Me zemër të mirë xhaminë e re!
04 nëntor 2015
Ceremonia e sotme, me
rastin e inaugurimit të përfundimit të
punimeve për faltoren e xhamisë së re në
Mes-Myselim, është një gëzim i madh për
mua dhe për për mbarë muslimanët e
Postribës e Shkodrës. Ky gëzim legjitim,
lidhet edhe me finalizimin e ecejakeve
të shumta që shoqëruan të gjitha
proceset nëpër të cilat kaloi kjo xhami,
nga momenti i djegies së xhamisë së
vjetër, (pesë vite më parë), deri në
këtë ditë dëshmie.
Pasurimi i hartës së xhamive të
Shkodrës, që sot (falë Zotit) ka 57 të
tilla, me këtë kala të re të besimit dhe
edukimit islam, në këtë atmosferë të
begatë të 25 vjetorit të rilejimit me
ligj të fesë në Shkodër e Shqipëri,
është padyshim shenjë e bekimeve të
All-llahut të Madhëruar për besimtarët e
përkushtuar të kësaj zone, që me shumë
dëshirë e kanë pritur këtë ditë të
lumtur.
Në fakt, xhamia e Mes-Myselimit, është
sprova e parë e Myftinisë sime!
Pak ditë pasi kisha marrë në dorëzim
detyrën e re, më lajmërojnë se xhamia e
Mes-Myselimit ishte djegur. E kujtoj si
tani atë moment. Sapo ishte falur namazi
i sabahut. Dola menjëherë dhe, së bashku
me imamin e nderuar, z. Ilir Dizdari,
erdhëm në këtë vend, ku sot na mbledh
një gëzim i papërshkruar. Tymnaja, që
shihej nga larg, sa s’ma nxori zemrën
vendit atë ditë…
Kur mbërritëm në vendin e xhamisë, imami
i asaj kohe dhe besimtarë të shumtë, nuk
e fshihnin dot dhembjen dhe befasinë nga
ngjarja e papritur. Kishte pllakuar
heshtja, që shoqërohej me shenjat e një
dhembjeje të madhe… Nuk do t’i harroj
lotët e të nderuarit, H. Nuh Ura… Ai,
mezi e mbante veten nga tmerri i pamjes
së xhamisë, a asaj që kishte mbetur prej
saj, që tashmë ishte kthyer në një
kujtim, që përzihej me shtëllungat e
tymit, teksa dilte si duf i
pakontrolluar i një zjarri të pabesë...
Nuk do të harroj as gatishmërinë e
imamëve tanë të nderuar, që nuk ngurruan
të bëhen një dorë e një zemër, ata dhe
xhematet e tyre bamirës. Nuk u kursyen
për t’iu përgjigjur kërkesës sonë për të
dhënë nga pasuria e tyre (secili brenda
mundësisë së tij), me qëllim ringritjen
e xhamisë së re… Të gjithë dhanë, askush
nuk u kursye! Jo pak mbështetje gjetëm
edhe ndër miq e vëllezër, si: Bashkësia
Islame e Kosovës, Myftinia e Gostivarit,
si dhe vëllezër të shumtë nga vende të
ndryshme të botës, emigrantët e
Postribës, banorët bujarë të
Mes-Myselimit etj. Të gjithëve u them:
Jua shpërbleftë All-llahu mirësinë dhe
bujarinë tuaj, në këtë botë, para të
përtejmes!
Jam plotësisht i bindur, se kjo xhami,
“Xhamia e Hajrateve”, do të dëshmojë me
hijeshinë dhe madhështinë e saj,
shpirtin e madh dhe fisnikërinë e
besimit të krejt atyre që dhanë, a
kontribuan në një formë a një tjetër,
për realizimin e kësaj mrekullie të
munguar në Postribën e Islamit!
Me shumë respekt dhe nderim, dua të
falënderoj të gjithë banorët e
Mes-Myselimit, pa përjashtim, ata të
mbarë Postribës bamirëse, xhematet e të
gjitha xhamive të Shkodrës dhe krejt
imamët tanë të nderuar, që me ndjenjën
më të lartë të përgjegjësisë, bënë që
Myftinia Shkodër të ndjehet krenare sot
për këtë vepër, që të ngroh e të mbush
me mirësi, sapo shkel pragun e saj!
Në veçanti, dua të përshëndes
përkushtimin dhe shërbimet e një
personi, që asnjëherë nuk u ndal së
punuari dhe lobuari, me krejt forcat e
tij, për të mirën e kësaj xhamie dhe
xhematit të saj; teologut Altin
Nikshiqi, që për shumë vite ishte imam,
vaiz, mësues, hatib e çdo gjë në këtë
xhami. Ai personifikohej me xhaminë e
Mes-Myselimit e, xhamia e këtij fshati
besimtar, me emrin e tij! Ai ishte
personi, që punoi në heshtje, dhuroi në
heshtje dhe duroi në heshtje për këtë
xhami dhe rininë e saj veçmas! All-llahu
i dhashtë të mbarën në shërbimet e tij,
kudo qoftë e kudo shërbeftë në rrugën e
Thirrjes Islame!
Në fund, jam i lumtur që emri i xhamisë
së re në Mes-Myselim, do të mbesë
përherë i lidhur me 25 vjetorin e
rihapjes së xhamisë së parë, pas viteve
të gjata të errësirës… Si të thuash, do
të ngelet gjurmë drite e shenjë
udhëzimi, që merr e jep me simbolikën e
rihapjes së xhamisë së Plumbit, në këtë
vit jubilar…
Me zemër të mirë xhaminë e re! Gëzuar,
me shpirt!
Imam
Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Fjala e rastit në inaugurimin e xhamisë
së re në Mes-Myselim)
Shkodër, më 4 nëntor 2015.