U inaugurua xhamia e re në kalanë e Drishtit
05 nëntor 2015
Paraditën e së
enjtes, më 5 nëntor 2015, Myftinia
Shkodër në bashkëpunim me Medresenë
"Haxhi Sheh Shamia" dhe Shoqatën
"Istanbul", ka organizuar ceremoninë e
inaugurimit të xhamisë së re në kalanë e
Drishtit.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe
z. Hidayet Bayraktar, ambasador i
Turqisë në vendin tonë, prof. dr. Birol
Çetin, koordinator i përgjithshëm i
TIKA-s në vendin tonë etj.
Ceremonia, që ngjante si një festë e
bukur, nisi me fjalën e rastit nga
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B.
Sytari, në të cilën falënderoi
kontribuuesin nga Turqia, si dhe të
gjithë ata që mundësuan që sot ta kemi
këtë xhami të bukur, që kishte mbetur në
mëshirë të fatit dhe neglizhencës së
dekadave të shkuara.
Myftiu falënderoi donatorët turq, duke
theksuar se në mes dy popujve, ka shumë
emërues të përbashkët, që janë ura
lidhëse shekullore, që sa vijnë e
forcohen dhe konsolidohen. Njëkohësisht
vlerësoi praninë e ambasadorit turk, si
shenjë nderimi dhe vlerësimi për këtë
ceremoni dhe krejt Shkodrën.
Ndër të tjera, Myftiu tha: "Sot, nga kjo
minare nazike, ezani do të thërrasë pesë
herë në ditë drejt forcimit të besimit
dhe dëshmimit të Islamit në jetë, pa
ndrojtje e frikë, pa hezitim e luhatje,
për të jetuar e dëshmuar se nuk ka Zot
tjetër, pos All-llahut, Krijuesit të
vetëm të gjithësisë!"
Me këtë rast, Myftiu i dhuroi
ambasadorit të Turqisë, z. Hidayet
Bayraktar, simbolin e 25 vjetorit të
rilejimit me ligj të fesë në vendin
tonë.
Ndërkohë, në fjalën e tij, ambasadori
turk, falënderoi organizimin e kësaj
ceremonie, si deh donatorin nga Konya, i
cili u bë shkak për këtë mirësi të
madhe.
Ambasadori Bayraktar theksoi se miqësia
gjashtëshekullore e dy popujve tanë,
është garanci për një bashkëpunim edhe
më të madh në të ardhmen.
Ceremonia u përshëndet edhe nga z.
Ridvan Seferaj, Kryetar i Shoqatës
"Istanbul", i cili vuri theksin te
rëndësia e qëndrimeve në krah të besimit
dhe përpjekjes për të jetuar e punuar me
vlerat e tij. Ai falënderoi
bashkëpunimin me Myftininë e Shkodrës,
si dhe kontributin e vyer të donatorit
bamirës, që dha nga pasuria e tij për
restaurimin e kësaj xhamie.
Pas prerjes së shiritit, pjesëmarrësit
ndoqën programin e bukur artistik nga
nxënësit e medresesë dhe falën
bashkërisht namazin e mesditës.