafiz Sabri Koçi”
06 nëntor 2015
Ditën e xhuma, më 6
nëntor 2015, Myftinia Shkodër organizoi
në xhaminë e Rusit, një ceremoni
përkujtimore, në nder të personalitetit
dhe shembullit të Hoxhës së dashur,
Hafiz Sabri Koçi.
Aktiviteti nisi me fjalën e rastit nga
imami i xhamisë Rus, H. Fejzi Zaganjori.
Gjatë saj, ai prezantoi aktivitetin dhe
simbolikën e aktivitetit fetar të Hafiz
Sabriut, persekutimin në burgjet e
komunizmit, si dhe udhëheqjen e dhjetra
mijëra besimtarëve muslimanë, që me 16
nëntor 1990, sinjalizuan fillimin e një
epoke të re për vendin dhe kombin.
H. Fejzi Zaganjori tha se emri i H.
Sabri Koçit, mbetet një stacion i
rëndësishëm në jetën e muslimanëve
shqiptarë, sidomos në këto 25 vite.
Aktiviteti vijoi me ritet e xhumasë,
hytben e së cilës e mbajti Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari. Në
këtë mesazh të javës, Myftiu u
përqendrua te personifikimi i
personalitetit të Hafiz Sabri Koçit, si
një durimtar e qëndrestar, që triumfoi
me besimin dhe thirrjen e tij.
Ndër të tjera, Myftiu tha: "Jam
emocionuar shumë mbrëmë, teksa ndiqja me
vëmendje historinë thuajse të
pabesueshme të vuajtjes dhe dhembjes së
Hafiz Sabri Koçit durimtar e qëndrestar
(që herë më ngjante me Hz. Ejjubin
(a.s), në durimin e sprovës së tij, e
herë me Ebu Hanifen, teksa qëndronte i
palëkundur në qëndrimet e tij, në
burgjet e sprovës), tamam si të shihja
copëza të personifikuara nga dhembja dhe
sprova e Hz. Jusufit (a.s), në jetën e
talebes së spikatur të elitës së fundit
të hoxhallarëve të Shkodrës, në gjysmën
e dytë të shekullit XX…"
Ceremonia e sotme përkujtimore, vjen në
vazhdën e aktiviteteve të larmishme të
25 vjetorit të rihapjes së xhamisë së
Plumbit, e para xhami që nisi
aktivitetin e saj fetar, pas 23 vitesh
ndalimi të fesë në vendin tonë.
Në këtë xhuma kushtuar Hafiz Sabri
Koçit, i pranishëm ishte edhe z. Maxhid
Cungu, nën/kryetar i Këshillit të qarkut
Shkodër, teologu Lavdrim Hamja, imam i
xhamisë së "Dy Vajzave", teologu Arben
Halluni, H. Mithat Myftija, imam i
xhamisë së Plumbit, antarë të Këshillit
të Myftinisë Shkodër, familjarë të
Hafizit të nderuar etj.