Kalaja e Drishtit, kalaja e teuhidit!
05 nëntor 2015
Të
nderuar vëllezër besimtarë,
Dita e sotme, pa dyshim që ka një bekim
të madh për të gjithë ne, sepse po
inaugurojmë së bashku përfundimin e
punimeve për restaurimin e plotë të
xhamisë në kalanë e Drishtit.
E veçanta e këtij inaugurimi është
pikërisht vendi, gjeografia, historia,
shpirti, besa, trashëgimia, amaneti,
gjurma, geni, përkushtimi dhe ruajtja e
fesë islame dhe traditave të saj, në
këtë kala të teuhidit, përtej kufijve të
skamjes së imponuar nga neglizhenca dhe
nëpërkëmbja e kësaj zone muslimane, ndër
dekada!
Sot, xhamia e juaj do të rihapë dyert
për ju, për ne, për çdo besimtar e
vizitor. Si të thuash, të gjithë ne po
përjetojmë sot një datë historike, që na
sjell ndër mend lëvizjen e muslimanëve
të Shkodrës, në ditët e para të nëntorit
1990, për të rihapur dyert e xhamisë së
Plumbit, në një skaj të largët të
qytetit, ku lëvizja dhe komunikimi nuk
ishte si sot, ishte dyfish më e vështirë
se çdo lëvizje tjetër...
Sot, nga kjo minare nazike, ezani do të
thërrasë pesë herë në ditë drejt
forcimit të besimit dhe dëshmimit të
Islamit në jetë, pa ndrojtje e frikë, pa
hezitim e luhatje, për të jetuar e
dëshmuar se nuk ka Zot tjetër, pos
All-llahut, Krijuesit të vetëm të
gjithësisë!
Sot, në këtë ditë të gëzuar, në këtë
kala besimi, nuk ka sesi të mos na vijë
ndër mend se kalatë shqiptare, ndër
shekuj dhe akoma sot, ishin dhe
vazhdojnë të jenë dëshmitare të Islamit,
nëpërmjet xhamive të tyre.
Xhamia në kalanë e Beratit, xhami e cila
daton që në vitin 1390, dëshmitare e
Islamit në trojet shqiptare, që para
osmanëve.
Xhamia e në kalanë e Borshit. Xhamia në
kalanë e Krujës.
Xhamia në kalanë e Prezës, që patëm
nderin të ishim dëshmitarë të
inaugurimit të saj, para pak muajsh, (së
bashku me presidentin e Turqisë, z.
Rexhep Taip Erdogan dhe kryetarin e
Dijanetit, prof. dr. Mehmet Gormez).
Xhamia në kalanë e Lezhës së Sulltan
Sulejmanit, që sfidon edhe sot
injorancën dhe mesjetarizmin.
Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut (a edhe
para tij), në kalanë e Shkodrës,
toponimi i së cilës na lidh me arabët
muslimanë, që sollën Islamin në Italinë
e Jugut që në shekullin e 9-të. Etj.
Dhe, ja, xhamia e bukur e kalasë së
Drishtit, që falë Zotit, tashmë po hap
dyert e saj, edhe me mbështetjen e
vëllezërve tanë turqë, me të cilët na
lidh historia e shekujve të gjatë,
kalifati ynë i përbashkët osman,
traditat dhe gjurmët e vëllazërisë së
sinqertë islame dhe njerëzore, që
përkthejnë më së miri ndër ne, ajetin
kur’anor 71 të sures Teube: “Besimtarët
dhe besimtaret janë të dashur për
njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë,
ndalojnë nga e keqa, e falin namazin dhe
japin zekatin, respektojnë All-llahun
dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i
mëshirojë All-llahu. All-llahu është
ngadhnjyes, i urtë.”
Dua të shpreh falënderimet dhe
mirënjohjen më të madhe për donatorin e
nderuar nga Turqia, si dhe ndërmjetësin
për realizimin e këtij bashkëpunimi me
vlerë, z. Ridvan Seferaj, Kryetar i
Shoqatës “Istanbul”. I shpërbleftë
All-llahu me mirësitë e Tij të
panumërta!
Një falënderim të veçantë për
ambasadorin e Turqisë në vendin tonë, z.
Hidayet Bayraktar, që na nderoi me
praninë e tij në mesin tonë.
Në fund, më lejoni t’ju përhajroj dhe të
lutem që banorët e kësaj zone të kenë
bekimet e All-llahut në jetën e tyre,
mbrojtjen dhe përkujdesjen e Tij, ata
dhe fëmijët e tyre, brez pas brezi!
Amin!
All-llahu i Madhëruar, ju ruajtë e ju
dashtë!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Fjala e rastit në inaugurimin e xhamisë
së re në kalanë e Drishtit)