Hafiz Sabri Koçi:
“Një ditë burgu, thuaj se një mijë vjet!”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, i Cili urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes.”[1]

Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës sonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u dërgua mëshirë dhe udhëzim për gjithësinë.
 
Të nderuar e të dashur besimtarë,
 
Ajeti i lartpërmendur, është një ftesë hyjnore për ta lexuar historinë, për të kuptuar dhe reflektuar në të sotmen, personazhet, datat dhe ngjarjet e saj. E, pa dyshim, një ndër emrat më të spikatur të historisë sonë kombëtare, të gjysëm shekullit të fundit, është edhe Hafiz Sabri Koçi!

Në një vështrim historik, ngjarja e Hz. Jusufit, trupëzohet më së miri në shembullin e Hafiz Sabri Koçit dhe përpjekjes vrastare për t’i burgosur shpirtin dhe identitetin fetar, shqiptarëve.

Është një histori e mbushur me dhembje e plagë, edhe prej atyre që kurrë nuk mund të harrohen, as falen, mbyllen… Sepse, sikurse thoshte edhe vetë Hafizi rahmetli: “Një ditë burgu, thuaj se një mijë vjet! Fillonte me një diktaturë të papërshkrueshme. Po të dëgjonin se thua: “la ilahe il-lall-llah”, atëherë mjerë ajo spinë ç’ka hiqte…”[2]

Historia e tij është ajo e pabesisë së vëllezërve ndaj vëllaut të tyre më të ditur, më të përkushtuar, më të pastër, më të udhëzuar…

Shqiptarë që vrasin shqiptarë. Shqiptarë që burgosin shqiptarë. Shqiptarë që sekuestrojnë biblioteka shqiptarësh. Shqiptarë që prishin xhami e minare shqiptarësh. Shqiptarë që mashtrojnë, falsifikojnë e gënjejnë për shqiptarë! Vëllezër shumë që presin në besë vëllanë e tyre!..

Gjatë këtyre ditëve kam jetuar me imazhin e Hafiz Sabri Koçit para syve. Kam përjetuar, si në një shirit të papërshkrueshëm kujtimesh, momente të papërkthyeshme për gjuhën e njerëzve të përshpirtësive të ndjera, sidomos gjatë takimit të fundit me Hirësinë e tij, në shtëpinë e tij në Tiranë...

Jam emocionuar shumë mbrëmë, teksa ndiqja me vëmendje historinë thuajse të pabesueshme të vuajtjes dhe dhembjes së Hafiz Sabri Koçit durimtar e qëndrestar (që herë më ngjante me Hz. Ejjubin (a.s), në durimin e sprovës së tij, e herë me Ebu Hanifen, teksa qëndronte i palëkundur në qëndrimet e tij, në burgjet e sprovës), tamam si të shihja copëza të personifikuara nga dhembja dhe sprova e Hz. Jusufit (a.s), në jetën e talebes së spikatur të elitës së fundit të hoxhallarëve të Shkodrës, në gjysmën e dytë të shekullit XX…

A ushtrohet presion xhahil mbi një të dashur të Resulull-llahut (a.s), se ka lënë njerëzit pa gjumë, duke i penguar për punë, siç u akuzua nga të pafetë, me rastin e një ceremonie Mevludi, të organizuar me xhematin e Rusit, në qytetin e Shkodrës?!

Këtë ngjarje, të vitit 1945 e ka treguar vetë Hafizi, në një intervistë të gjatë, në vitin 1991, ku tregon: “Me rastin e ditëlindjes së Hz. Muhammedit (a.s), organizoja ceremoni madhështore. Në një ceremoni të tillë, më kujtohet, patëm shkruar edhe parullën: “Mirë se erdhe i madhi Muhammed”. Populli vazhdonte pothuaj tërë natën me gëzim dhe hare, ashtu si nuk ishte parë ndonjëherë. Ndërkohë vijnë organet e punëve të brendshme. Zënë vend aty te altoparlanti dhe regjistrojnë tërë bisedën që bëra me atë rast. Më 1945. Kjo do të thotë se qysh më 45-tën u vura në shenjestrën e organeve të punëve të brendshme. Dhe, si përfundim, më marrin në pyetje duke më akuzuar se e lë popullin tërë natën atje dhe se e gjithë kjo shkonte në dëm të punës”[3]

A shoqërohet për në degë të brendshme, menjëherë pas faljes së mesditës, me akuzën e “nxitjes së popullatës kundër pushtetit popullor”?!

“Me 4 korrik 1966, në kohën kur po shkonte në xhami për faljen e ylesë, arrestohet dhe në shtator të atij viti dënohet me njëzet e tre vjet e pesë muaj burg, duke u liruar më 22. 10. 1986.”[4]

A poshtërohet në burg[5], një thirrës islam, vetëm se u mësonte njerëzve dashninë e All-llahut dhe lidhjen me traditat e ma të Dashtunit të Tij?!
 
Të dashur besimtarë,
 
Dëgjoni me vëmendje këto ajete kur’anore dhe lexoni nëpërmjet tyre, të vërtetën e besimit dhe besimtarëve, prijësve tanë dhe hoxhallarëve, përballë të mashtruarve nga shejtani në shoqërinë tonë, me të cilët u sprovua historia jonë kombëtare për dekada: “Kur ata (vëllezërit) thanë: “Pasha Zotin, Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur te baba ynë se sa ne, ndërsa ne jemi grup (i fortë). Vërtetë, babai ynë është në gabim të hapur. Mbyteni Jusufin ose hidhni diku larg në një vend e babai juaj t’ju dojë juve e pas asaj (pendohuni) bëheni njerëz të mirë.”[6]

Kjo është e vërteta e Hafiz Sabri Koçit, si individ dhe si fenomen islam, përballë sprovës së femohimit, që me furinë e euforisë histerike dhe ndjenjës së qenies “një grup (i fortë)”, u përpoq pa fund të bindë një popull dhe një botë të tërë se: “Vërtetë, babi ynë është në gabim të hapur”!

Sa e sa shqiptarë të rinj, por jo vetëm, u mashtruan nga propaganda e materializmit dialektik, duke u kthyer në robotë, që shkruanin e thërrisnin me të madhe se baballarët dhe të parët fetarë ishin gabim, në mashtrim e në humbje?!

Sa e sa shqiptarë e shitën fenë dhe besën e shekujve, përballë tundimeve të femohimit dhe ateizmit, duke mos marrë parasysh thirrjet e hoxhallarëve tanë për të mos shkuar rrugës së shejtanit?

A nuk kishte folur haptas e shkruar qartë Hafiz Ali Kraja: “... lus vllaznit musliman të mos gënjehen me fjalët e bukra t’asaj pjesë pseudo-intelektualsh, pse qellimi i këtyne âsht me dobsue konvikcjonin dogmatik në shpirtin e fetarve, e nuk janë fjalë të bazueme... mbi shkencë e filosofí”[7]

Sa e sa shqiptarë, pas vitit 1990, të rreckosur e të shkatërruar nga dhuna e një shteti shtypës, ndërruan emrat dhe fenë, të deryruar nga intoleranca e vendeve moderne e të “qytetëruara”, komshitë tanë, ku trokitën për shpresë… Ndonëse shpresa kishte kosto të lartë; shitjen e besimit e ndërrimin e identitetit?!
 
Të nderuar të pranishëm,
 
Tashmë që kemi mbërritur në këtë atmosferë të begatë të 25 vjetorit të asaj dite historike (jo vetëm si datë kalendarike, por si themel, që nuk lëkundet kollaj), emri dhe personaliteti i Hafizi Sabri Koçit, mbetet përherë një pikë referimi, për të kuptuar të shkuarën, për të analizuar të sotmen dhe për të parë me krenari dhe shpresë drejt së ardhmes!

Sot, pas 25 vitesh liri besimi, na mungon një personalitet shumëdimensional, si Hafiz Sabri Koçi!  Na mungon vasi i tij, fjala e tij, mexhliset e llojit të tij, një prezantim si i tiji, një thirrje si ajo, me të cilën mbushi kudo boshllëqet e një katastrofe mbi çerek shekullore, që kishte pllakuar vendin tonë.

Emri i Hafiz Sabri Koçit, është një emër nderi, që na forcon edhe më shumë në misionin tonë, në thirrjen tonë ndaj kujtdo që ka humbur rrugën, a don të kthehet në origjinë e rrënjë, në Islam!

Rahmeti i All-llahut qoftë mbi këtë pishtar të fesë e vlerave më të mira të harmonisë tonë islame dhe asaj kombëtare.

Do të propozoj, që të gjithë myftilerët e Shqipërisë me në krye Kryetarin e KMSh- së, të firmosim një kërkesë drejtuar presidentit të Republikës, që emri i Hafiz Sabri Koçit të kthehet në një titulli nderi, që presidenca akordon për personalitete të ndryshme të huaja e të vendit!

All-llahu e mëshiroftë Hafizin tonë dhe e bëftë prej atyre që kujtohen për mirë, duke u bërë pikë referimi për shembullin e besimit, durimit, qëndresës dhe sakrificës për All-llah!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
 
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Rusit)
Shkodër, më 6 nëntor 2015

[1] Kur’ani, Jusuf: 111.
[2] H. Sabri Koçi, “Ndihma e të Madhit Zot erdhi”, intervistë në revistën, “El-Hilal”, Shkup, botim special, qershor, 1991, f. 12.
[3] Po aty, f. 10.
[4] Dr. Ramiz Zekaj, “Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX”, ribotim, Tiranë, 2002, f. 371.
[5] Emrin e Hafiz Sabri Koçit, si hoxhë i burgosur për shkak të misionit të tij, e përmend edhe autori Ali M. Basha, në veprën e tij: “Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967)”, Tiranë, 2011, f. 427.
[6] Kur’ani, Jusuf: 8-9.
[7] Hafis Ali Kraja, “A duhet feja- A e pengon bashkimin kombtár?”, Shkodër, 1934, f. VI.

 


Hafiz Sabri Koçi: “Një ditë burgu, thuaj se një mijë vjet!”